AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Llukai 6

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait
Share

Llukai 6

  1. Edhe të shtunën e dytë pas së parës ai po shkonte nëpër të mbjellat; dhe nxënësit e tij këputnin kallinj e hanin, duke i fërkuar me duar.
  2. Edhe ca nga Farisenjtë u thanë atyre: Pse bëni atë që nuk është e udhës ta bëni të shtunave?
  3. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: A nuk e keni lexuar as këtë që bëri Davidi, kur i erdhi uri atij dhe atyre që ishin bashkë me atë?
  4. Si hyri në shtëpinë e Perëndisë, dhe mori bukët e paravënies, dhe hëngri, dhe u dha edhe atyre që ishin bashkë me atë, të cilat nuk është e udhës t’i hanë përveçse vetëm priftërinjtë?
  5. Edhe u thoshte atyre se i Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës.
  6. Edhe përsëri një tjetër të shtunë hyri në sinagogë, dhe i mësonte; dhe atje ishte një njeri që e kishte dorën të thatë.
  7. Edhe shkruesit e Farisenjtë e vështronin, nëse do të shërojë të shtunën, që të gjenin shkak akuze kundër tij.
  8. Po ai i dinte mendimet e tyre e i tha njeriut, që kishte dorën e thatë: Ngrihu, dhe qëndro në mes. Edhe ai u ngrit e qëndroi.
  9. Jisui u tha pra atyre: Do t’ju pyes një gjë, a është e udhës të shtunave të bëjë njeriu mirë apo të bëjë keq? Të shpëtojë shpirt apo të humbë?
  10. Edhe pasi i vuri re përreth të gjithë ata, i tha njeriut: Shtri dorën tënde. Edhe ai bëri ashtu, dhe dora e tij u bë e shëndoshë si tjetra.
  11. Po ata u mbushën me mëri, dhe flisnin njëri me tjetrin, ç’ti bëjnë Jisuit.
  12. Edhe në ato ditë doli në mal të falej, dhe e kaloi natën duke iu falur Perëndisë.
  13. Edhe kur u bë ditë, thirri nxënësit e tij, dhe zgjodhi nga ata dymbëdhjetë, dhe i quajti apostuj:
  14. Simonin, të cilin edhe e quajti Pjetër, dhe Andrean, vëllanë e tij, Jakovin dhe Joanin, Filipin e Vartholomeun,
  15. Matheun dhe Thomain, Jakovin e Alfeut, dhe Simonin, që u quajt Ziloti,
  16. Judën, të vëllanë e Jakovit, dhe Juda Iskariotin, i cili u bë edhe tradhtar.
  17. Edhe zbriti bashkë me ata e qëndroi në një vend të sheshtë; dhe ishin grumbulli i nxënësve të tij dhe një turmë e madhe populli nga gjithë Judea dhe nga Jerusalemi, dhe nga bregdeti i Tirit e i Sidonës, të cilët erdhën të dëgjonin atë, dhe të shëroheshin nga sëmundjet e tyre,
  18. edhe ata që mundoheshin prej frymëve të ndyra, dhe shëroheshin.
  19. Edhe gjithë turma kërkonin ta preknin; sepse dilte fuqi prej tij, dhe i shëronte të gjithë.
  20. Edhe ai, si ngriti sytë mbi nxënësit e tij, thoshte: Lum ju të varfërit, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë.
  21. Lum ju që keni uri tani, sepse do të ngopeni.
  22. Lum ju që qani tani, sepse do të qeshni. Të lumtur jeni ju, kur t’ju kenë smirë njerëzit, dhe kur t’ju veçojnë, dhe t’ju shajnë, dhe t’ju nxjerrin emrin për të keq, për shkak të Birit të njeriut.
  23. Gëzohuni në atë ditë dhe kërceni; sepse ja paga juaj tek është e shumtë në qiell; sepse kështu ua bënin edhe profetëve etërit e tyre.
  24. Po mjerë ju të pasurit, sepse e morët ngushëllimin tuaj.
  25. 25 Mjerë ju të ngopurit, se do të keni uri. Mjerë ju që qeshni tani, se do të mbani zi e do të qani.
