Llukai 10
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait |
Llukai 10
- Edhe pastaj Zoti vuri edhe shtatëdhjetë nxënës të tjerë dhe i dërgoi dy nga dy përpara tij në çdo qytet e vend, ku kishte për të shkuar ai.
- U thoshte atyre pra: Të korrat janë të shumta, po punëtorët të paktë; lutjuni pra të zotit të të korrave të nxjerrë punëtorë për të korrat e tij.
- Shkoni; ja unë tek po ju dërgoj ju si shqerra në mes të ujqërve.
- Mos mbani kuletë, as trastë, as këpucë; dhe asnjë mos përshëndetni udhës.
- Edhe në atë shtëpi që të hyni, më përpara thoni: Paqe në këtë shtëpi.
- Edhe në qoftë atje bir paqeje, paqja juaj do të prehet në të; në mos, do të kthehet tek ju.
- Edhe qëndroni në atë shtëpi duke ngrënë e duke pirë nga ato që t’ju japin ata; sepse punëtori është i denjë për pagën e tij, mos shkoni prej shtëpie në shtëpi.
- Edhe në atë qytet që të hyni dhe t’ju presin, hani ato që t’ju vënë përpara,
- edhe shëroni të sëmurët që gjenden në të, dhe u thoni atyre: Mbretëria e Perëndisë u afrua tek ju.
- Por në atë qytet që të hyni, dhe të mos ju presin, kur të dilni nëpër rrugët e tij thoni:
- Ju shkundëm juve edhe pluhurin që na u ngjit prej qytetit tuaj; po këtë të dini, se mbretëria e Perëndisë u afrua tek ju.
- Edhe po ju them juve, se në atë ditë më i durueshëm do të jetë mundimi në Sodomë, se në atë qytet.
- Mjerë ti Horazin! Mjerë ti Betsaida! Sepse po të ishin bërë në Tir e në Sidonë ato çudira që u bënë tek ju, qëkur do të ishin penduar duke ndenjur në thes e në hi.
- Po në Tir e në Sidonë më i durueshëm do të jetë mundimi në ditët e gjyqit se tek ju.
- Edhe ti Kapernaum, që u lartësove deri në qiell, do të zbresësh deri në had.
- Ai që ju dëgjon ju, më dëgjon mua; dhe ai që nuk ju zë për gjë ju, nuk më zë për gjë mua; dhe ai që nuk më zë për gjë mua, nuk zë për gjë atë që më ka dërguar mua.
- Edhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim, duke thënë: Zot, edhe djajtë na dëgjojnë në emrin tënd.
- Edhe ai u tha atyre: Vështroja Satanain duke rënë nga qielli si vetëtimë.
- Ja tek po ju jap juve pushtet që të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë, dhe mbi gjithë fuqinë e armikut; dhe asgjë s’ ka për t’ju bërë keq juve.
- Po mos u gëzoni për këtë, se ju dëgjojnë ju frymët e ndyra; por gëzohuni më tepër se emrat tuaj u shkruan në qiejt.
- Edhe në atë orë Jisui u gëzua në shpirt, dhe tha: Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i dheut, se i fshehe këto nga të diturit e nga të mençurit dhe ua zbulove foshnjave. Po, o Atë, se kështu u pëlqye përpara teje.
- Të gjitha m’u dhanë në dorë prej Atit tim; dhe asnjë nuk di cili është Biri, veç Ati; dhe cili është Ati, veç Biri, dhe ai, të cilit të dojë biri t’ia zbulojë.
- Edhe u kthye tek nxënësit, e u tha veçan: Lum ata sy që shohin këto që shihni ju.
- Sepse po ju them juve, se shumë profetë e mbretër deshën të shihnin ato që shihni ju, po nuk i panë; dhe të dëgjonin ato që dëgjoni ju, po nuk i dëgjuan.
- Edhe ja tek u ngrit një mësues ligji, duke e ngarë atë, e duke thënë: Mësues, ç’të bëj, që të trashëgoj jetën e përjetshme?
- Edhe ai i tha, Ç’është shkruar në ligj; si lexon?
- Edhe ai u përgjigj e tha: “Të duash Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë fuqinë tënde dhe me gjithë mendjen tënde” edhe “të afërmin tënd posi veten tënde”.
- Edhe ai i tha: U përgjigje drejt; bëj këtë, dhe do të rrosh.
- Po ai, duke dashur të nxjerrë veten e tij të drejtë, i tha Jisuit: E cili më është i afërm?
- Edhe Jisui u përgjigj e tha: Një njeri zbriste nga Jerusalemi në Jeriko dhe ra në duar kusarësh, të cilët si e zhveshën dhe e bënë me plagë, ikën dhe e lanë gjysmë të vdekur.
- Edhe qëlloi të shkojë asaj udhe një prift; dhe kur e pa atë, shkoi nga ana tjetër.
- Kështu edhe një Levit, sa arriti në atë vend, erdhi e pa, dhe shkoi nga ana tjetër.
- Po një Samaritan, duke udhëtuar, erdhi në vendin ku ishte ai, dhe kur e pa, iu dhimbs,
- edhe erdhi pranë e i lidhi plagët, duke derdhur mbi to vaj e verë, dhe e hipi në kafshën e tij, dhe e solli në një bujtinë, e u kujdes për të.
- Edhe të nesërmen kur do të dilte, nxori dy dinarë e ia dha bujtinarit, dhe i tha: Kujdesu për këtë njeri; dhe ç’të prishësh më tepër, unë, kur të kthehem, do të t’i jap.
- Cili nga këta të tre të duket se u bë i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?
- Edhe ai i tha: Ai që bëri përdëllim për të. Jisuj pra i tha: Shko edhe ti bëj kështu.
- Edhe kur ata po shkonin, ai hyri në një fshat; dhe një grua që e kishte emrin Marta, e priti atë në shtëpinë e saj.
- Edhe ajo kishte një motër që quhej Maria, e cila ndenji pranë këmbëve të Jisuit dhe dëgjonte fjalën e tij.
- Edhe Marta mundohej shumë duke shërbyer; dhe pastaj erdhi përpara tij, e tha: Zot, A nuk do të dish se ime motër më la vetëm të shërbej? Thuaji pra asaj të më ndihmojë.
- Edhe Jisui u përgjigj e i tha asaj: Marta, Marta, përpiqesh e mundohesh për shumë punë.
- Po për një është nevoja, dhe Maria zgjodhi pjesën e mirë, e cila nuk do të merret prej saj.





