AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Llukai 14

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait
Share

Llukai 14

  1. Edhe një ditë të shtunë, kur erdhi ai në shtëpinë e një prej të parëve të Farisenjve për të ngrënë bukë, ata ishin duke e vënë re atë.
  2. Edhe ja një njeri i sëmurë me hidropizi tek ishte përpara tij.
  3. Edhe Jisui u përgjigj e u tha mësuesve të ligjit dhe Farisenjve, duke thënë: A është e udhës të shërojë njeriu ditën e shtunë?
  4. Edhe ata nuk bënë zë. Atëherë ai e zuri dhe e shëroi, dhe e lëshoi.
  5. Pastaj u përgjigj e u tha atyre: Kujt prej jush, po t’i bjerë gomari a kau në pus, dhe nuk e nxjerr menjëherë ditën e shtunë?
  6. Edhe ata nuk mundën t’i përgjigjeshin për këto fjalë.
  7. Edhe atyre që ishin ftuar u thoshte një paravoli, - sepse vinte re, - si zgjidhnin vendet e para, duke u thënë atyre:
  8. Kur të ftohesh nga ndonjë në dasmë, mos rri në krye të tryezës, se mos është ftuar prej atij ndonjë tjetër më i nderuar se ti,
  9. edhe vjen ai që të ka ftuar ty dhe atë, e të thotë: Lëri vendin këtij. Dhe atëherë do të zësh me turp të rrish në vendin e fundit.
  10. Po kur të ftohesh, shko e rri në vendin e fundit, që, kur të vijë ai që të ka ftuar, të të thotë: Mik, ngjitu më sipër. Atëherë do të jetë lavdërim për ty përpara atyre që rrinë në tryezë bashkë me ty.
  11. Sepse kushdo që ngre lart veten e tij do të përulet, dhe ai që përul veten e tij do të ngrihet lart.
  12. I thoshte edhe atij që e kishte ftuar: Kur të bësh drekë a darkë, mos thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as njerëzit e tu, as fqinjë të pasur; se mos të thërresin prapë dhe ata, dhe të bëhet shpagim ty.
  13. Po kur të bësh gosti, thirr të varfër, të paralizuar, të çalë, të verbër.
  14. Edhe do të jesh i lumtur, sepse ata nuk kanë të ta shpaguajnë; dhe do të të shpaguhet në ngjalljen e të drejtëve.
  15. Edhe një nga ata që kishin ndenjur bashkë në tryezë, kur dëgjoi këto fjalë, i tha: Lum ai që të hajë bukë në mbretërinë e Perëndisë.
  16. Edhe ai i tha atij: Një njeri bëri një darkë të madhe dhe ftoi shumë.
  17. Edhe në kohën e darkës dërgoi shërbëtorin e tij që t’u thoshte atyre që ishin ftuar. Ejani, se tani të gjitha janë gati.
  18. Por të gjithë zunë si prej një mendjeje të hiqeshin mënjanë. I pari i tha: Bleva një arë dhe kam nevojë të dal e ta shoh; të lutem të më kesh të hequr nga darka.
  19. Edhe një tjetër tha: Bleva pesë pendë qe dhe po shkoj t’i provoj; të lutem, të më kesh të hequr nga darka.
  20. Edhe një tjetër tha: Mora grua dhe prandaj nuk mund të vij.
  21. Edhe ai shërbëtori erdhi dhe ia tregoi të zotit këto. Atëherë i zoti i shtëpisë u zemërua, e i tha shërbëtorit të tij: Dil shpejt nëpër rrugët e nëpër udhët e qytetit, dhe sill këtu brenda të varfërit e të paralizuarit e të çalët e të verbërit.
  22. Edhe shërbëtori tha: Zotni, u bë siç urdhërove, po ende ka vend.
  23. Edhe zotëria i tha shërbëtorit: Dil nëpër udhët e nëpër gardhet dhe nxiti të hyjnë, që të mbushet shtëpia ime.
  24. Sepse po ju them juve, se asnjë nga ata njerëzit që qenë ftuar nuk do të provojë darkën time.
  25. Edhe turma të shumta shkonin bashkë me të; dhe ai u kthye e u tha atyre:
  26. Në ardhtë ndonjë tek unë dhe nuk mërzit të atin e të ëmën e gruan e djemtë e vëllezërit e motrat, po edhe shpirtin e tij, nuk mund të jetë nxënësi im.
  27. Edhe ai që nuk mban në krahë kryqin e tij e s’vjen pas meje nuk mund të jetë nxënësi im.
  28. Sepse, cili prej jush do të ndërtojë një pirg, dhe nuk rri më përpara të bëjë llogari sa ka për të prishur, në ka ato që duhen për ta mbaruar atë?
  29. Se mos, si të hedhë themelin e të mos mundë ta mbarojë, gjithë ata që e shohin zënë të qeshin me të,
  30. duke thënë se Ky njeri zuri të ndërtojë, dhe nuk mundi të mbarojë.
  31. Apo cili mbret, duke shkuar të luftojë me tjetër mbret, nuk rri më parë dhe nuk mendohet në është i fortë me dhjetë mijë t’i dalë përpara atij që vjen kundër tij me njëzet mijë?
  32. se në mos, ndërsa ai është ende larg, dërgon lajmës e kërkon paqe.
  33. Kështu pra gjithësecili prej jush që nuk mohon pasurinë e tij, nuk mund të jetë nxënësi im.
  34. Kripa është e mirë; po në u prishtë kripa, me se do të ndreqet.
  35. Nuk është më e vlefshme as për dhe as për pleh; por e hedhin jashtë. Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.