AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Llukai Kreu 1

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait
Share

 Llukai  1

  1. Pasi shumë veta u përpoqën të hartojnë një tregim për ato punë, që janë vërtetuar plotësisht ndër ne,
  2. siç na i kanë lënë ata, të cilët që në fillim i panë me sy dhe u bënë shërbëtorë të fjalës,
  3. m’u duk e udhës edhe mua, që u kam rënë prapa të gjithave që në fillim hollë-hollë, të të shkruaj me radhë për këto, o fort i pushtetshëm Theofil,
  4. që të njohësh vërtetimin e atyre punëve që u mësove.
  5. Në ditët e Irodit, mbretit të Judesë, ishte një prift, që ia thoshin emrin Zaharia, prej rendit priftëror të Aviait; dhe gruaja e tij ishte prej të bijave të Aronit, dhe emrin ia quanin Elisabeta.
  6. Edhe që të dy ishin të drejtë përpara Perëndisë, duke ecur pa të metë në gjithë porositë dhe ligjet e Zotit.
  7. Edhe ata s’kishin djalë, sepse Elisabeta ishte shterpë, dhe të dy ishin të shkuar në ditët e tyre.
  8. Edhe ndërsa ai ishte duke bërë punët e priftërisë përpara Perëndisë sipas radhës së shërbesës së tij priftërore,
  9. sipas zakonit të priftërisë, i ra shorti të hyjë në tempullin e Zotit e të djegë temjan.
  10. Edhe gjithë turma ishte duke u falur përjashta në kohën e djegies së temjanit.
  11. Edhe iu shfaq atij një engjëll i Zotit duke ndenjur në të djathtë të altarit të temjanit.
  12. Edhe Zaharia kur e pa, u drodh dhe frikë ra mbi të.
  13. Po engjëlli i tha: Mos u frikëso, Zahari, sepse lutja jote u dëgjua, dhe gruaja jote, Elisabeta, do të të lindë djalë, dhe do t’ia quash emrin Joan.
  14. Edhe ti do të kesh gëzim e gaz; dhe shumë veta do të gëzohen për lindjen e tij.
  15. Sepse do të jetë i madh përpara Zotit, dhe verë e pije të forta nuk do të pijë, dhe me Shpirt të Shenjtë do të mbushet që nga barku i së ëmës.
  16. Edhe shumë nga të bijtë e Izraelit ka për t’i kthyer në Zotin Perëndinë e tyre.
  17. Edhe ai do të vijë përpara atij me frymë e me fuqi të Ilias, për të kthyer zemrat e etërve mbi bijtë dhe të pabindurit në urtësinë e të drejtëve, për t’i bërë gati Zotit një popull të përgatitur.
  18. Edhe Zaharia i tha engjëllit: Si ta marr vesh këtë punë? Sepse unë jam plak dhe gruaja ime e vjetër në ditët e saj.
  19. Edhe engjëlli u përgjigj e i tha: Unë jam Gavrili që rri përpara Perëndisë; dhe u dërgova që të të flas ty dhe të të jap lajmin e mirë për këto punë.
  20. Edhe ja tek do të jesh pa gojë e nuk do të mundësh të flasësh deri në atë ditë që do të bëhen këto; sepse nuk u besove fjalëve të mia, të cilat do të përmbushen në kohën e tyre.
  21. Edhe populli po priste Zaharinë, dhe çuditeshin për vonesën e tij në tempull.
  22. Edhe kur doli, nuk mundej t’u fliste atyre; dhe e kuptuan se kishte parë fanitje në tempull; dhe ai u bënte me shenja, dhe mbeti i shurdhër.
  23. Edhe si u mbushën ditët e shërbesës së tij, shkoi në shtëpinë e tij.
  24. Edhe pas këtyre ditëve Elisabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë; dhe e fshihte veten pesë muaj,
  25. duke thënë se kështu bëri Zoti mbi mua në këto ditë që hodhi sytë e tij mbi mua, që të heqë përgojimin tim në mes njerëzve.
  26. Edhe në të gjashtin muaj, engjëlli Gavril u dërgua prej Perëndisë në një qytet të Galilesë, që e kishte emrin Nazaret,
  27. te një virgjëreshë, që ishte fejuar me një burrë, që quhej Josif, prej shtëpisë së Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Mariam.
  28. Edhe engjëlli kur hyri tek ajo, tha: Gëzohu, o hirplotë. Zoti është bashkë me ty. E bekuar je ti në mes të grave.
  29. Edhe ajo, kur e pa, u turbullua për fjalën e tij; dhe mendohej ç’të jetë vallë kjo përshëndetje?
  30. Edhe engjëlli i tha: Mos u tremb, Mariam; sepse gjete hir pranë Perëndisë.
  31. Edhe ja tek do të mbetesh shtatzënë, dhe do të lindësh djalë, dhe do t’ia quash emrin Jisu.
  32. Ky do të jetë i madh, dhe Bir i të Lartit do të quhet; dhe Zoti Perëndi do t’i japë atij fronin e Davidit, atit të tij.
  33. Edhe do të mbretërojë në shtëpinë e Jakovit në jetë të jetëve, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
  34. Edhe Mariami i tha engjëllit: Si do të jetë kjo punë, sepse unë s’njoh burrë?
  35. Edhe engjëlli u përgjigj e i tha: Shpirti i Shenjtë do të vijë mbi ty, dhe fuqia e të Lartit do të të hiesojë; prandaj edhe ajo foshnjë e shenjtë që lind prej teje do të quhet Bir Perëndie.
