Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

“Persekutim, rezistencë, dëshmi”

Veprimtari madhështore e Kishës Orthodhokse të Rumanisë
kushtuar viteve të persekutimit komunist

Mori pjesë edhe një përfaqësi nga Kisha jonë,
e kryesuar nga Kryepiskopi Anastas

 

Kisha Orthodhokse e Rumanisë e ka shpallur vitin 2017 “Vit përkujtimor i Patriarkut Justinian dhe i mbrojtësve të Orthodhoksisë gjatë komunizmit”.

Ndaj, për të përkujtuar ata që u persekutuan për besimin e tyre Orthodhoks në Rumani gjatë periudhës së totalitarizmit komunist, Patriarkana Rumune organizoi, nga 24 deri më 26 tetor 2017, Kongresin Ndërkombëtar me temë: “Jeta e Kishave Orthodhokse gjatë regjimit komunist - Persekutim, rezistencë, dëshmi”. Pjesëmarrësit nga vende të ndryshme ish-komuniste referuan për atë që ndodhi në kishat e tyre gjatë kësaj periudhe. Referuesi nga Shqipëria, për periudhën e persekutimit komunist, ishte z. Pirro Kondili.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ishte e ftuar në këtë event jo vetëm si Kishë motër, por edhe si një nga kishat që ka pësuar persekutimet më të egra dhe ndoshta unike, me mbylljen dhe ndalimin total të besimit në vitin 1967.

Kisha jonë u përfaqësua nga Kryepiskopi Anastas, Mitropoliti i Amantias Nathanaili dhe dhjakon Spiro Topanxha. Në aktivitet morën pjesë Patriarku i Moskës, Kirilli, dhe Mitropoliti i Çekisë e Sllovakisë, Rastislavi, si dhe përfaqësi të nivelit të lartë nga kishat e tjera motra.

Të premten, 27 tetor, në Katedralen Patriarkale të Bukureshtit u krye bashkëmeshimi i këtyre primatëve me rastin e së kremtes së Shën Dhimitrit të Ri (Besarabov), mbrojtës i kryeqytetit rumun. Gjatë Liturgjisë Hyjnore u zhvillua edhe një përshpirtje në rumanisht, sllavisht dhe shqip për të gjithë ata që gjatë regjimit komunist dëshmuan dhe mbrojtën me jetën e tyre besimin orthodhoks.

Në fund të Liturgjisë u shkëmbyen edhe urime e dhurata. Patriarku Daniel, duke i dhuruar Kryepiskopit Anastas ikonën e Shën Dhimitrit të ri, tha ndër të tjera se: “I dhurojmë ikonën e Shën Dhimitrit të Ri, Fortlumturisë së Tij, Anastasit, Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, si një shenjë vlerësimi por dhe inkurajimi, sepse Shqipëria gjatë komunizmit u bë i vetmi shtet ateist në botë në të cilën çdo fe ishte shtypur, mjaft klerikë u vranë dhe u ndalua çdo manifestim fetar.

Të gjitha kishat orthodhokse gjatë regjimeve komuniste në vende të ndryshme të Evropës Lindore vuajtën shumë, por sidomos Shqipëria pati një situatë mizore për faktin se çdo manifestim fetar ishte i ndaluar.

Por Perëndia më pas solli më shumë liri dhe u lejua manifestimi i jetës fetare. Kisha Orthodhokse e Shqipërisë u ngjall së vdekurësh falë ndihmës providenciale të Kryepeshkopit Anastas, emri i të cilit në gjuhën greke do të thotë "ngjallje prej së vdekurish". Ai është personi që Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur përdori për të ngjallur Kishën e kryqëzuar të Shqipërisë.

Prandaj, ne e vlerësojmë shumë dhe e admirojmë këtë vepër, e cila është një shembull për t’u ndjekur nga të gjitha Kishat Orthodhokse, ku brenda një kohe kaq të shkurtër u ndërtuan shumë kisha, u krijuan institucione sociale, filantropike dhe mjekësore për të ndihmuar fëmijët, familjet, të moshuarit etj. Pak kohë më parë kemi marrë pjesë në shenjtërimin e Katedrales kryepiskopale në Tiranë. Pra, shqiptarët na e kaluan neve rumunëve dhe e ndërtuan katedralen e re përpara nesh.”

Kjo veprimtari u zhvillua edhe në kuadrin e 10-vjetorit të zgjedhjes së Patriarkut Daniel në krye të Kishës Orthodhokse të Rumanisë. Me këtë rast, të shtunën 28 tetor, në Pallatin Patrarkal u krye një Dhoksolgji me pjesëmarrjen e primatëve. Më pas të gjithë morën pjesë në mbledhjen solemne të Sinodit të Shenjtë të Kishës Rumune, ku u fol për vështirësitë e rrëfimit të besimit Orthodhoks gjatë përiudhës së persekutimit ateist dhe rëndësinë e lirisë fetare, gjatë të cilës Kryepiskopi Anastas foli për persekutimin komunist dhe lirinë fetare sot në Shqipëri.

Pjesëmarrja e këtyre delegacioneve ishte jo vetëm dëshmi e së kaluarës së vështirë të përbashkët, por edhe e forcimit të lidhjeve mes tyre në ditët e sotme, mbi bazën e dëshmisë së Besimit Orthodhoks.

Programi përmbante edhe një sërë vizitash në vende të shenjta, kisha e manastire, ku janë varrosur edhe martirë të komunizmit, Festivalin Kombëtar të Muzikës Kishtare

“Lavdëroni Perëndinë!” etj.

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com