Llukai 15
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait |
Llukai 15
- Edhe gjithë tagrambledhësit e mëkatarët i afroheshin, që ta dëgjonin.
- Edhe Farisenjtë e shkruesit murmurisnin, duke thënë se ky pret mëkatarë dhe ha bashkë me ta.
- Edhe ai u tha atyre këtë paravoli, duke thënë:
- Cili njeri prej jush, në pastë njëqind dhen, dhe të humbë një prej tyre, nuk lë të nëntëdhjetenëntat në shkretëtirë, dhe nuk shkon të kërkojë atë që ka humbur, deri sa ta gjejë?
- Edhe si ta gjejë, e merr mbi supet e tij duke u gëzuar.
- Edhe kur vjen në shtëpi, thërret miqtë dhe fqinjët, e u thotë atyre: Gëzohuni bashkë me mua, se gjeta delen time që pati humbur.
- Po ju them juve, se kështu do të jetë më tepër gëzim në qiell për një mëkatar që pendohet, se për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë, të cilët s’kanë nevojë për pendim.
- Apo cila grua që ka dhjetë dhrahmi, në i humbtë një dhrahmi, nuk ndez kandilin dhe nuk fshin shtëpinë dhe nuk kërkon me kujdes, deri sa ta gjejë?
- Edhe si ta gjejë, thërret mikeshat e fqinjët, duke thënë: Gëzohuni bashkë me mua, se gjeta dhrahminë që humba.
- Kështu, po ju them juve, bëhet gëzim përpara engjëjve të Perëndisë për një mëkatar që pendohet.
- Përsëri tha: Një njeri kishte dy bij.
- Edhe më i vogli nga ata i tha të atit: Atë, jepmë pjesën e pasurisë që më takon të marr. Edhe ai ua ndau pasurinë.
- Edhe pas pak ditësh më i vogli mblodhi gjithë ç’pati, e iku në dhe të huaj në një vend të largët; dhe atje shpërndau pasurinë e tij duke shkuar jetë plangprishësi.
- Edhe si i prishi ai të gjitha, u bë një zi e madhe në atë vend, dhe ai zuri të mos kishte më.
- Atëherë shkoi e u ngjit pas një qytetari të atij vendi; dhe ky e dërgoi në arat e tij të kulloste derra.
- Edhe dëshironte të mbushte barkun e tij me lendet që hanin derrat; po askush nuk i jepte.
- Edhe si erdhi në vete, tha: Sa punëtorëve të tim eti u tepron bukë e unë po humbas nga uria!
- Do të ngrihem e do të shkoj tek im atë, dhe do t’i them: O atë, mëkatova në qiell dhe përpara teje,
- edhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më bëj si një nga punëtorët e tu.
- Edhe u ngrit e erdhi tek i ati. Edhe kur ai ishte ende larg, i ati e pa dhe i erdhi keq, dhe u sul dhe e përqafoi atë, dhe e puthi.
- Edhe i biri i tha: O atë, mëkatova në qiell dhe përpara teje, dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt.
- Po i ati u tha shërbëtorëve të tij: Nxirrni jashtë stolinë e parë dhe vishjani, dhe i vini unazë në dorë dhe këpucë në këmbët.
- Edhe sillni viçin e ushqyer dhe thereni, edhe le të hamë e të gëzohemi.
- Sepse ky biri im qe i vdekur, e u ngjall përsëri; dhe qe i humbur, e u gjet. Edhe zunë të gëzoheshin.
- Edhe djali më i madh ishte në arë; dhe kur erdhi e u afrua në shtëpi, dëgjoi këngë e valle.
- Edhe thirri një nga shërbëtorët dhe e pyeste: Ç’janë këto.
- Edhe ai i tha se ka ardhur yt vëlla, dhe yt atë theri viçin e ushqyer, sepse e priti të shëndoshë.
- Edhe ai u zemërua dhe nuk donte të hynte brenda. I ati pra doli, e i lutej.
- Edhe ai u përgjigj e i tha të atit: Ja tek po të shërbej kaq vjet, dhe kurrë nuk dola nga urdhëri yt; dhe kurrë nuk më dhe një kec, që të gëzohem bashkë me miqtë e mi.
- Po kur erdhi ky yt bir që hëngri pasurinë bashkë me të përdalat, i there viçin e ushqyer.
- Edhe ai i tha: O djalë, ti je përherë bashkë me mua, dhe gjithë të miat janë të tuat.
- Edhe duhej të gëzoheshim e të ngazëlloheshim, sepse ky yt vëlla qe i vdekur, e u ngjall përsëri; dhe qe i humbur, e u gjet.





