AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Llukai 9

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait
Share

Llukai 9

  1. Edhe Jisui, si thirri pranë të dymbëdhjetë nxënësit e tij, u dha fuqi e pushtet mbi gjithë djajtë, dhe të shëronin sëmundje.
  2. Edhe i dërgoi që të predikonin mbretërinë e Perëndisë e të shëronin të sëmurët.
  3. Edhe u tha atyre: Mos mbani gjë udhës, as bastunë, as trastë, as bukë, as argjend, as të mos keni nga dy palë rroba.
  4. Edhe në atë shtëpi që të hyni, qëndroni atje, dhe dilni prej andej.
  5. Edhe sa vetave të mos ju presin, kur të dilni prej atij qyteti, shkunduni edhe pluhurin prej këmbëve tuaja, për dëshmi kundër tyre.
  6. Edhe ata, si dolën, shkonin fshatrave, duke dhënë lajmin e mirë, e duke shëruar kudo.
  7. Edhe Irod tetrarku dëgjoi gjithë ato që bëheshin prej atij; dhe mahnitej, sepse disa thoshin se Joani është ngjallur prej së vdekurish.
  8. Edhe disa thoshin, se Ilia u duk; dhe të tjerë, se është ngjallur ndonjë prej profetëve të moçëm.
  9. Edhe Irodi tha: Joanit unë i preva kryet; po ky, për të cilin dëgjoj të këtilla punë, cili është? Edhe kërkonte ta shihte.
  10. Edhe apostujt si u kthyen, i treguan Jisuit gjithë sa bënë; dhe ai i mori me vete dhe u tërhoq veçan në një vend të shkretë të një qyteti që quhej Betsaida.
  11. Edhe turmat kur e kuptuan, i shkuan pas; dhe ai si i priti, u fliste për mbretërinë e Perëndisë, dhe ata që kishin nevojë shërimi i shëronte.
  12. Edhe dita zuri të thyhej; dhe të dymbëdhjetët erdhën pranë e i thanë: Lësho turmën të shkojnë nëpër fshatrat e nëpër arat për rreth, dhe të rrinë e të gjejnë ushqime; sepse këtu jemi në vend të shkretë.
  13. Po ai u tha: Jepuni ju atyre të hanë. Edhe ata thanë: Tek ne nuk gjenden më tepër se pesë bukë e dy peshq; veç në shkofshim ne të blejmë ushqime për gjithë këtë popull.
  14. Sepse ishin rreth pesë mijë burra. Edhe ai u tha nxënësve të tij: Vërini ata të rrinë togje-togje nga pesëdhjetë.
  15. Edhe ata bënë kështu, dhe i vunë të gjithë të rrinë.
  16. Edhe ai si mori të pesë bukët e të dy peshqit, ngriti sytë në qiejt dhe i bekoi, e i theu, dhe ua dha nxënësve t’i vënë përpara turmës.
  17. Edhe të gjithë hëngrën e u ngopën; dhe ngritën dymbëdhjetë kofinë me tepricën e copave.
  18. Edhe ndërsa ai falej veças, nxënësit ishin bashkë me të; dhe i pyeti, duke thënë: Cili thonë turmat se jam unë?
  19. Edhe ata u përgjigjën e thanë: Joan pagëzori; dhe të tjerë: Ilia; dhe të tjerë, se është ngjallur ndonjë prej profetëve të moçëm.
  20. Edhe ai u tha atyre: Po ju cili thoni se jam unë? Edhe Pjetri u përgjigj e tha: Krishti i Perëndisë.
  21. Edhe ai i qortoi e i porositi të mos ia thonë njeriu këtë,
  22. duke thënë se i Biri i njeriut duhet të heqë shumë dhe nuk do të pëlqehet nga pleqtë dhe nga kryepriftërinjtë e nga shkruesit, dhe do të vritet, dhe të tretën ditë do të ngjallet.
  23. Pastaj u thoshte të gjithëve: Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij dhe le të ngrerë kryqin e tij përditë dhe le të vijë pas meje.
  24. Sepse kush të dojë të shpëtojë jetën e tij, do ta humbë; dhe kush të humbë jetën e tij për mua, ky do ta shpëtojë.
  25. Sepse ç’dobi ka njeriu, në fitoftë gjithë botën e të humbë veten e tij a ta dëmtojë?
  26. Sepse kush të ketë turp për mua dhe për fjalët e mia, edhe i Biri i njeriut do të ketë turp për këtë, kur të vijë në lavdinë e tij e të Atit e të engjëjve të shenjtë.
  27. Edhe po ju them juve me të vërtetë se janë disa prej këtyre që rrinë këtu, të cilët nuk do të provojnë vdekje, deri sa të shohin mbretërinë e Perëndisë.
  28. Edhe pas këtyre fjalëve kaluan rreth tetë ditë, dhe ai mori me vete Pjetrin e Joanin e Jakovin, dhe u ngjit në mal të falej.
  29. Edhe tek falej iu ndërrua pamja e fytyrës së tij dhe rrobat e tij ishin të bardha dhe vetëtinin.
  30. Edhe ja tek po flisnin bashkë me të dy burra, të cilët ishin Moisiu dhe Ilia.
