Llukai 2
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait |
Llukai 2
- Edhe në ato ditë doli urdhër prej Qezarit August të regjistrohen gjithë bota.
- Ky regjistrim u bë për të parën herë, kur ishte Kirini qeveritar i Sirisë.
- Edhe vinin të gjithë të regjistroheshin, secili në qytetin e tij.
- U ngjit edhe Josifi prej Galilesë, nga qyteti Nazaret, në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Betlehem, - sepse ai ishte prej shtëpisë e prej atësisë së Davidit -,
- që të regjistrohet bashkë me Mariamin, që ishte fejuar me të për grua, e cila ishte shtatzënë.
- Edhe ndërsa ata ishin atje, asaj iu mbushën ditët që të lindë.
- Edhe lindi birin e saj, të parëlindurin, dhe e mbështolli në shpërgënj, dhe e vuri në grazhd, sepse nuk kishte vend për ata atje ku kishin rënë.
- Edhe në atë vend nëpër arat ishin disa barinj, duke ruajtur me radhë natën tufën e tyre.
- Edhe ja një engjëll i Zotit erdhi tek ata, dhe lavdia e Zotit ndriti rreth tyre, dhe u trembën me frikë të madhe.
- Edhe engjëlli u tha atyre: Mos u frikësoni, sepse ja tek po ju jap juve lajmin e mirë për një gëzim të madh, që do të jetë për gjithë popullin.
- Sepse sot ju lindi juve në qytetin e Davidit një shpëtimtar, i cili është Zoti Krisht.
- Edhe kjo do të jetë shenja për ju, do të gjeni një foshnjë mbështjellë në shpërgënj, shtrirë në grazhd.
- Edhe papandehur, bashkë me engjëllin u duk një shumicë ushtrie qiellore, duke lavdëruar Perëndinë, e duke thënë:
- Lavdi Perëndisë që është në të lartat, edhe paqe mbi dhe, pëlqim në njerëzit.
- Edhe si ikën engjëjt prej tyre në qiell, njerëzit, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: Le të shkojmë tani në Betlehem e të shohim këtë punë që është bërë, të cilën Zoti na e tregoi.
- Edhe erdhën me vrap e gjetën Mariamin dhe Josifin e foshnjën shtrirë në grazhd.
- Edhe si panë, treguan për fjalën që iu fol atyre për këtë djalë.
- Edhe të gjithë ata që dëgjuan, u çuditën për ato që u folën barinjtë.
- Edhe Mariami i ruante në vete gjithë këto fjalë, duke menduar për ato në zemrën e saj.
- Edhe barinjtë u kthyen duke lavdëruar e duke nderuar Perëndinë për gjithë ato që dëgjuan e panë, siç iu tha atyre.
- Edhe kur u mbushën të tetë ditët për të rrethprerë djalin, emri i tij u quajt Jisu, siç ishte quajtur prej engjëllit para se të zihej në bark.
- Edhe kur u mbushën ditët e pastrimit të saj, sipas ligjit të Moisiut, e prunë në Jerusalem, që ta nxirrnin përpara Zotit,
- siç është shkruar në ligjin e Zotit “Se çdo mashkull që hap shtrat barku, shenjt tek Zoti do të quhet”;
- edhe që të sillnin theror, siç është thënë në ligjin e Zotit “Një çift turtujsh a dy zogj pëllumbash”.
- Edhe ja tek ishte në Jerusalem një njeri, që e kishte emrin Simeon; dhe ky njeri ishte i drejtë e me frikë Perëndie, duke pritur ngushëllimin e Izraelit.
- Edhe ishte zbuluar tek ai prej Shpirtit të Shenjtë se nuk do të shihte vdekje para se të shihte Krishtin e Zotit.
- Edhe erdhi me anë të Shpirtit të Shenjtë në tempull; dhe kur prindërit prunë brenda djalin Jisu, që të bënin për të sipas zakonit të ligjit,
- ai e mori në duart e tij dhe bekoi Perëndinë e tha:
- Tani, o Zot, lësho shërbëtorin tënd, sipas fjalës sate, me paqe;
- sepse sytë e mi panë shpëtimin tënd,
- që e bëre gati përpara syve të të gjithë popujve,
- dritë për ndriçimin e kombeve dhe lavdi për popullin tënd Izrael.
- Edhe Josifi dhe e ëma e tij po çuditeshin për ato që fliteshin për të.
- Edhe Simeoni i bekoi ata, dhe i tha Mariamit, nënës së tij: Ja ky tek është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael, dhe për shenjë kundërshtimi.
- Edhe ty vetë shpirtin një shpatë ka për ta depërtuar, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave.
- Edhe atje ishte Ana, një profeteshë, e bija e Fanuilit, prej fisit të Asirit. Kjo ishte shumë e shkuar në ditë, dhe kishte rrojtur me burrin shtatë vjet pas virgjërisë së saj.
- Edhe kjo ishte grua e ve rreth tetëdhjetë e katër vjeç, e cila nuk ndahej prej tempullit, duke u lutur me agjërime e me falje natë e ditë.
- Edhe kjo, pasi arriti në atë orë, lavdëronte Zotin, dhe u fliste për të gjithë atyre që pritnin shpërblim në Jerusalem.
- Edhe si mbaruan gjithçka sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre Nazaret.
- Edhe djali rritej e forcohej në shpirt, duke u mbushur me urtësi; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të.
- Edhe prindërit e tij vinin çdo vit në Jerusalem për të kremten e pashkës.
- Edhe kur u bë dymbëdhjetë vjeç, ata u ngjitën në Jerusalem sipas zakonit të së kremtes.
- Edhe si mbaruan ditët, në kthim të tyre, djali Jisu mbeti prapa në Jerusalem; dhe Josifi dhe e ëma nuk e dinë.
- Po duke pandehur se ai ishte në rrugë me shokët, ecën një ditë udhë; dhe e kërkonin nëpër farefis e nëpër të njohurit.
- Edhe pasi nuk e gjetën, u kthyen prapë në Jerusalem duke kërkuar atë.
- Edhe pas tri ditësh e gjetën në tempull, duke ndenjur në mes të mësuesve e duke i dëgjuar ata e duke i pyetur ata.
- Edhe të gjithë ata që e dëgjonin mahniteshin për mendjen dhe përgjigjet e tij.
- Edhe kur e panë atë, u habitën; dhe e ëma i tha: O bir, ç’na bëre kështu? Ja, po të kërkojmë me pikëllim.
- Edhe ai u tha atyre: Pse më kërkonit? A nuk e dinit se unë duhet të jem në punët e Atit tim?
- Po ata nuk e kuptuan fjalën që u tha atyre.
- Edhe zbriti bashkë me ta dhe erdhi në Nazaret; dhe u bindej atyre.
- Edhe e ëma i ruante gjithë këto fjalë në zemrën e saj.
- Edhe Jisui vinte mbarë në urtësi dhe në moshë dhe në hir përpara Perëndisë e njerëzve.





