AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Llukai 16

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait
Share

Llukai 16

  1. U thoshte edhe nxënësve të tij: Ishte një njeri i pasur që kishte një kujdestar; dhe i folën keq për atë, se shpërndau pasurinë e tij.
  2. Edhe ai e thirri e i tha: Ç’është kjo që dëgjoj për ty? Jep llogarinë e përkujdesjes tënde; sepse nuk mund të jesh kujdestari im.
  3. Atëherë kujdestari tha me veten e tij: Ç’të bëj, se im zot po më heq nga kujdesi? Të gërmoj nuk mundem, të lyp kam turp.
  4. U kujtova ç’duhet të bëj, që të më presin nëpër shtëpitë e tyre, kur të nxirrem nga përkujdesja.
  5. Edhe thirri pranë një nga debitorët e të zot, e i thoshte të parit: Sa i detyrohesh tim zoti? Edhe ai i tha: Njëqind bucela vaji.
  6. Edhe ai i tha: Merr shkresën tënde dhe rri e shkruaj shpejt pesëdhjetë.
  7. Pastaj i tha një tjetri: Po ti sa detyrim i ke? Edhe ai i tha: Njëqind masa gruri. I thotë edhe atij: Merr shkresën tënde, dhe shkruaj tetëdhjetë.
  8. Edhe i zoti e lavdëroi kujdestarin e paudhë, sepse punoi me mend; sepse të bijtë e kësaj jete janë më të mençur në brezin e tyre, sesa të bijtë e dritës.
  9. Edhe unë po ju them juve: Bëni miq për veten tuaj nga mamonai i paudhësisë, që t’ju presin ju në tendat e përjetshme, kur të ngriheni së këtejmi.
  10. Ai që është besnik mbi të paktën, është besnik edhe mbi të shumtën; edhe ai që është i paudhë në të paktën, është i paudhë edhe në të shumtën.
  11. Në qoftë pra se s’u bëtë besnikë mbi të paudhin mamona, kush do t’ju besojë juve pasurinë e vërtetë?
  12. Edhe në qoftë se nuk u bëtë besnikë mbi gjënë e huaj, kush do t’ju japë juve tuajën?
  13. Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve; sepse ose njërin do ta urrejë dhe tjetrin do ta dojë; ose pas njërit do të ngjitet dhe tjetrin do ta shpërfillë. Nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonait.
  14. Edhe Farisenjtë që ishin dorështrënguar, i dëgjonin të gjitha këto, dhe e përqeshnin.
  15. Edhe ai u tha atyre: Ju jeni ata që nxirrni veten tuaj të drejtë përpara njerëzve, po Perëndia i njeh zemrat tuaja; sepse ajo që është e lartë për njerëzit, ndyrësi është përpara Perëndisë.
  16. Ligji dhe profetët kanë qenë deri në kohën e Joanit; që atëherë jepet lajmi i mirë për mbretërinë e Perëndisë, dhe gjithësecili nxitohet të hyjë në të.
  17. Edhe më kollaj është që qielli e dheu të shkoj-në, se të bjerë poshtë një pikë nga ligji.
  18. Kushdo që lë gruan e tij dhe martohet me tjetër, bën imoralitet; dhe kushdo që martohet me grua të lëshuar prej burrit, bën imoralitet.
  19. Edhe një njeri ishte i pasur, dhe vishej me purpur e me stoli të kuqe, duke gëzuar përditë ndriçim.
  20. Ishte dhe një i varfër që e kishte emrin Llazar, i cili dergjej pranë portës së atij plot me plagë,
  21. edhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e të pasurit; por edhe qentë vinin e lëpinin plagët e tij.
  22. Edhe i varfëri vdiq dhe u pru nga engjëjt në gjirin e Abrahamit. Vdiq edhe i pasuri dhe u varros.
  23. Edhe në hadh, ku ishte në mundime, ngriti sytë e tij e sheh Abrahamin së largu, dhe Llazarin në gjirin e atij.
  24. Edhe ai thërriti e tha: O atë Abraham, përdëllemë, dhe dërgo Llazarin, që të lyejë majën e gishtit të tij në ujë, dhe të më ftohë gjuhën; sepse po mundohem në këtë flakë.
  25. Po Abrahami i tha: O djalë, kujtohu, se ti i more të mirat e tua në jetën tënde, dhe Llazari gjithashtu të këqijat; po tani ky prehet, e ti mundohesh.
  26. Edhe mbi gjithë këto, në mes nesh e jush është ngulur një pafundësi e madhe, që kështu ata që duan të shkojnë së këtejmi tek ju, të mos mundin, as të andejmit të kalojnë tek ne.
  27. Edhe ai tha: Të lutem pra, o atë, ta dërgosh atë në shtëpinë e tim eti,
  28. sepse kam pesë vëllezër; që të japë dëshmi ndër ata, që të mos vijnë edhe ata në këtë vend të mundimit.
  29. Abrahami i thotë: kanë Moisiun dhe profetët; le të dëgjojnë ata.
  30. Edhe ai tha: Jo, o atë Abraham; por në shkoftë ndonjë nga të vdekurit tek ata, do të pendohen.
  31. Edhe ai i tha: Në qoftë se nuk dëgjojnë Moisiun dhe profetët, as në u ngjalltë ndonjë nga të vdekurit, s’kanë për t’u bindur.