  31. Këta u dukën me lavdi e thoshin për vdekjen e tij që kishte për ta përmbushur në Jerusalem.
  32. Po Pjetri dhe ata që ishin bashkë me të, ishin rënduar nga gjumi; dhe kur u zgjuan, panë lavdinë e tij dhe të dy burrat që rrinin bashkë me të.
  33. Edhe tek ndaheshin ata prej atij, Pjetri i tha Jisuit: Mjeshtër, është mirë të jemi këtu; dhe le të bëjmë tri tenda, një për ty e një për Moisiun e një për Ilian; pa ditur se ç’thoshte.
  34. Edhe ndërsa ai thoshte këto, erdhi një re e i mbuloi me hije; dhe ata u frikësuan, kur hynë në re.
  35. Erdhi një zë nga qielli, duke thënë: Ky është biri im i dashur; dëgjojeni atë.
  36. Edhe me ardhjen e zërit, Jisui u gjend vetëm. Edhe s’bënë zë dhe asnjeriu nuk i thanë ato ditë për ndonjë gjë nga ato që panë.
  37. Edhe ditën tjetër, si zbritën ata nga mali, shumë turmë i doli përpara.
  38. Edhe ja një njeri prej turmës tek bërtiti, duke thënë: Mësues, të lutem, hidh sytë mbi tim bir, se e kam të vetëm.
  39. Edhe ja tek e kap një frymë, dhe bërtet papandehur, dhe e përpjek me shkumë, dhe mezi ndahet prej tij duke e dërrmuar atë.
  40. Edhe iu luta nxënësve të tu, që t’ia nxjerrin, po nuk mundën.
  41. Edhe Jisui u përgjigj e tha: O brez i pabesë e i shtrembër, deri kur do të jem me ju dhe t’ju duroj ju? Sille tët bir këtu.
  42. Edhe ndërsa ai po vinte pranë, djalli e hodhi poshtë dhe e përpoqi. Edhe Jisui e qortoi frymën e ndyrë dhe e shëroi djalin, dhe ia dha prapë të atit.
  43. Edhe të gjithë mahniteshin për madhërinë e Perëndisë. Edhe ndërsa të tërë çuditeshin për gjithë sa bëri Jisui, u tha nxënësve të tij:
  44. Ju vini në veshët tuaj këto fjalë; sepse i Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve.
  45. Po ata nuk e kuptonin këtë fjalë, dhe ishte e fshehur prej tyre që të mos e kuptonin; dhe kishin frikë ta pyetnin për këtë fjalë.
  46. Pastaj hyri një mendim tek ata: Cili vallë nga ata ishte më i madh.
  47. Edhe Jisui, kur pa mendimin e tyre, zuri prej dore një djalë, dhe e vuri pranë vetes së tij.
  48. Edhe u tha atyre: Ai që të presë këtë djalë në emrin tim, mua më ka pritur; dhe ai që të më presë mua, ka pritur atë që më dërgoi mua; sepse ai që është më i vogël ndër gjithë ju, ky do të jetë më i madh.
  49. Edhe Joani u përgjigj e tha: Mjeshtër, pamë një njeri që nxjerr djajtë në emrin tënd; dhe e ndaluam, sepse nuk vjen pas bashkë me ne.
  50. Edhe Jisui i tha: Mos e ndaloni, sepse ai që s’është kundër nesh, është bashkë me ne.
  51. Edhe kur po mbusheshin ditët që do të merrej lart në qiejt atëherë ai hodhi syrin e tij të shkojë në Jerusalem.
  52. Edhe dërgoi zëdhënës përpara vetes së tij, të cilët shkuan e hynë në një fshat të Samaritanëve, për të bërë gati vend për të.
  53. Edhe nuk e pritën atë, sepse e kishte syrin për të shkuar në Jerusalem.
  54. Edhe nxënësit e tij Jakov e Joan kur panë, thanë: Zot, a do që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t’i përvëlojë, siç bëri edhe Ilia?
  55. Po ai u kthye e i qortoi dhe tha: Nuk dini të çfarë fryme jeni ju.
  56. Sepse i Biri i njeriut nuk erdhi të humbë shpirtra njerëzish, por të shpëtojë. Edhe shkuan në tjetër fshat.
  57. Edhe kur ata po ecnin, një njeri i tha udhës: Zot, do të të vij pas kudo që të shkosh.
  58. Edhe Jisui i tha atij: Dhelprat kanë strofka, dhe zogjtë e qiellit çerdhe; po i Biri i njeriut s’ka ku të mbështetë kryet.
  59. Edhe i tha një tjetri: Eja pas meje. Edhe ai i tha, Zot, lermë më përpara të shkoj e të varros tim atë.
  60. Po Jisui i tha: Lëri të vdekurit të fusin në dhe të vdekurit e tyre; po ti shko, e lajmëro për mbretërinë e Perëndisë.
  61. Po edhe një tjetër tha: Zot, do të vij pas teje; po lermë më përpara të shkoj t’u lë shëndet atyre që janë në shtëpinë time.
  62. Po Jisui i tha: Kush vë dorën e tij mbi parmendë dhe vështron prapa, nuk është i denjë për mbretërinë e Perëndisë.