AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Llukai 3

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait
Share

Llukai 3

  1. Edhe në të pesëmbëdhjetin vit të mbretërisë së Tiber Qezarit, kur Pont Pilati ishte qeveritar i Judesë, dhe Irodi tetrark i Galilesë, dhe Filipi, vëllai i tij, tetrark i Ituresë dhe i vendit të Trakonitidës, dhe Lisania tetrark i Avilinisë,
  2. në ditët e kryepriftërinjve Ana e Kaiafa, erdhi fjala e Perëndisë mbi Joanin, të birin e Zaharisë në shkretëtirë.
  3. Edhe erdhi në gjithë vendin rreth Jordanit, duke predikuar pagëzim pendimi për ndjesën e mëkateve,
  4. siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: “Zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit, bëni të drejta rrugët e tij.
  5. Çdo vend i thellë do të mbushet, dhe çdo mal e kodër do të ulet, dhe të shtrembërat do të bëhen të drejta, dhe udhët e ashpra të sheshta;
  6. edhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Izraelit”.
  7. U thoshte pra turmave që vinin jashtë që të pagëzoheshin prej tij: Pjellë nepërkash, kush ju tregoi juve të ikni prej zemërimit që ka për të ardhur?
  8. Bëni pra pemë të vlefshme për pendim, dhe mos filloni të thoni me veten tuaj: Atë kemi Abrahamin; sepse po ju them juve, se Perëndia mundet prej këtyre gurëve t’i ngrerë djem Abrahamit.
  9. Edhe tani edhe sëpata gjendet në rrënjët e drurëve; çdo dru pra që nuk bën pemë të mirë, pritet dhe hidhet në zjarr.
  10. Edhe turma e pyetnin, duke thënë: Ç’të bëjmë pra?
  11. Edhe ai u përgjigj e u thotë atyre: Kush ka dy rroba le t’i japë pjesë atij që s’ka; dhe kush ka të ngrëna, po ashtu le të bëjë.
  12. Erdhën edhe tagrambledhës që të pagëzoheshin, dhe i thanë: Mësues, ç’të bëjmë?
  13. Edhe ai u thotë atyre: Mos merrni gjë më tepër veç asaj që ju është urdhëruar.
  14. Edhe e pyetnin atë edhe të tillë që shkojnë ushtarë, duke thënë: Po ne ç’të bëjmë? Edhe u tha atyre: Mos shtrëngoni asnjeri, as mos kallzoni keq për njeri; dhe le t’ju jenë mjaft pagat tuaja.
  15. Edhe ndërsa populli ishte dyke pritur, dhe të gjithë mendoheshin në zemrat e tyre për Joanin, vallë, mos është ai Krishti,
  16. Joani iu përgjigj të gjithëve, duke thënë: Unë ju pagëzoj me ujë; por vjen më i forti se unë, të cilit s’jam i zoti t’i zgjidh rripin e këpucëve të tij; ai do t’ju pagëzojë me Shpirt të Shenjtë e me zjarr;
  17. ai i cili mban lopatën në dorën e tij dhe do të pastrojë lëmin e tij, dhe do të mbledhë grurin në grunarin e tij, dhe kashtën do ta djegë në zjarr të pashuar.
  18. Edhe duke i mësuar popullit shumë të tjera, i jepte atij lajmin e mirë.
  19. Edhe Irodi, tetrarku, pasi qortohej prej atij për Irodiadën, gruan e të vëllait të tij (Filipit), dhe për gjithë të këqijat që pati bërë Irodi,
  20. shtoi edhe këtë përmbi të gjitha dhe e mbylli Joanin në burg.
  21. Edhe pasi u pagëzua gjithë populli, u pagëzua edhe Jisui, dhe ndërsa ishte duke u falur, u hap qielli,
  22. edhe Shpirti i Shenjtë zbriti mbi të me një lloj trupi si pëllumb, dhe erdhi një zë nga qielli, duke thënë: Ti je Biri im i dashuri, ty të kam pëlqyer.
  23. Edhe vetë Jisui ishte afër tridhjetë vjeç, dhe ishte siç e pandehnin bota, i biri i Josifit, i Ilisë,
  24. i Matanit, i Leviut, i Mehiut, i Anait, i Josifit,
  25. i Matiut, i Amosit, i Naumit, i Esliut, i Nagait,
  26. i Matit, i Matatiut, i Semeit, i Josifit, i Judës,
  27. i Jonanit, i Risait, i Zorobabelit, i Salatielit, i Niriut,
  28. i Melkiut, i Adiut, i Kosamit, i Elmodamit, i Irit,
  29. i Josiut, i Eliezerit, i Joreimit, i Matatit, i Leviut,
  30. i Simeonit, i Judës, i Josifit, i Jonanit, i Eliakimit,
  31. i Meleait, i Mainanit, i Matatait, i Natanit, i Davidit,
  32. i Jeseut, i Ovidit, i Vozit, i Salmonit, i Nasonit,
  33. i Aminadavit, i Aramit, i Esromit, i Faresit, i Judës,
  34. i Jakovit, i Isakut, i Abrahamit, i Tarait, i Nahorit,
  35. i Sarukut, i Ragavit, i Falekut, i Everit, i Salait,
  36. i Kainanit, i Arfaksadit, i Simit, i Noes, i Lamehut,
  37. i Matusalës, i Enohut, i Jaredit, i Maleleilit, i Kainanit,
  38. i Enosit, i Setit, i Adamit, i Perëndisë.