Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

    Fjalët e Krishtit janë ato që udhëheqin Kishën në mësim dhe vepra. Duke pasur gjithmonë parasysh se vetë Krishti na mësoi të duam dhe t’i shërbejmë çdo njeriu, dhe sidomos atyre në nevojë, Kisha jonë që nga janari i vitit 2005 ka hapur enkas për këtë grup shoqëror Mensën e bamirësisë “Shoqëria e dashurisë”. Kjo qendër ndodhet në Rrugën Qemal Stafa, pranë Shkollës së Kuqe dhe mirëpret çdo javë njerëz të varfër dhe me vështirësi të theksuara ekonomike.

   Mensa e Bamirësisë ka qëllim jo vetëm të ndihmojë këta njerëz me ushqim të gatuar ditor, por dhe t’u ofrojë atyre një vend të sigurt, ku të ndjejnë dashuri për njeri-tjetrin dhe për jetën. Për të arritur këtë qëllim përpiqemi të sigurojmë një mjedis sa më të pastër, të rehatshëm e mikpritës dhe të shërbejmë drekë të ngrohtë dhe me vlera ushqimore. I gjithë grupi organizues punon në këtë qendër me përkushtim, duke i trajtuar të gjithë këta miq me respekt, dashuri dhe dinjitet. Askush nuk pyetet se cilit besimi i takon, por përpiqemi vetëm të kuptojmë nevojat e tyre. 

   Tashmë numri i atyre që vijnë në mencë është rritur, duke arritur në 120 veta çdo drekë. Këta njerëz evidentohen nga anëtaret e Lidhjes së Grave Orthodhokse të Tiranës, nga besimtarët ose edhe vetë këta njerëz në nevojë kanë trokitur në dyert e Kishës sonë për të kërkuar ndihmë.

   Deri tani shërbehet drekën dy ditë në javë: të martën dhe të enjten në orën 11:00. Menca jonë praktikon dy turne njëri pas tjetrit, për shkak të numrit të shumtë të personave. Pasi miqtë kanë ardhur, dreka fillon me lutjen drejtuar Zotit, e cila drejtohet prej priftit që është çdo herë i pranishëm dhe ushqimi i sapo gatuar shërbehet menjëherë.

   Çdonjëri nga ne thirret të mendojë, të lutet dhe të veprojë edhe për këtë grup njerëzish, duke ndihmuar në çdo formë të mundshme këtë Mencë Bamirësie. Le të kujtojmë fjalët e Krishtit: “Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë ...” (Matheu 25:35).

 

   Ju mund të kontaktoni në numrin e telefonit: 0674080729.

 

   Dhjakon Nikolla Kodheli

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com