Llukai Kreu 1
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait |
Llukai 1
- Pasi shumë veta u përpoqën të hartojnë një tregim për ato punë, që janë vërtetuar plotësisht ndër ne,
- siç na i kanë lënë ata, të cilët që në fillim i panë me sy dhe u bënë shërbëtorë të fjalës,
- m’u duk e udhës edhe mua, që u kam rënë prapa të gjithave që në fillim hollë-hollë, të të shkruaj me radhë për këto, o fort i pushtetshëm Theofil,
- që të njohësh vërtetimin e atyre punëve që u mësove.
- Në ditët e Irodit, mbretit të Judesë, ishte një prift, që ia thoshin emrin Zaharia, prej rendit priftëror të Aviait; dhe gruaja e tij ishte prej të bijave të Aronit, dhe emrin ia quanin Elisabeta.
- Edhe që të dy ishin të drejtë përpara Perëndisë, duke ecur pa të metë në gjithë porositë dhe ligjet e Zotit.
- Edhe ata s’kishin djalë, sepse Elisabeta ishte shterpë, dhe të dy ishin të shkuar në ditët e tyre.
- Edhe ndërsa ai ishte duke bërë punët e priftërisë përpara Perëndisë sipas radhës së shërbesës së tij priftërore,
- sipas zakonit të priftërisë, i ra shorti të hyjë në tempullin e Zotit e të djegë temjan.
- Edhe gjithë turma ishte duke u falur përjashta në kohën e djegies së temjanit.
- Edhe iu shfaq atij një engjëll i Zotit duke ndenjur në të djathtë të altarit të temjanit.
- Edhe Zaharia kur e pa, u drodh dhe frikë ra mbi të.
- Po engjëlli i tha: Mos u frikëso, Zahari, sepse lutja jote u dëgjua, dhe gruaja jote, Elisabeta, do të të lindë djalë, dhe do t’ia quash emrin Joan.
- Edhe ti do të kesh gëzim e gaz; dhe shumë veta do të gëzohen për lindjen e tij.
- Sepse do të jetë i madh përpara Zotit, dhe verë e pije të forta nuk do të pijë, dhe me Shpirt të Shenjtë do të mbushet që nga barku i së ëmës.
- Edhe shumë nga të bijtë e Izraelit ka për t’i kthyer në Zotin Perëndinë e tyre.
- Edhe ai do të vijë përpara atij me frymë e me fuqi të Ilias, për të kthyer zemrat e etërve mbi bijtë dhe të pabindurit në urtësinë e të drejtëve, për t’i bërë gati Zotit një popull të përgatitur.
- Edhe Zaharia i tha engjëllit: Si ta marr vesh këtë punë? Sepse unë jam plak dhe gruaja ime e vjetër në ditët e saj.
- Edhe engjëlli u përgjigj e i tha: Unë jam Gavrili që rri përpara Perëndisë; dhe u dërgova që të të flas ty dhe të të jap lajmin e mirë për këto punë.
- Edhe ja tek do të jesh pa gojë e nuk do të mundësh të flasësh deri në atë ditë që do të bëhen këto; sepse nuk u besove fjalëve të mia, të cilat do të përmbushen në kohën e tyre.
- Edhe populli po priste Zaharinë, dhe çuditeshin për vonesën e tij në tempull.
- Edhe kur doli, nuk mundej t’u fliste atyre; dhe e kuptuan se kishte parë fanitje në tempull; dhe ai u bënte me shenja, dhe mbeti i shurdhër.
- Edhe si u mbushën ditët e shërbesës së tij, shkoi në shtëpinë e tij.
- Edhe pas këtyre ditëve Elisabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë; dhe e fshihte veten pesë muaj,
- duke thënë se kështu bëri Zoti mbi mua në këto ditë që hodhi sytë e tij mbi mua, që të heqë përgojimin tim në mes njerëzve.
- Edhe në të gjashtin muaj, engjëlli Gavril u dërgua prej Perëndisë në një qytet të Galilesë, që e kishte emrin Nazaret,
- te një virgjëreshë, që ishte fejuar me një burrë, që quhej Josif, prej shtëpisë së Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Mariam.
- Edhe engjëlli kur hyri tek ajo, tha: Gëzohu, o hirplotë. Zoti është bashkë me ty. E bekuar je ti në mes të grave.
- Edhe ajo, kur e pa, u turbullua për fjalën e tij; dhe mendohej ç’të jetë vallë kjo përshëndetje?
- Edhe engjëlli i tha: Mos u tremb, Mariam; sepse gjete hir pranë Perëndisë.
- Edhe ja tek do të mbetesh shtatzënë, dhe do të lindësh djalë, dhe do t’ia quash emrin Jisu.
- Ky do të jetë i madh, dhe Bir i të Lartit do të quhet; dhe Zoti Perëndi do t’i japë atij fronin e Davidit, atit të tij.
- Edhe do të mbretërojë në shtëpinë e Jakovit në jetë të jetëve, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
- Edhe Mariami i tha engjëllit: Si do të jetë kjo punë, sepse unë s’njoh burrë?
- Edhe engjëlli u përgjigj e i tha: Shpirti i Shenjtë do të vijë mbi ty, dhe fuqia e të Lartit do të të hiesojë; prandaj edhe ajo foshnjë e shenjtë që lind prej teje do të quhet Bir Perëndie.
