AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Llukai 10

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait
Share

Llukai 10

  1. Edhe pastaj Zoti vuri edhe shtatëdhjetë nxënës të tjerë dhe i dërgoi dy nga dy përpara tij në çdo qytet e vend, ku kishte për të shkuar ai.
  2. U thoshte atyre pra: Të korrat janë të shumta, po punëtorët të paktë; lutjuni pra të zotit të të korrave të nxjerrë punëtorë për të korrat e tij.
  3. Shkoni; ja unë tek po ju dërgoj ju si shqerra në mes të ujqërve.
  4. Mos mbani kuletë, as trastë, as këpucë; dhe asnjë mos përshëndetni udhës.
  5. Edhe në atë shtëpi që të hyni, më përpara thoni: Paqe në këtë shtëpi.
  6. Edhe në qoftë atje bir paqeje, paqja juaj do të prehet në të; në mos, do të kthehet tek ju.
  7. Edhe qëndroni në atë shtëpi duke ngrënë e duke pirë nga ato që t’ju japin ata; sepse punëtori është i denjë për pagën e tij, mos shkoni prej shtëpie në shtëpi.
  8. Edhe në atë qytet që të hyni dhe t’ju presin, hani ato që t’ju vënë përpara,
  9. edhe shëroni të sëmurët që gjenden në të, dhe u thoni atyre: Mbretëria e Perëndisë u afrua tek ju.
  10. Por në atë qytet që të hyni, dhe të mos ju presin, kur të dilni nëpër rrugët e tij thoni:
  11. Ju shkundëm juve edhe pluhurin që na u ngjit prej qytetit tuaj; po këtë të dini, se mbretëria e Perëndisë u afrua tek ju.
  12. Edhe po ju them juve, se në atë ditë më i durueshëm do të jetë mundimi në Sodomë, se në atë qytet.
  13. Mjerë ti Horazin! Mjerë ti Betsaida! Sepse po të ishin bërë në Tir e në Sidonë ato çudira që u bënë tek ju, qëkur do të ishin penduar duke ndenjur në thes e në hi.
  14. Po në Tir e në Sidonë më i durueshëm do të jetë mundimi në ditët e gjyqit se tek ju.
  15. Edhe ti Kapernaum, që u lartësove deri në qiell, do të zbresësh deri në had.
  16. Ai që ju dëgjon ju, më dëgjon mua; dhe ai që nuk ju zë për gjë ju, nuk më zë për gjë mua; dhe ai që nuk më zë për gjë mua, nuk zë për gjë atë që më ka dërguar mua.
  17. Edhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim, duke thënë: Zot, edhe djajtë na dëgjojnë në emrin tënd.
  18. Edhe ai u tha atyre: Vështroja Satanain duke rënë nga qielli si vetëtimë.
  19. Ja tek po ju jap juve pushtet që të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë, dhe mbi gjithë fuqinë e armikut; dhe asgjë s’ ka për t’ju bërë keq juve.
  20. Po mos u gëzoni për këtë, se ju dëgjojnë ju frymët e ndyra; por gëzohuni më tepër se emrat tuaj u shkruan në qiejt.
  21. Edhe në atë orë Jisui u gëzua në shpirt, dhe tha: Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i dheut, se i fshehe këto nga të diturit e nga të mençurit dhe ua zbulove foshnjave. Po, o Atë, se kështu u pëlqye përpara teje.
  22. Të gjitha m’u dhanë në dorë prej Atit tim; dhe asnjë nuk di cili është Biri, veç Ati; dhe cili është Ati, veç Biri, dhe ai, të cilit të dojë biri t’ia zbulojë.
  23. Edhe u kthye tek nxënësit, e u tha veçan: Lum ata sy që shohin këto që shihni ju.
  24. Sepse po ju them juve, se shumë profetë e mbretër deshën të shihnin ato që shihni ju, po nuk i panë; dhe të dëgjonin ato që dëgjoni ju, po nuk i dëgjuan.
  25. Edhe ja tek u ngrit një mësues ligji, duke e ngarë atë, e duke thënë: Mësues, ç’të bëj, që të trashëgoj jetën e përjetshme?
  26. Edhe ai i tha, Ç’është shkruar në ligj; si lexon?
  27. Edhe ai u përgjigj e tha: “Të duash Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë fuqinë tënde dhe me gjithë mendjen tënde” edhe “të afërmin tënd posi veten tënde”.
  28. Edhe ai i tha: U përgjigje drejt; bëj këtë, dhe do të rrosh.
  29. Po ai, duke dashur të nxjerrë veten e tij të drejtë, i tha Jisuit: E cili më është i afërm?
  30. Edhe Jisui u përgjigj e tha: Një njeri zbriste nga Jerusalemi në Jeriko dhe ra në duar kusarësh, të cilët si e zhveshën dhe e bënë me plagë, ikën dhe e lanë gjysmë të vdekur.
  31. Edhe qëlloi të shkojë asaj udhe një prift; dhe kur e pa atë, shkoi nga ana tjetër.
  32. Kështu edhe një Levit, sa arriti në atë vend, erdhi e pa, dhe shkoi nga ana tjetër.
  33. Po një Samaritan, duke udhëtuar, erdhi në vendin ku ishte ai, dhe kur e pa, iu dhimbs,
  34. edhe erdhi pranë e i lidhi plagët, duke derdhur mbi to vaj e verë, dhe e hipi në kafshën e tij, dhe e solli në një bujtinë, e u kujdes për të.
  35. Edhe të nesërmen kur do të dilte, nxori dy dinarë e ia dha bujtinarit, dhe i tha: Kujdesu për këtë njeri; dhe ç’të prishësh më tepër, unë, kur të kthehem, do të t’i jap.
  36. Cili nga këta të tre të duket se u bë i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?
  37. Edhe ai i tha: Ai që bëri përdëllim për të. Jisuj pra i tha: Shko edhe ti bëj kështu.
  38. Edhe kur ata po shkonin, ai hyri në një fshat; dhe një grua që e kishte emrin Marta, e priti atë në shtëpinë e saj.
  39. Edhe ajo kishte një motër që quhej Maria, e cila ndenji pranë këmbëve të Jisuit dhe dëgjonte fjalën e tij.
  40. Edhe Marta mundohej shumë duke shërbyer; dhe pastaj erdhi përpara tij, e tha: Zot, A nuk do të dish se ime motër më la vetëm të shërbej? Thuaji pra asaj të më ndihmojë.
  41. Edhe Jisui u përgjigj e i tha asaj: Marta, Marta, përpiqesh e mundohesh për shumë punë.
  42. Po për një është nevoja, dhe Maria zgjodhi pjesën e mirë, e cila nuk do të merret prej saj.