Llukai 13
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait |
Llukai 13
- Edhe në atë kohë ishin atje përpara disa veta duke i treguar atij për Galileasit, gjakun e të cilëve Pilati e përzjeu bashkë me therorët e tyre.
- Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Pandehni se këta Galileas ishin më fajtorë se gjithë Galileasit e tjerë, sepse pësuan të këtilla punë?
- Jo, po ju them juve; po në mos u pendofshi, të gjithë kështu keni për të humbur.
- Apo ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra pirgu në Siloam, dhe i vrau, pandehni, se këta ishin fajtorë më tepër se gjithë njerëzit që rrinë në Jerusalem?
- Jo, po ju them juve; po në mos u pendofshi, kështu të gjithë keni për të humbur.
- Edhe thoshte këtë paravoli: Një njeri kishte mbjellë një dru fiku në vreshtin e tij; dhe erdhi të marrë pemë prej tij, po nuk gjeti.
- Edhe i tha vreshtarit: Ja kam tre vjet që vij të marr pemë prej këtij fiku dhe nuk gjej. Preje. Pse të zërë edhe vendin më kot?
- Po ai u përgjigj e i tha: Zotni, lëre edhe këtë vit, deri sa të mih rreth tij e t’i shtie pleh.
- Edhe në bëftë pemë, lëre; por në mos bëftë, do ta presësh pastaj.
- Edhe një të shtunë ishte duke mësuar njerëzit në një sinagogë.
- Edhe ja një grua që kishte frymë sëmundjeje tetëmbëdhjetë vjet, dhe ishte kërrusur e nuk mundej fare të ngrihej drejt.
- Edhe Jisui kur e pa, e thirri dhe i tha: Grua, je e çliruar prej sëmundjes sate.
- Edhe vuri duart mbi të, dhe ajo menjëherë u drejtua, dhe lavdëronte Perëndinë.
- Po i pari i sinagogës u përgjigj me zemërim, sepse Jisui ditën e shtunë e shëroi, dhe i thoshte turmës: Gjashtë ditë janë, në të cilat duhet të punoni; ndër këto pra ejani e shërohuni e jo ditën e shtunë.
- Zoti pra u përgjigj e i tha: Hipokrit, gjithësecili prej jush ditën e shtunë a nuk zgjidh kaun e tij a gomarin e tij nga grazhdi, edhe e sjell e i jep ujë?
- Edhe kjo që është bijë e Abrahamit, të cilën ja tek e pati lidhur satanai tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej prej kësaj lidhjeje ditën e shtunë?
- Edhe ndërsa ai po thoshte këto, gjithë ata që i dilnin kundër turpëroheshin; dhe gjithë turma gëzohej për gjithë punët e lavdërueshme që bëheshin prej tij.
- Edhe ai thoshte: Me se përngjan mbretëria e Perëndisë? Edhe me se ta përngjaj?
- Përngjan me një kokërr sinapi, të cilën e mori një njeri dhe e hodhi në kopshtin e tij; dhe u rrit e u bë dru i madh, dhe zogjtë e qiellit erdhën e bënë çerdhe në degët e tij.
- Edhe përsëri tha: Me se ta përngjaj mbretërinë e Perëndisë?
- Përngjan me brumë, të cilin e mori një grua dhe e fshehu në tri masa mielli, deri sa u mbrujt i gjithë.
- Edhe shkonte nëpër qytete e nëpër fshatra duke mësuar dhe duke udhëtuar për në Jerusalem.
- Edhe një njeri i tha: Zot, vallë të pakët janë ata që shpëtojnë?
- Edhe ai u tha atyre: Mundohuni të hyni nëpër derën e ngushtë; sepse shumë veta, po ju them juve, do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të mundin.
- Pasi të ngrihet i zoti i shtëpisë e të mbyllë derën, atëherë do të filloni të rrini jashtë, e të trokitni në derë, duke thënë: Zot, Zot, na e hap. Dhe ai do të përgjigjet e do t’ju thotë: Nuk e di se nga jeni ju.
- Atëherë do të zini të thoni: Hëngrëm e pimë përpara teje dhe mësove nëpër rrugët tona.
- Po ai do të thotë: Po ju them juve, nuk e di se nga jeni ju. Ikni prej meje gjithë ju punëtorët e paudhësisë.
- Atje do të jetë të qarët e kërcëllitja e dhëmbëve, kur të shihni Abrahamin e Isakun e Jakovin dhe gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, dhe veten tuaj të nxjerrë jashtë.
- Edhe do të vijnë nga lindja e nga perëndimi e nga veriu e nga jugu, dhe do të rrinë në mbretërinë e Perëndisë.
- Edhe ja tek janë të fundit që do të jenë të parë, dhe të parë që do të jenë të fundit.
- Atë ditë erdhën disa Farisenj, duke i thënë atij: Dil e ik së këtejmi, sepse Irodi do të të vrasë.
- Edhe ai u tha atyre: Shkoni e i thoni kësaj dhelpre: Ja tek nxjerr djaj dhe bëj shërime sot e nesër, dhe të tretën ditë do të mbaroj. 33 Por unë duhet sot e nesër dhe ditën tjetër të shkoj; sepse nuk ka mundësi që një profet të vdesë jashtë Jerusalemit.
- Jerusalem, Jerusalem, që vret profetët dhe rreh me gurë ata që janë dërguar tek ti, sa herë kam dashur të mbledh bijtë e tu, ashtu si pula zogjtë e saj nën krahë, dhe nuk deshët!
- Ja shtëpia juaj tek po ju lihet e shkretë. Edhe me të vërtetë po ju them juve, se nuk do të më shihni deri sa të vijë koha, kur të thoni: I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit.





