AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Llukai 11

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait
Share

Llukai 11

    1. Edhe ndërsa ai po falej në një vend, si pushoi, një nga nxënësit e tij i tha: Mësona të falemi, si dhe Joani nxënësit e tij.
    2. Edhe ai u tha atyre, kur të faleni, thoni: Ati ynë që je në qiejt, u shenjtëroftë emri yt; ardhtë mbretëria jote; u bëftë dëshira jote, si në qiell, ashtu edhe mbi dhe.
    3. Bukën tonë të përditshme jepna neve sot;
    4. dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë; dhe mos na shtjer në ngasje, po shpëtona nga i ligu.
    5. Pastaj u tha atyre: Cili prej jush, në pastë një mik, dhe të shkojë tek ai në mes të natës, e t’i thotë: Mik, huajmë tri bukë,
    6. sepse erdhi një miku im prej udhe tek unë, dhe s’kam ç’t’i vë përpara.
    7. Edhe ai të përgjigjet që brenda e t’i thotë: Mos më vë në mundim. Dera tani është mbyllur dhe fëmijët e mi janë në shtrat bashkë me mua. S’mund të ngrihem e të t’i jap?
    8. Po ju them juve, edhe nëse nuk ngrihet e t’ia japë se është miku i tij, për paturpësinë e tij do të ngrihet e do t’i japë sa i duhen.
    9. Edhe unë po ju them juve: Lypni, dhe do t’ju jepet juve; kërkoni, dhe do të gjeni; trokitni, dhe do t’ju hapet.
    10. Sepse kushdo që lyp merr; dhe ai që kërkon gjen; dhe atij që troket do t’i hapet.
    11. Edhe nëse është ndonjë prej jush atë, dhe në i kërkoftë i biri bukë, mos do t’i japë gur? Apo në i lyptë peshk, mos do t’i japë gjarpër në vend të peshkut?
    12. Apo në i kërkoftë vezë, mos do t’i japë akrep?
    13. Nëse ju pra, që jeni të ligj, dini t’u jepni bijve tuaj dhurata të mira, sa më tepër, Ati nga qielli do t’u japë Shpirt të Shenjtë atyre që të lypin prej tij?
    14. Edhe Jisui ishte duke nxjerrë një djall, dhe ai ishte i shurdhër; dhe kur doli djalli, i shurdhri foli; dhe turmat u çuditën.
    15. Po disa nga ata thanë, se i nxjerr djajtë me anë të Velzevulit, të parit të djajve.
    16. Edhe ca të tjerë duke e ngarë atë, kërkonin prej tij shenjë nga qielli.
    17. Po ai, si kuptoi mendimet e tyre, u tha: çdo mbretëri që ndahet kundër vetes së saj, shkretohet; dhe një shtëpi, që ndahet kundër vetes së saj, rrëzohet.
    18. Edhe Satanai pra, në qoftë se u nda kundër vetes së tij, si do të qëndrojë mbretëria e tij? Sepse thoni se unë i nxjerr djajtë me anë të Velzevulit.
    19. Edhe në i nxjerr unë djajtë me anë të Velzevulit, bijtë tuaj me anë të cilit i nxjerrin? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.
    20. Por nëse i nxjerr unë djajtë me gishtin e Perëndisë, pa fjalë mbretëria e Perëndisë arriti tek ju.
    21. Kur i forti ruan i armatosur avllinë e tij, gjithë pasuria e tij është në paqe.
    22. Po kur vjen një më i fortë se ai, e mund, i merr gjithë armët e tij, në të cilat shpresonte, dhe ndan plaçkat e tij,
    23. Kush nuk është me mua, është kundër meje; dhe kush nuk mbledh bashkë me mua, shpërndan.
    24. Fryma e ndyrë, kur del prej njeriut, shkon nëpër vende të thata, pa ujë, dhe kërkon prehje; dhe duke mos gjetur, thotë: Le të kthehem në shtëpinë time, prej së cilës dola.
    25. Edhe kur vjen, e gjen të fshirë e të stolisur.
    26. Atëherë shkon e merr me vete shtatë frymë të tjera më të këqija se veten e saj, dhe hyjnë e rrinë atje; dhe gjendja e mëpasme të atij njeriu bëhet më e keqe se e para.
    27. Edhe kur ai po thoshte këto, një grua prej turmës ngriti zërin e i tha: Lum barku që të ka mbajtur, dhe gjinjtë që ke thithur.
