AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Llukai 17

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait
Share

Llukai 17

  1. Edhe u tha nxënësve: Është e pamundur të mos vijnë skandalet; po mjerë ai, me anë të të cilit vijnë.
  2. Më mirë është për atë t’i varet një gur mulliri rreth qafës së tij dhe të hidhet në det, se të skandalizojë një nga këta të vegjlit.
  3. Vini re veten tuaj. Edhe në të bëftë mëkat yt vëlla, qortoje; dhe në u pendoftë, falja.
  4. Edhe në bëftë mëkat shtatë herë në ditë, dhe të kthehet shtatë herë në ditë tek ti e të thotë: Pendohem, t’ia falësh.
  5. Edhe apostujt i thanë Zotit: Shtona besimin.
  6. Edhe Zoti tha: Po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoshit këtij druri të manit: Shkulu së këtejmi, dhe mbillu në det, dhe do t’ju dëgjonte.
  7. Edhe cili prej jush, që ka një shërbëtor që lëron ose ruan dhentë, do t’i thotë këtij menjëherë, sapo të kthehet nga ara: Shko e rri të hash?
  8. dhe nuk do t’i thotë: Bëj gati ç’të ha për darkë, dhe përvishu e shërbemë, deri sa të ha e të pi, edhe pastaj do të hash e do të pish ti?
  9. A mos ia njeh për hir atij shërbëtori, sepse bëri ato që e urdhëroi? Nuk më duket.
  10. Kështu edhe ju, kur të bëni gjithë sa ju janë urdhëruar, thoni se jemi shërbëtorë të pavlefshëm, sepse bëmë atë që kishim detyrë të bënim.
  11. Edhe kur ai po vinte për në Jerusalem, shkonte përmes Samarisë e Galilesë.
  12. Edhe kur po hynte në një fshat, takuan me të dhjetë burra leprozë, të cilët qëndruan nga larg.
  13. Edhe ata ngritën zërin, duke thënë: Jisu, mjeshtër, përdëllena.
  14. Edhe ai kur i pa, u tha atyre: Shkoni e rrëfeni veten tuaj tek priftërinjtë. Edhe ata duke shkuar u pastruan.
  15. Edhe një nga ata, kur pa se u shërua, u kthye duke lavdëruar Perëndinë me zë të madh,
  16. edhe ra përmbys në këmbët e tij, dhe e falënderoi; dhe ai ishte Samaritan.
  17. Edhe Jisui u përgjigj e tha: A nuk u pastruan të dhjetët? Po të nëntët ku janë?
  18. Nuk u gjendën të tjerë të kthehen që t’i japin lavdi Perëndisë, veç ky prej tjetër kombi?
  19. Edhe i tha: Ngrihu, e shko; besimi yt të shpëtoi.
  20. Edhe kur u pyet nga Farisenjtë se kur vjen mbretëria e Perëndisë, iu përgjigj atyre e tha: Mbretëria e Perëndisë nuk vjen me të dukur.
  21. As nuk kanë për të thënë: Ja këtu është, ose: Ja atje; sepse ja mbretëria e Perëndisë tek është në mes tuaj.
  22. Edhe ai u tha nxënësve: Do të vijnë ditë, kur do të dëshironi të shihni një nga ditët e të Birit të njeriut; edhe nuk do të mundni.
  23. Edhe do t’j u thonë juve: Ja këtu është, ose, Ja atje; mos shkoni, as mos e ndiqni pas.
  24. Sepse sikurse vetëtima që vetëtin prej njërës anë nën qiell, ndrit deri në anën tjetër nën qiell, kështu do të jetë edhe i Biri i njeriut në ditën e tij.
  25. Po më përpara ai duhet të pësojë shumë, dhe të mos pëlqehet prej këtij brezi.
  26. Edhe siç u bë në ditët e Noes, kështu do të jetë në ditët e të Birit të njeriut.
  27. Hanin, pinin, martonin, martoheshin, deri në atë ditë që hyri Noeja në arkë. Dhe erdhi përmbytja dhe i prishi të gjitha.
  28. Kështu siç u bë edhe në ditët e Lotit; hanin, pinin, blinin, shisnin, mbillnin, ndërtonin shtëpi.
  29. Edhe që në atë ditë që doli Loti nga Sodoma, ra shi zjarri e squfuri nga qielli dhe i prishi të gjitha.
  30. Kështu do të jetë në atë ditë që do të shfaqet i Biri i njeriut.
  31. Në atë ditë kush të gjendet në dhomë, dhe t’i ketë enët e tij brenda në shtëpi, le të mos zbresë t’i ngrerë; dhe ai që të gjendet në arë, gjithashtu le të mos kthehet prapa.
  32. Sillni ndër mend gruan e Lotit.
  33. Ai që do të kërkojë të shpëtojë shpirtin e tij, do ta humbë; dhe ai që ta humbë, do ta ruajë.
  34. Po ju them juve, atë natë do të jenë dy veta mbi një shtrat; njëri do të merret, e tjetri do të lihet.
  35. Dy gra do të jenë duke bluar bashkë; njëra do të merret, e tjetra do të lihet.
  36. Dy veta do të jenë në arë; njëri do të merret, e tjetri do të lihet.
  37. Edhe ata u përgjigjën e i thonë: Ku o Zot? Edhe ai u tha atyre: Ku është trupi, atje do të mblidhen shqiponjat.