Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

 Përpjekje mjerane për të prishur atmosferën e mikpritjes dhe harmoninë fetare

 

- Reagim i Kishës Orthodhokse ndaj deklaratës së Nikolla Markut në prag të vizitës së Papës -

 

    Siç kemi deklaruar, ardhja e Papa Françeskut I në vendin tonë është më se e mirëpritur dhe vazhdim i një tradite marrëdhëniesh të shkëlqyera. Dhe jo vetëm midis të krishterëve. Që nga rikthimi i lirisë fetare, komunitetet fetare themelore, myslimanët, orthodhoksët, katolikët, dhe bektashinjtë, kanë kultivuar jo thjesht një tolerancë fetare dhe mirëkuptim, por diçka më të rëndësishme: respektin e ndërsjellë, reciprocitetin, bashkëpunimin krijues: fakt që ka ndihmuar më në përgjithësi rrugëtimin paqësor dhe zhvillimin e vendit. Jo rastësisht, para vizitës në Shqipëri, Papa do të deklaronte se “ata kanë qenë në gjendje të krijojnë një “qeveri të unitetit kombëtar” mes myslimanëve, orthodhoksëve dhe katolikëve dhe një këshill ndërfetar që ka ndihmuar shumë dhe që është i balancuar. Kjo është harmoni fetare.” Eshtë pikërisht kjo vlerë unike që populli ynë ka kultivuar në shekuj, që tashmë po përmendet si dëshmia më e rëndësishme që mund t’i japë Evropës dhe botës, duke e renditur me dinjitet krah vendeve më të qytetëruara.

    Por, për fat të keq, disa media u përdorën për t’i dhënë zë dhe figurë në disa ekrane dhe gazeta një individi nga Elbasani, të vetëshpallur prift, që përdhos çdo ditë shërbesat e shenjta ortodokse, që flet marrëzira e gënjeshtra kundër shenjtorëve, kanoneve të shenjta dhe klerikëve e Kishave Orthodhokse, që mbeshtetet nga qarqe të errëta antitëkrishtera dhe antiortodokse, që duan të nxisin përçarje e dasi midis shqiptarëve (ai nuk njihet dhe pranohet si klerik nga asnjë Kishë Orthodhokse apo e krishterë në botë dhe as nga besimet e tjera apo shteti).

    Orthodhoksët e Shqipërisë e kanë shprehur gjithnjë dhe në të gjitha mënyrat e mundshme, edhe në çaste kritike, se janë të bashkuar rreth kryebariut të tyre, Kryepiskopit Anastas, i cili njihet dhe nderohet jo vetëm nga Kishat Orthodhokse, por edhe nga të gjitha Kishat e Krishtera dhe më gjerë nga besimet e tjera (ndër të tjera ai është President Nderi i “Fetë për Paqen”, organizata më e madhe ndërfetare në botë) dhe distancohen nga qëndrime dhe deklarata të tilla.

    Takimet e kontaktet e Kishës sonë me hierarkinë Kishës Katolike kanë qenë të shpeshta dhe në raste veprimtarish të përbashkëta të panumurta, brenda dhe jashtë vendit. “Marrëdhëniet vëllazërore midis katolikëve dhe orthodhoksëve janë frymëzim për gjithë popullin shqiptar, dhe dëshmojnë se për të krishterët është e mundur që të jetojnë në harmoni...”, - do të deklaronte Papa Benedikti XVI, më 4 dhjetor 2011, gjatë vizitës zyrtare të Kryepiskopit Anastas në Vatikan. Kjo marrëdhënie është e përbërë nga nisma e takime të shumta, që fillojnë nga takimet personale dhe njohja e Fortlumturisë së Tij, Anastasit me Papa Gjon Palin, në takimet e shumta ndërkombëtare të iniciuara në emër të paqes dhe bashkëjetesës paqësore midis feve e deri te nismat e përbashkëta këtu në vend, si Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale dhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, takimet e shumta, pjesëmarrja në shërbesat e njëri-tjetrit në rastet e rëndësishme etj. Kryepiskopi Anastas ka pasur korrespondencë personale me Papa Franceskun, që nga dita e  zgjedhjes së tij, ashtu si në këta 22 vjet, ka pasur korrespondencë të pasur me Papa Gjon Palin II, me  Papa Benediktin XVI.

    Sigurisht, që vizita e Papës do ndihmojë në vënien në dukje edhe më mirë të kësaj harmonie të pashoqe dhe do t’i sfumojë qëndrimet e tilla keqdashëse.

 

Tiranë, 13. 09. 2014

 

Zyra e Shtypit

e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com