  36. Edhe ja Elisabeta, farefisi yt, edhe ajo mbeti shtatzënë me bir në pleqëri të saj, dhe ky muaj është i gjashti i asaj që quhet shterpë.
  37. Sepse s’ka punë që të jetë e pamundur për Perëndinë.
  38. Edhe Mariami tha: Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë mbi mua sipas fjalës sate. Edhe engjëlli iku prej saj.
  39. Edhe në ato ditë Mariami u ngrit e shkoi me nxitim në malësi, në një qytet të Judës.
  40. Edhe hyri në shtëpinë e Zaharisë, dhe përshëndeti Elisabetën.
  41. Edhe sapo dëgjoi Elisabeta përshëndetjen e Marisë, kërceu foshnja në barkun e saj; dhe Elisabeta u mbush me Shpirt të Shenjtë.
  42. Edhe thërriti me zë të madh, e tha: E bekuar je ti në mes të grave, dhe e bekuar është pema e barkut tënd.
  43. Edhe nga më ngjau kjo, të vijë e ëma e Zotit tim tek unë?
  44. Sepse ja, sapo erdhi zëri i përshëndetjes tënde në veshët e mi, kërceu foshnja me gëzim në barkun tim.
  45. Edhe lum ajo që besoi, se do të përmbushen tek ajo ç’janë folur prej Zotit.
  46. Edhe Mariami tha: Shpirti im madhëron Zotin,
  47. edhe shpirti im u gëzua në Perëndinë shpëtimtarin tim,
  48. sepse hodhi sytë mbi përuljen e shërbëtores së tij, sepse ja që tani e tutje gjithë brezat do të më lumturojnë,
  49. sepse i Fuqishmi bëri punë të mëdha tek unë, dhe i shenjtë është emri i tij.
  50. Edhe përdëllimi i tij është brez pas brezi mbi ata që e kanë frikë.
  51. Bëri pushtet me krahun e tij; shpërndau kryelartë për mendimin e zemrës së tyre;
  52. rrëzoi të fuqishëm prej fronesh dhe lartësoi njerëz të përulur.
  53. Të uritur i mbushi me të mira dhe të pasur i dërgoi jashtë zbrazët.
  54. I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të tij, duke sjellë ndër mend përdëllimin e tij,
  55. siç u foli etërve tanë, Abrahamit e farës së tij, për jetë të jetës.
  56. Edhe Mariami ndenji bashkë me të afro tre muaj; pastaj u kthye në shtëpinë e saj.
  57. Edhe Elisabetës iu mbush koha për të lindur; dhe lindi djalë.
  58. Edhe fqinjët e farefisi i saj dëgjuan se Zoti madhëroi përdëllimin e tij tek ajo; dhe gëzoheshin bashkë me të.
  59. Edhe në të tetën ditë erdhën që të rrethpresin djalin, dhe e quanin Zahari, në emrin e të atit.
  60. Po e ëma u përgjigj e tha: Jo, por do të quhet Joan.
  61. Edhe ata i thanë asaj se s’ka ndonjë në fisin tënd që të quhet me këtë emër.
  62. Edhe i bënin me shenja të atit të tij, ç’emër donte t’i jepet atij.
  63. Edhe ai kërkoi një dërrasë shkrimi, dhe shkroi, duke thënë: Joan është emri i tij. Edhe të gjithë u çuditën.
  64. Edhe menjëherë u hap goja e tij dhe gjuha e tij; dhe fliste duke bekuar Perëndinë.
  65. Edhe u hyri frikë gjithë atyre që rrinin rrotull tyre. Edhe të gjitha këto fjalë fliteshin nëpër gjithë malësinë e Judës.
  66. Edhe të gjithë ata që i dëgjuan i vunë këto në zemrat e tyre, duke thënë: Vallë, ç’do të jetë ky djalë? Edhe dora e Zotit ishte bashkë me të.
  67. Edhe Zaharia, i ati, u mbush me Shpirt të Shenjtë; dhe profetizoi, duke thënë:
  68. I bekuar qoftë Zoti Perëndia i Izraelit, sepse erdhi dhe bëri shpërblim në popullin e tij.
  69. Edhe ngriti bri shpëtimi mbi ne në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të tij,
  70. siç foli me anë të gojës së shenjtorëve, profetëve të tij prej jete,
  71. shpëtim prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na kanë mëri;
  72. për të plotësuar përdëllimin e tij mbi etërit tanë, dhe për të përmendur dhiatën e tij të shenjtë;
  73. sipas betimit që i bëri Abrahamit, atit tonë, se do të na japë
  74. të shpëtojmë prej dorës së armiqve tanë, dhe t’i shërbejmë atij pa frikë,
  75. me shenjtëri e me drejtësi përpara tij gjithë ditët e jetës sonë.
  76. Edhe ti, o djalë, profet i të Lartit do të quhesh; sepse do të shkosh përpara fytyrës së Zotit, për të bërë gati udhët e tij,
  77. për t’i dhënë mend shpëtimi popullit të tij, me anë të ndjesës së mëkateve,
  78. për përdëllimin e thellë të Perëndisë sonë, me të cilin na erdhi agim prej së larti,
  79. për të ndriçuar ata që rrinë në errësirë e në hije vdekjeje, që t’i bëjë këmbët tona të ecin drejt në udhë paqeje.
  80. Edhe djali rritej e forcohej në shpirt, dhe ishte në shkretëtirë deri në atë ditë që do t’i tregohej Izraelit.