  26. Mjerë ju, kur gjithë njerëzit të flasin mirë për ju; sepse kështu ua bënin edhe profetëve gënjeshtarë etërit e tyre.
  27. Po ju them juve që dëgjoni: Duajini armiqtë tuaj; bëjuni mirë atyre që ju kanë smirë;
  28. bekoni ata që ju mallkojnë; dhe faluni për ata që ju dëmtojnë.
  29. Atij që të të bjerë një shuplakë në faqe, kthei edhe tjetrën, dhe atij që të merr rrobën tënde, mos i ndalo edhe këmishën.
  30. Edhe kujtdo që lyp prej teje jepi, dhe atij që merr të tuat, mos ia lyp prapë.
  31. Edhe siç doni t’ju bëjnë juve njerëzit, edhe ju bëjuni atyre po ashtu.
  32. Edhe në daçi ata që ju duan, çfarë hiri keni ju? Sepse edhe mëkatarët duan ata që i duan.
  33. Edhe në u bëfshi mirë atyre që ju bëjnë mirë juve, çfarë hiri keni ju? Sepse edhe mëkatarët po atë bëjnë.
  34. Edhe nëse u jepni hua atyre, prej të cilëve shpresoni t’i merrni prapë, çfarë hiri keni ju? Sepse edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që t’i marrin prapë një nga një.
  35. Por duajini armiqtë tuaj, dhe bëni mirë, dhe jepni hua, pa pasur ndonjë shpresë më; dhe atëherë paga juaj do të jetë e shumtë, dhe do të jeni bijtë e të Lartit; sepse ai është i mirë me ata që nuk ia njohin të mirën dhe me të këqijtë.
  36. Bëhuni pra përdëllimtarë, sikurse dhe ati juaj është përdëllimtar.
  37. Edhe mos gjykoni, dhe nuk do të gjykoheni; mos dënoni, dhe nuk do të dënoheni; ndjeni, dhe do të ndjeheni.
  38. Jepni, dhe do t’ju jepet juve; masë të mirë, të ngjeshur e të tundur e të derdhur prej buze do t’ju japin në gjirin tuaj; sepse me atë masë që matni, do t’ju matet edhe juve.
  39. Edhe u tha atyre një paravoli: Mos mundet një i verbër t’i heqë udhën të verbërit? A nuk do të bien që të dy në gropë?
  40. Nuk ka nxënës përmbi mësuesin e tij; po çdo nxënës i mbaruar do të jetë si mësuesi i tij.
  41. Edhe pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd, dhe traun që është në syrin tënd nuk e ndjen?
  42. Apo si mund t’i thuash vëllait tënd: Vëlla, dale të nxjerr lëmishten që ke në syrin tënd, kur ti nuk sheh traun që është në syrin tënd? Hipokrit, nxirr më përpara traun prej syrit tënd, dhe atëherë do të shohësh mirë të nxjerrësh lëmishten që është në syrin e vëllait tënd.
  43. Sepse nuk ka dru të mirë që të bëjë pemë të kalbur; as dru të kalbur që të bëjë pemë të mirë.
  44. Sepse çdo dru njihet prej pemës së tij; sepse nuk mbledhin fiq nga drizat, as nuk vjelin rrush nga ferrat.
  45. Njeriu i mirë nxjerr të mirën prej thesarit të mirë të zemrës së tij; dhe njeriu i lig nxjerr të ligën prej thesarit të lig të zemrës së tij; sepse goja e atij flet nga teprica e zemrës.
  46. Edhe pse të thërritni, Zot, Zot, dhe nuk bëni sa them?
  47. Kushdo që vjen tek unë dhe dëgjon fjalët e mia, dhe i bën, do t’ju tregoj juve me cilin ngjan:
  48. Ngjan me një njeri që ndërtonte një shtëpi, i cili gërmoi e thelloi dhe hodhi themel mbi shkëmb; dhe kur vërshuan ujërat, u përpoq lumi kundër asaj shtëpie dhe nuk mundi ta tundë; sepse ishte themeluar mbi shkëmb.
  49. Po ai që të dëgjojë e të mos bëjë, ngjan me një njeri që ndërtoi shtëpi mbi dhe pa themel, kundër së cilës u përpoq lumi, dhe përnjëherë ra, dhe rrëzimi i asaj shtëpie u bë i madh.