Llukai 8
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait |
Llukai 8
- Edhe pastaj ai shkonte qytet më qytet e fshat më fshat, duke predikuar e duke dhënë lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë; dhe të dymbëdhjetët ishin bashkë me të,
- edhe disa gra që ishin shëruar nga frymë të këqija e nga sëmundje, Maria, që quhej Magdalena, prej së cilës patën dalë shtatë djaj,
- edhe Joana, e shoqja e Huzait, kujdestarit të Irodit, dhe Suzana, dhe shumë të tjera, të cilat i shërbenin me pasurinë e tyre.
- Edhe si u mblodh shumë popull, dhe vinin tek ai prej çdo qyteti, foli me paravoli.
- Doli mbjellësi të mbillte farën e tij; dhe ndërsa ai po mbillte, ca farë ra pranë udhës, dhe u shkel, dhe zogjtë e qiellit e hëngrën.
- Edhe tjetër ra mbi gur, dhe sapo mbiu u tha, sepse nuk kishte lagështirë.
- Edhe tjetër ra në mes të drizave, dhe si mbinë drizat bashkë me atë, e mbytën.
- Edhe tjetër ra në dhe të mirë, dhe si mbiu, dha pemë për një njëqind. Duke thënë këto, thërriste: Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
- Edhe nxënësit e tij e pyetnin, duke thënë: Ç’të jetë kjo paravoli?
- Edhe ai tha: Juve ju është dhënë të njihni fshehtësirat e mbretërisë së Perëndisë; po të tjerëve me paravoli, që duke parë të mos shohin edhe duke dëgjuar të mos kuptojnë.
- Edhe paravolia është kjo: Fara është fjala e Perëndisë.
- Ajo pranë udhës janë ata që dëgjojnë; pastaj vjen djalli dhe ngre fjalën prej zemrës së tyre, që të mos besojnë e të shpëtojnë.
- Edhe ajo mbi gur janë ata, të cilët, kur dëgjojnë, me gëzim e pranojnë fjalën; po këta s’kanë rrënjë; sepse ata besojnë për ca kohë, po në kohë ngasjeje largohen.
- Edhe ajo që ra tek drizat, këta janë ata që dëgjuan, po nga kujdesjet e nga pasuria dhe nga kënaqësitë e kësaj jete shkojnë e mbyten, e nuk bëjnë pemë.
- Edhe ajo që ra në dhe të mirë, këta janë ata që dëgjuan fjalën dhe e mbajnë në zemër të mirë e të pastër, dhe bëjnë pemë me durim.
- Edhe asnjë kur ndez kandil nuk e mbulon me enë, a e vë nën shtrat; po e vë mbi kandilmbajtëse, që të shohin dritën ata që hyjnë.
- Sepse nuk ka ndonjë të fshehtë që nuk do të shfaqet; as të fshehtë që nuk do të merret vesh, e të dalë për faqe.
- Vështroni pra si dëgjoni; sepse atij që ka, do t’i jepet; po atij që s’ka, edhe ajo që pandeh se ka do të merret prej tij.
- Edhe erdhën tek ai e ëma edhe vëllezërit e tij, dhe nuk mundnin prej turmës t’i afroheshin.
- Edhe e lajmëruan, duke thënë: Nëna jote dhe vëllezërit e tu po rrinë jashtë dhe duan të të shohin.
- Po ai u përgjigj e u tha atyre: Nënë e vëllezër më janë këta që dëgjojnë fjalën dhe e bëjnë.
- Edhe një ditë hyri në lundër ai dhe nxënësit e tij, dhe u tha atyre: Le të shkojmë në anën e përtejme të liqenit.
- Edhe u nisën. Edhe ndërsa ata ishin duke lundruar, e zuri gjumi. Edhe zbriti një stuhi ere në liqen; dhe lundra po mbushej me ujë, dhe ishin në rrezik.
- Edhe ata erdhën pranë atij dhe e zgjuan, duke thënë: Mjeshtër, mjeshtër, po humbim. Edhe ai u ngrit e qortoi erën dhe valët e ujit; dhe pushuan e u bë bunacë.
- Edhe u tha atyre: Ku është besimi juaj? Edhe ata u frikësuan e u çuditën, duke i thënë njëri-tjetrit: Vallë, cili është ky që urdhëron edhe erërat edhe ujin, dhe e dëgjojnë?
- Edhe me lundrën arritën në vendin e Gadarinëve, që është përtej Galilesë.
- Edhe kur doli në tokë, i doli përpara një njeri prej qytetit, që kishte djaj prej shumë vjetësh, dhe rrobë nuk vishte, dhe në shtëpi nuk rrinte, po nëpër varre.
