Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPERISE

Tiranë, 13 tetor 2014

Njoftim Shtypi

 

U zhvillua Asambleja e Lidhjes së Intelektualëve Orthodhoksë  

 

   Të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, mbi 400 të diplomuar të shkollave të larta, anëtarë aktivë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, u mblodhën të shtunën, 11 tetor, në sallën e Qendrës Kulturore të Katedrales së Tiranës “Ngjallja e Krishtit”, në Asamblenë e Lidhjes së Intelektualëve Orthodhoksë të Shqipërisë. Lidhja funksionon në kuadrin e Statutit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ka për qëllim kultivimin shpirtëror të anëtarëve të saj, zhvillimin e marrëdhënieve ndërpersonale, dëshminë e së vërtetës Orthodhokse, shërbimin social, për mbështetjen e njerëzve në nevojë etj.

    Fjalën e hapjes e mbajti Kryepiskopit Anastas, i cili foli rreth temës “Kërkimi fetar në Evropë. Rëndësia e pakicave krijuese”. Në të ndër të tjera u theksua se “…Që Kisha Orthodhokse t’i përgjigjet rolit historik të saj dhe që të kontribuojë në ecurinë shpirtërore të Shqipërisë dhe më gjerë të Evropës, nevojitet para së gjithash që të jetë besnike ndaj karakterit të saj misterial-sotiriologjik.  Të mbetet ajo që është në thelb “Arka e së vërtetës”, - të cilën e zbuloi Perëndia Triadik- shfaqja e misterit të ekonomisë së Perëndisë në Krishtin me anën e Shpirtit të Shenjtë. Vendi ku kryhet metamorfoza e njeriut, kapërcimi i ankthit ekzistencial, bashkimi i tij me Perëndinë e dashurisë. Këtë Orthodhoksi duhet të përfaqësojmë në Shqipëri dhe në tërë botën. Le të mos shqetësohemi pse nuk bëjmë pjesë në shumicën. Ajo që kërkohet është të bëhemi një bërthamë krijuese, që do të ndihmojë vendin tonë, që do të zbulojë dhe do të zhvillojë elementët më të mirë të trashëgimisë evropiane si dhe do të ecë drejt një lulëzimi të ri shpirtëror.”  

    Në pjesën e dytë të veprimtarisë u mbajtën disa referate nga anëtarë të Lidhjes së Intelektualëve Orthodhoksë: Nga Prof. dr. Robert Andoni “Mjekë të shquar orthodhoksë”; nga Anastasia Pite “Gruaja Orthodhokse dhe besimi”, nga Prof.as dr. Pirro Prifti “Veçori të bashkëjetesës fetare” dhe nga Dr. Dritan Shano “Zhvillimet ekonomike dhe sfidat me të cilat përballemi”. Veprimtaria vijoi me diskutime, ku u bënë propozime konkrete për veprimtarinë e ardhshme të Lidhjes.

    Në kuadrin e Asamblesë, u bë zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Ekzekutiv të saj, me procedura krejtësisht transparente,  nga një listë kandidatësh që u propozuan drejtpërdrejt nga anëtarët e Lidhjes gjatë procesit të votimit (të ndarë në 4 grupe, të Kryepiskopatës dhe të 3 Mitropolive).

    Gjatë kohës së mbajtjes së referateve përfundoi numërimi i votave dhe më pas u bënë të ditura rezultatet. Në Këshillin Ekzekutiv u zgjodhën 4 anëtarë nga Kryepiskopata dhe 3 anëtarë për çdo Mitropoli (nga 13 anëtarët 8 janë burra dhe 5 janë gra).

    Lidhja shprehu qartë nevojën e pjesëmarrjes aktive dhe krijuese të Orthodhoksëve që kanë formim universitar në jetën e Kishës sonë, brenda shoqërisë bashkëkohore shqiptare.

 

Zyra e Shtypit

e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

 

 

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com