    28. Po ky tha: Lum më tepër ata që dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë.
    29. Edhe ndërsa po mblidhej turma, zuri të thotë: Ky brez është i keq; shenjë kërkon dhe shenjë nuk do t’i jepet përveç shenjës së profetit Jona.
    30. Sepse sikurse Jonai u bë shenjë në Ninevitët, kështu edhe Biri i njeriut do të jetë në këtë brez.
    31. Mbretëresha e jugut do të ngrihet në ditët e gjyqit bashkë me njerëzit e këtij brezi, dhe do t’i dënojë; sepse erdhi nga anët e fundit të dheut që të dëgjojë urtësinë e Solomonit; dhe ja këtu ka më tepër se Solomon.
    32. Burrat e Ninevisë do të ngjallen në gjyq bashkë me këtë brez, dhe do ta dënojnë; sepse u penduan në predikimin e Jonait; dhe ja këtu ka më tepër se Jonà.
    33. Edhe asnjë, kur ndez kandil nuk e vë në vend të fshehur, as nën shinik, po e vë mbi kandilmbajtëse, që të shohin dritën ata që hyjnë brenda.
    34. Kandili i trupit është syri; syri yt pra kur është i pastër, edhe gjithë trupi yt është i ndritur; po kur është i keq, edhe trupi yt është i errët.
    35. Vështro pra që drita që është tek ti të mos jetë errësirë.
    36. Në qoftë pra gjithë trupi yt i ndritur, pa pasur ndonjë anë të errët, do të jetë i tëri i ndritur, si kandili kur të ndrit me dritën e tij të fortë.
    37. Edhe si foli këto, një Farise i lutej atij të shkojë për drekë tek ai; dhe ai hyri e ndenji në tryezë.
    38. Edhe Fariseu u çudit, kur pa, se nuk u la përpara drekës.
    39. Edhe Zoti i tha: Tani ju Farisenjtë pastroni anën e jashtme të gotës e të pjatës; po e brendshmja juaj është plot me rrëmbim e me të keq.
    40. Të marrë, ai që bëri të jashtmen, a nuk bëri edhe të brendshmen?
    41. Veç jepni lëmoshë gjënë tuaj, dhe ja të gjitha tek janë të pastra te ju.
    42. Po mjerë ju Farisenjtë! Sepse jepni të dhjetën e mendrës e të rigonit e të çdo lakre, dhe lini mënjanë gjyqin e dashurinë e Perëndisë. Këto duhej t’i bënit, dhe ato të mos i linit.
    43. Mjerë ju Farisenjtë! Sepse doni vendin e parë nëpër sinagogat dhe përshëndetjet nëpër tregjet.
    44. Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, se jeni si varret që s’duken, dhe njerëzit që ecin përsipër nuk e dinë.
    45. Edhe një nga mësuesit e ligjit u përgjigj e i tha: Mësues, duke thënë këto na shan edhe ne.
    46. Edhe ai tha: Mjerë edhe ju mësuesit e ligjit! Sepse ngarkoni njerëzit me pesha të rënda që s’mbahen, dhe ju as me njërin prej gishtave tuaj nuk i prekni peshat.
    47. Mjerë ju! Sepse ndërtoni varret e profetëve, dhe etërit tuaj i vranë.
    48. Me të vërtetë dëshmoni dhe pëlqeni punët e etërve tuaj; sepse ata i vranë, dhe ju ndërtoni varret e tyre.
    49. Prandaj edhe urtësia e Perëndisë tha: Do të dërgoj tek ata profetë e apostuj, dhe disa prej tyre do t’i vrasin e do t’i përndjekin,
    50. që të kërkohet prej këtij brezi gjaku i gjithë profetëve që është derdhur që kur se është ngritur bota,
    51. që nga gjaku i Abelit deri në gjakun e Zaharisë, i cili u vra në mes të therores e të tempullit. Po, po ju them juve, do të kërkohet prej këtij brezi.
    52. Mjerë ju mësuesit e ligjit! Sepse ngritët çelësin e dijes. Ju nuk hytë, por dhe ata që donin të hynin i ndaluat.
    53. Edhe ndërsa ai u thoshte atyre këto, shkruesit e Farisenjtë zunë ta ndiznin tepër, dhe ta shtrëngonin të fliste për shumë gjëra.
    54. Sepse kishin ngritur lak për atë, dhe kërkonin të rrëmbenin ndonjë fjalë prej gojës së tij, që ta akuzojnë