- Edhe ja Elisabeta, farefisi yt, edhe ajo mbeti shtatzënë me bir në pleqëri të saj, dhe ky muaj është i gjashti i asaj që quhet shterpë.
- Sepse s’ka punë që të jetë e pamundur për Perëndinë.
- Edhe Mariami tha: Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë mbi mua sipas fjalës sate. Edhe engjëlli iku prej saj.
- Edhe në ato ditë Mariami u ngrit e shkoi me nxitim në malësi, në një qytet të Judës.
- Edhe hyri në shtëpinë e Zaharisë, dhe përshëndeti Elisabetën.
- Edhe sapo dëgjoi Elisabeta përshëndetjen e Marisë, kërceu foshnja në barkun e saj; dhe Elisabeta u mbush me Shpirt të Shenjtë.
- Edhe thërriti me zë të madh, e tha: E bekuar je ti në mes të grave, dhe e bekuar është pema e barkut tënd.
- Edhe nga më ngjau kjo, të vijë e ëma e Zotit tim tek unë?
- Sepse ja, sapo erdhi zëri i përshëndetjes tënde në veshët e mi, kërceu foshnja me gëzim në barkun tim.
- Edhe lum ajo që besoi, se do të përmbushen tek ajo ç’janë folur prej Zotit.
- Edhe Mariami tha: Shpirti im madhëron Zotin,
- edhe shpirti im u gëzua në Perëndinë shpëtimtarin tim,
- sepse hodhi sytë mbi përuljen e shërbëtores së tij, sepse ja që tani e tutje gjithë brezat do të më lumturojnë,
- sepse i Fuqishmi bëri punë të mëdha tek unë, dhe i shenjtë është emri i tij.
- Edhe përdëllimi i tij është brez pas brezi mbi ata që e kanë frikë.
- Bëri pushtet me krahun e tij; shpërndau kryelartë për mendimin e zemrës së tyre;
- rrëzoi të fuqishëm prej fronesh dhe lartësoi njerëz të përulur.
- Të uritur i mbushi me të mira dhe të pasur i dërgoi jashtë zbrazët.
- I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të tij, duke sjellë ndër mend përdëllimin e tij,
- siç u foli etërve tanë, Abrahamit e farës së tij, për jetë të jetës.
- Edhe Mariami ndenji bashkë me të afro tre muaj; pastaj u kthye në shtëpinë e saj.
- Edhe Elisabetës iu mbush koha për të lindur; dhe lindi djalë.
- Edhe fqinjët e farefisi i saj dëgjuan se Zoti madhëroi përdëllimin e tij tek ajo; dhe gëzoheshin bashkë me të.
- Edhe në të tetën ditë erdhën që të rrethpresin djalin, dhe e quanin Zahari, në emrin e të atit.
- Po e ëma u përgjigj e tha: Jo, por do të quhet Joan.
- Edhe ata i thanë asaj se s’ka ndonjë në fisin tënd që të quhet me këtë emër.
- Edhe i bënin me shenja të atit të tij, ç’emër donte t’i jepet atij.
- Edhe ai kërkoi një dërrasë shkrimi, dhe shkroi, duke thënë: Joan është emri i tij. Edhe të gjithë u çuditën.
- Edhe menjëherë u hap goja e tij dhe gjuha e tij; dhe fliste duke bekuar Perëndinë.
- Edhe u hyri frikë gjithë atyre që rrinin rrotull tyre. Edhe të gjitha këto fjalë fliteshin nëpër gjithë malësinë e Judës.
- Edhe të gjithë ata që i dëgjuan i vunë këto në zemrat e tyre, duke thënë: Vallë, ç’do të jetë ky djalë? Edhe dora e Zotit ishte bashkë me të.
- Edhe Zaharia, i ati, u mbush me Shpirt të Shenjtë; dhe profetizoi, duke thënë:
- I bekuar qoftë Zoti Perëndia i Izraelit, sepse erdhi dhe bëri shpërblim në popullin e tij.
- Edhe ngriti bri shpëtimi mbi ne në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të tij,
- siç foli me anë të gojës së shenjtorëve, profetëve të tij prej jete,
- shpëtim prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na kanë mëri;
- për të plotësuar përdëllimin e tij mbi etërit tanë, dhe për të përmendur dhiatën e tij të shenjtë;
- sipas betimit që i bëri Abrahamit, atit tonë, se do të na japë
- të shpëtojmë prej dorës së armiqve tanë, dhe t’i shërbejmë atij pa frikë,
- me shenjtëri e me drejtësi përpara tij gjithë ditët e jetës sonë.
- Edhe ti, o djalë, profet i të Lartit do të quhesh; sepse do të shkosh përpara fytyrës së Zotit, për të bërë gati udhët e tij,
- për t’i dhënë mend shpëtimi popullit të tij, me anë të ndjesës së mëkateve,
- për përdëllimin e thellë të Perëndisë sonë, me të cilin na erdhi agim prej së larti,
- për të ndriçuar ata që rrinë në errësirë e në hije vdekjeje, që t’i bëjë këmbët tona të ecin drejt në udhë paqeje.
- Edhe djali rritej e forcohej në shpirt, dhe ishte në shkretëtirë deri në atë ditë që do t’i tregohej Izraelit.