- Edhe kur pa Jisuin, bërtiti e i ra ndër këmbë, e me zë të madh tha: Ç’ke me mua, Jisu, bir i Perëndisë së Lartë? Të lutem, mos më mundo.
- Sepse ai urdhëroi frymën e ndyrë të dalë nga njeriu; sepse prej shumë vjetësh e kishte rrëmbyer, dhe lidhej me vargonj, dhe ruhej me hekura këmbësh; po ai i këpuste prangat, dhe sillej prej djallit nëpër shkretëtira.
- Edhe Jisui e pyeti, duke thënë: Si ta thonë emrin? Edhe ai i tha: Legjion; sepse kishin hyrë tek ai shumë djaj.
- Edhe i luteshin të mos i urdhëronte të shkonin në pafundësi.
- Edhe atje ishte një tufë e madhe derrash duke kullotur në mal; dhe i luteshin t’i linte të hyjnë tek ata; dhe ai i la.
- Edhe djajtë, si dolën prej njeriut, hynë te derrat; dhe tufa e derrave u hodh prej shkëmbit në liqen dhe u mbyt.
- Edhe kullotësit, kur panë se ç’u bë, ikën dhe shkuan e lajmëruan në qytet e nëpër ara.
- Edhe dolën të shihnin se ç’u bë; dhe erdhën te Jisui, dhe e gjetën njeriun, prej të cilit kishin dalë djajtë, duke ndenjur pranë këmbëve të Jisuit, të veshur e të urtësuar; dhe u frikësuan.
- U treguan dhe ata që e panë, si shpëtoi i demonizuari.
- Edhe gjithë turma e vendeve rreth Gadarinëve i luteshin të ikë nga ata, sepse i kishte zënë frikë e madhe; dhe ai hyri në lundër, e u kthye.
- Edhe njeriu, prej të cilit kishin dalë djajtë, i lutej të jetë bashkë me të; po Jisui e lëshoi, duke thënë:
- Kthehu në shtëpinë tënde, dhe rrëfe gjithë sa bëri Perëndia mbi ty. Edhe ai shkoi duke predikuar nëpër gjithë qytetin sa bëri Jisui mbi të.
- Edhe kur u kthye Jisui, turma e priti me gëzim; sepse të gjithë ishin duke e pritur atë.
- Edhe ja tek erdhi një njeri që quhej Jair - dhe ky ishte i pari i sinagogës - e ra ndër këmbët e Jisuit, e i lutej të hynte në shtëpinë e tij;
- sepse kishte një bijë të vetme, rreth dymbëdhjetë vjeç, dhe ajo po vdiste. Edhe ndërsa ai ishte duke shkuar, turmat po e shtrëngonin.
- Edhe një grua, që kishte rrjedhje gjaku dymbëdhjetë vjet, e cila kishte prishur gjithë pasurinë nëpër mjekët, po nuk mundi të shërohej as prej ndonjërit,
- u afrua nga prapa dhe preku cepin e rrobës së tij; dhe menjëherë iu ndal rrjedhja e gjakut.
- Edhe Jisui tha: Kush qe ai që më preku? Edhe ndërsa po mohonin të gjithë, Pjetri dhe ata që ishin bashkë me të thanë: Mjeshtër, turmat të shtypin e të shtrëngojnë, dhe ti thua: Kush qe ai që më preku?
- Po Jisui tha: Dikush më preku, sepse unë mora vesh se një fuqi doli prej meje.
- Edhe gruaja kur pa se nuk u fsheh dot, erdhi duke u dridhur, dhe i ra ndër këmbë, e i rrëfeu përpara gjithë popullit për çfarë pune e preku, dhe se u shërua përnjëherë.
- Edhe ai i tha asaj: Guxim, bijë, besimi yt të shpëtoi; shko në paqe.
- Edhe kur ai po fliste ende, vjen një njeri prej të parit të sinagogës e i thotë se jot bijë vdiq; mos e mundo mësuesin.
- Po Jisui kur dëgjoi, u përgjigj: Mos ki frikë; veç beso, dhe do të shpëtojë.
- Edhe si hyri në shtëpi, nuk la asnjë të hynte brenda, përveç Pjetrit dhe Jakovit dhe Joanit, dhe të atit të vajzës dhe së ëmës.
- Edhe të gjithë po qanin e ulërinin për atë. Edhe ai tha: Mos qani; nuk vdiq, por po fle.
- Edhe e përqeshnin, duke ditur se vdiq.
- Po ai, si i nxori jashtë të gjithë, e kapi prej dore, dhe thirri duke thënë: O vashëz, ngrihu.
- Edhe asaj i erdhi shpirti prapë, dhe u ngrit përnjëherë; dhe Jisui urdhëroi t’i jepnin asaj të hajë.
- Edhe prindërit e saj u habitën; po ai i porositi të mos i thonë njeriu se ç’u bë.





