AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Llukai 13

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait
Share

Llukai 13

  1. Edhe në atë kohë ishin atje përpara disa veta duke i treguar atij për Galileasit, gjakun e të cilëve Pilati e përzjeu bashkë me therorët e tyre.
  2. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Pandehni se këta Galileas ishin më fajtorë se gjithë Galileasit e tjerë, sepse pësuan të këtilla punë?
  3. Jo, po ju them juve; po në mos u pendofshi, të gjithë kështu keni për të humbur.
  4. Apo ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra pirgu në Siloam, dhe i vrau, pandehni, se këta ishin fajtorë më tepër se gjithë njerëzit që rrinë në Jerusalem?
  5. Jo, po ju them juve; po në mos u pendofshi, kështu të gjithë keni për të humbur.
  6. Edhe thoshte këtë paravoli: Një njeri kishte mbjellë një dru fiku në vreshtin e tij; dhe erdhi të marrë pemë prej tij, po nuk gjeti.
  7. Edhe i tha vreshtarit: Ja kam tre vjet që vij të marr pemë prej këtij fiku dhe nuk gjej. Preje. Pse të zërë edhe vendin më kot?
  8. Po ai u përgjigj e i tha: Zotni, lëre edhe këtë vit, deri sa të mih rreth tij e t’i shtie pleh.
  9. Edhe në bëftë pemë, lëre; por në mos bëftë, do ta presësh pastaj.
  10. Edhe një të shtunë ishte duke mësuar njerëzit në një sinagogë.
  11. Edhe ja një grua që kishte frymë sëmundjeje tetëmbëdhjetë vjet, dhe ishte kërrusur e nuk mundej fare të ngrihej drejt.
  12. Edhe Jisui kur e pa, e thirri dhe i tha: Grua, je e çliruar prej sëmundjes sate.
  13. Edhe vuri duart mbi të, dhe ajo menjëherë u drejtua, dhe lavdëronte Perëndinë.
  14. Po i pari i sinagogës u përgjigj me zemërim, sepse Jisui ditën e shtunë e shëroi, dhe i thoshte turmës: Gjashtë ditë janë, në të cilat duhet të punoni; ndër këto pra ejani e shërohuni e jo ditën e shtunë.
  15. Zoti pra u përgjigj e i tha: Hipokrit, gjithësecili prej jush ditën e shtunë a nuk zgjidh kaun e tij a gomarin e tij nga grazhdi, edhe e sjell e i jep ujë?
  16. Edhe kjo që është bijë e Abrahamit, të cilën ja tek e pati lidhur satanai tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej prej kësaj lidhjeje ditën e shtunë?
  17. Edhe ndërsa ai po thoshte këto, gjithë ata që i dilnin kundër turpëroheshin; dhe gjithë turma gëzohej për gjithë punët e lavdërueshme që bëheshin prej tij.
  18. Edhe ai thoshte: Me se përngjan mbretëria e Perëndisë? Edhe me se ta përngjaj?
  19. Përngjan me një kokërr sinapi, të cilën e mori një njeri dhe e hodhi në kopshtin e tij; dhe u rrit e u bë dru i madh, dhe zogjtë e qiellit erdhën e bënë çerdhe në degët e tij.
  20. Edhe përsëri tha: Me se ta përngjaj mbretërinë e Perëndisë?
  21. Përngjan me brumë, të cilin e mori një grua dhe e fshehu në tri masa mielli, deri sa u mbrujt i gjithë.
  22. Edhe shkonte nëpër qytete e nëpër fshatra duke mësuar dhe duke udhëtuar për në Jerusalem.
  23. Edhe një njeri i tha: Zot, vallë të pakët janë ata që shpëtojnë?
  24. Edhe ai u tha atyre: Mundohuni të hyni nëpër derën e ngushtë; sepse shumë veta, po ju them juve, do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të mundin.
  25. Pasi të ngrihet i zoti i shtëpisë e të mbyllë derën, atëherë do të filloni të rrini jashtë, e të trokitni në derë, duke thënë: Zot, Zot, na e hap. Dhe ai do të përgjigjet e do t’ju thotë: Nuk e di se nga jeni ju.
  26. Atëherë do të zini të thoni: Hëngrëm e pimë përpara teje dhe mësove nëpër rrugët tona.
  27. Po ai do të thotë: Po ju them juve, nuk e di se nga jeni ju. Ikni prej meje gjithë ju punëtorët e paudhësisë.
  28. Atje do të jetë të qarët e kërcëllitja e dhëmbëve, kur të shihni Abrahamin e Isakun e Jakovin dhe gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, dhe veten tuaj të nxjerrë jashtë.
  29. Edhe do të vijnë nga lindja e nga perëndimi e nga veriu e nga jugu, dhe do të rrinë në mbretërinë e Perëndisë.
  30. Edhe ja tek janë të fundit që do të jenë të parë, dhe të parë që do të jenë të fundit.
  31. Atë ditë erdhën disa Farisenj, duke i thënë atij: Dil e ik së këtejmi, sepse Irodi do të të vrasë.
  32. Edhe ai u tha atyre: Shkoni e i thoni kësaj dhelpre: Ja tek nxjerr djaj dhe bëj shërime sot e nesër, dhe të tretën ditë do të mbaroj. 33 Por unë duhet sot e nesër dhe ditën tjetër të shkoj; sepse nuk ka mundësi që një profet të vdesë jashtë Jerusalemit.
  33. Jerusalem, Jerusalem, që vret profetët dhe rreh me gurë ata që janë dërguar tek ti, sa herë kam dashur të mbledh bijtë e tu, ashtu si pula zogjtë e saj nën krahë, dhe nuk deshët!
  34. Ja shtëpia juaj tek po ju lihet e shkretë. Edhe me të vërtetë po ju them juve, se nuk do të më shihni deri sa të vijë koha, kur të thoni: I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit.