Llukai 4
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait |
Llukai 4
- Edhe Jisui plot me Shpirt të Shenjtë u kthye nga Jordani; edhe u pru me anë të Shpirtit në shkretëtirë,
- ku ishte duke u ngarë nga djalli dyzet ditë. Edhe nuk hëngri asgjë në ato ditë; dhe si u mbushën ato, pastaj i erdhi uri.
- Edhe djalli i tha: Nëse je i Biri i Perëndisë, thuaji këtij guri të bëhet bukë.
- Edhe Jisui iu përgjigj atij, duke thënë: Eshtë shkruar “Se njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, po me çdo fjalë të Perëndisë”.
- Edhe djalli e hipi mbi një mal të lartë, e i tregon atij gjithë mbretëritë e botës për një grimë here.
- Edhe djalli i tha: Ty do të ta jap tërë këtë pushtet dhe lavdinë e tyre, sepse mua më është dhënë, dhe kujt të dua ia jap.
- Nëse ti pra falesh përpara meje, të gjitha do të jenë të tuat.
- Po Jisui u përgjigj e i tha: Shporru prapa meje, Satana, sepse është shkruar: “Zotit Perëndisë tënd, do t’i falesh, dhe vetëm atij do t’i lutesh”.
- Edhe ai e pruri atë në Jerusalem dhe e qëndroi mbi fletëzën e tempullit, dhe i tha: Nëse je i Biri i Perëndisë, hidhe veten tënde së këtejmi poshtë.
- Sepse është shkruar: “Se do të urdhërojë engjëjt e tij për ty, që të të ruajnë”;
- edhe “Se do të të ngrenë ty mbi duar, që të mos përpjekësh këmbën tënde në gur”.
- Edhe Jisui u përgjigj e i tha se është thënë: “Nuk ke për të ngacmuar Zotin Perëndinë tënd”.
- Edhe djalli pasi mbaroi çdo ngasje, u largua prej tij deri në një kohë.
- Edhe Jisui u kthye me fuqinë e Shpirtit në Galile; dhe doli zë për të në gjithë vendin përreth.
- Edhe ai i mësonte nëpër sinagogat e tyre, duke u lavdëruar prej të gjithëve.
- Edhe erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur; dhe sipas zakonit të tij hyri në sinagogë ditën e shtunë, dhe u ngrit të lexojë.
- Edhe ata i dhanë librin e profetit Isaia; dhe si hapi librin gjeti vendin, ku ishte shkruar:
- Shpirti i Zotit është mbi mua; prandaj më leu me vaj; më dërgoi t’u jap lajmin e mirë të varfërve, të shëroj ata që kanë zemrën të thyer,
- t’u predikoj skllevërve liri, dhe të verbërve hapjen e syve, dhe të dërgoj ata që janë nën mundim në liri; të predikoj vit të pëlqyer nga Zoti”.
- Edhe si mbylli librin, ia dha shërbëtorit, dhe ndenji; dhe sytë e gjithë atyre që ishin në sinagogë ishin duke shikuar mbi të.
- Edhe zuri t’u thoshte atyre se sot u përmbush ky shkrim në veshët tuaj.
- Edhe të gjithë dëshmonin për të, dhe çuditeshin për fjalët e hirit që dilnin prej gojës së tij, dhe thoshin: A nuk është ky i biri i Josifit?
- Edhe ai u tha atyre: Pa fjalë do të më thoni këtë paravoli: Mjek, shëro veten tënde. Sa dëgjuam që janë bërë në Kapernaum, bëji edhe këtu në atdheun tënd.
- Po ai tha: Me të vërtetë po ju them juve, se asnjë profet nuk është i pëlqyer në atdheun e tij.
- Edhe me të vërtetë po ju them juve, shumë gra të veja ishin në Izrael në ditët e Ilias kur u mbyll qielli tre vjet e gjashtë muaj, kohë në të cilën u bë një zi e madhe mbi gjithë dhenë.
- Po as tek ndonjë nga ato nuk u dërgua Ilia, përveç në Sareptë të Sidonës tek një grua e ve.
- Edhe shumë lebrozë ishin në Izrael në ditët e profetit Elise; po asnjë nga ata nuk u pastrua, përveç Neman Sirianit.
- Edhe gjithë ata që ishin në sinagogë, kur dëgjuan këto, u mbushën me zemërim.
- Edhe u ngritën dhe e nxorën jashtë qytetit; dhe e prunë deri në rrëzë të malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, që ta rrëzonin poshtë.
- Po ai shkoi nëpër mes tyre, dhe iku.
- Edhe zbriti në Kapernaum, që është një qytet i Galilesë; e ishte duke i mësuar ata të shtunave.
- Edhe mahniteshin për mësimin e tij; sepse fjala e atij ishte me pushtet.
- Edhe në sinagogë ishte një njeri që kishte frymë djalli të ndyrë, dhe bërtiti me zë të madh,
- duke thënë: Mjerë! Ç’ke me ne ti, Jisu Nazaretasi? Erdhe të na humbasësh? Të njoh cili je, Shenjti i Perëndisë.
- Po Jisui e qortoi, duke thënë: Pusho, dhe dil prej tij. Edhe djalli si e hodhi në mes, doli prej tij, pa i bërë fare dëm atij.
- Edhe të gjithë u habitën, dhe flisnin njëri me tjetrin, duke thënë: Ç’është kjo fjalë, që me pushtet e me fuqi urdhëron frymët e ndyra, dhe dalin?
- Edhe përhapej zë për të në çdo anë të vendit përreth.
- Edhe si u ngrit prej sinagogës, hyri në shtëpinë e Simonit, dhe të vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të mëdha; dhe iu lutën për të.
- Edhe ai si qëndroi mbi të, i qortoi ethet, dhe e lanë; dhe ajo menjëherë u ngrit e u shërbente.
- Edhe kur po perëndonte dielli, gjithë sa kishin të sëmurë prej çdo lloj lëngatash, i prunë tek ai; dhe ai duke vënë duart mbi secilin nga ata, i shëroi ata.
- Edhe prej shumë vetave dilnin edhe djaj duke klithur e duke thënë se ti je Krishti, i biri i Perëndisë. Edhe ai duke i qortuar s’i linte të flitnin, sepse e njihnin se ai ishte Krishti.
- Edhe si u bë ditë, doli e shkoi në një vend të shkretë; dhe turmat e kërkonin atë, dhe erdhën deri aty; dhe e mbanin, që të mos ikte prej tyre.
- Po ai u tha atyre, se edhe nëpër qytetet e tjera duhet të jap lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë; sepse për këtë jam dërguar.
- Edhe ishte duke predikuar nëpër sinagogat e Galilesë.





