Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

- Liturgji Hyjnore në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” -

- Takim i përzemërt me besimtarë dhe nxënës -

- Përurimi i Shkollës së Mesme “Frymë Dashurie” -

 

Plot me bekime e dhurata shpirtërore ishte vizita e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit, në Mitropolinë e Hirshme të Gjirokastrës, nga 23-25 shtator 2017.

Kulmimi i saj ishte Liturgjia Hyjnore e së Dielës, 24 shtator, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, ku bashkëmeshuan edhe Mitropoliti i Gjirokastrës, Imzot Dhimitri, si edhe Mitropoliti i Amantias, Imzot Nathanaili, që shoqëronte Kryepiskopin, si edhe të gjithë klerikët e kësaj Mitropolie të Hirshme. Dhjetëra e qindra besimtarë nga qyteti i Gjirokastrës, por edhe enoritë përreth erdhën në këtë veprimtari adhuruese për të marrë bekimet e Kryepiskopit dhe për t’i shprehur nga afër urime të përzemërta për përvjetorin e 25-të të Fronëzimit, si edhe falënderime për gjithçka ka bërë dhe në mënyrë të vazhdueshme bën mes sakrificash vetëmohuese për përparimin e gjithanshëm të Kishës dhe shoqërisë sonë.

Atmosfera në kishë dhe gjithë zonën përreth ishte panegjirike dhe gëzimi i pranisë së Kryepiskopit ndihej në gjirin e besimtarëve dhe të komunitetit. Gjatë Liturgjisë Kryepiskopi dha edhe një mësim praktik të vyer për ofertën e besimtarëve dhe kontributin e tyre për fuqizimin dhe mbështetjen e veprimtarive të Kishës. “Ndoshta vonuam kur e nisëm rrugëtimin tonë, sepse të tilla ishin kushtet historike dhe sidomos vështirësitë ekonomike të popullit, por tani është koha që t’i kthehemi traditës së Kishës Orthodhokse. Përditë, por sidomos të Dielave, besimtari nuk duhet të vijë duarbosh në Kishë; duhet të ofrojë, të dhurojë pavarësisht sa, për të mbështetur njerëzit më të dobët, për të kontribuuar në veprimtarinë arsimdashëse të Kishës, në veprimtaritë për të luftuar skamjen, për të ndihmuar të sëmurët dhe të pamundurit. Për të gjitha nevojiten mjete financiare, të cilat në shekuj i kanë ofruar bujarisht besimtarët. Këtë mësim le ta marrin të rinjtë tanë, - tha Kryepiskopi, duke marrë shkas edhe nga prania e madhe e të rinjve dhe nxënësve, - më i përfituar shpirtërisht del ai që jep sesa ai që merr. Është një mësim që, nëse i përmbaheni, vlerën e tij do ta ndieni gjatë gjithë jetës”.

Në Predikimin e tij mbi Ungjillin e ditës, Kryepiskopi u foli atërisht besimtarëve mbi dilemën që përmbahej në të, por që është edhe dilemë sfiduese, që përditë i parashtrohet edhe çdo njeriu e besimtari. Dilema nga të anosh mes përvojës, imponimeve të saj dhe porosisë së Perëndisë. Peshkatarët-apostuj kishin për të zgjedhur mes përvojës së tyre si peshkatarë të regjur, që u thoshte se përderisa gjatë gjithë natës që është koha e përshtatshme për të kapur peshq nuk kishin zënë asgjë, pse duhej në mes të ditës të hidhnin rrjetat? Dhe, nga ana tjetër, ai urdhër i Zotit: hidhini rrjetat me besim në fjalën time. Rezultati është i njohur natyrisht.

Por, për të përjetuar sikundër apostujt këtë eksperiencë dileme të bekuar dhe për të zgjedhur jo çka dikton përvoja, por urdhri i Zotit, duhen katër parakushte të plotësohen: besim në fjalën e Perëndisë, bindje pa kushte në dëshirën e Tij, përulje për të shmangur edhe shenjën më të vogël të egoizmit, si dhe guxim për të ndjekur deri në fund rrugën e Perëndisë.

Kryepiskopi e argumentoi gjithë këtë moment Evangjelik edhe me përvojën nga historia 25-vjeçare e rrugëtimit ngjallësor të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në kushtet ku ndodhej vendi dhe shoqëria në vitet ‘90, mbushur me bunkerë dhe ku ndihej aq e mprehtë era e dëshpërimit dhe braktisjes, përpjekjet hierapostolike nuk mund të jetonin veç pak muaj. Por u bënë 26 vjet pune krijuese dhe bekime aq të paimagjinuara për Kishën dhe shoqërinë tonë. Për shumë nga nismat aq të avancuara të Kishës sonë, të ndërmarra gjatë gjithë këtyre viteve, përvoja do të kishte për të manifestuar gjithë ato argumente refuzuese, por bindja te porosia e Zotit i ka shndërruar ato në realitete të bekuara...

Mitropoliti i Gjirokastrës, duke iu referuar të rinjve të shumtë entuziastë që ishin të pranishëm, i kujtoi Kryepiskopit se edhe atëherë kur nisi përpjekja e ringritjes së Kishës sonë ishin fëmijët të parët që afroheshin, veçse tani ka një ndryshim: Gjithë kjo rini dhe fëmijët janë tuajt, Fortlumturi, të shkollave të cilat themeloni dhe i mbani gjallë. Në kujtim të vizitës dhe Liturgjisë Hyjnore, thuajse një vit pas Shenjtërimit të Katedrales, Mitropoliti Dhimitër i dhuroi Kryepiskopit një shkop baritor arkieratik, duke e falënderuar për gjithçka ofron për ringritjen e strukturave të Kishës sonë veçanërisht në Mitropolinë e Hirshme të Gjirokastrës.

Në mjediset e sallës së veprimtarive të shkollës 9-vjeçare shqiptaro-greke “Frymë Dashurie”, vijoi festa e nxënësve të qendrave tona arsimore, si edhe pritja e takimi me besimtarët. Kryepiskopi përsëriti nxitjen e tij të përhershme që edhe ky komunitet Orthodhoks i Gjirokastrës dhe i enorive përreth të mos jetë i mbyllur dhe klub vetëm për vete, por dritare e hapur për të gjithë shoqërinë, ashtu siç duhet të jetë Kisha Orthodhokse, pritëse dhe rrezatuese e dhuratave të Shpirtit të Shenjtë: dashurisë, paqes, zemërgjerësisë, durimit etj.

Kryepiskopi Anastas u takua edhe me klerikët e Mitropolisë, shumica e të cilëve janë hirotonisur prej tij, duke i mbështetur dhe fuqizuar me fjalët e tij atërore në misionin dhe punën e vështirë për gjallërimin e enorive dhe komuniteteve lokale, punë e vyer për të gjithë Kishën tonë Orthodhokse.

 

* * *

 

Të hënën, 25 shtator, para se të vazhdonte rrugën drejt Tiranës, Kryepiskopi Anastas ishte i pranishëm në mjediset e kompleksit arsimor “Emaus”, ku u krye veprimtaria e përurimit të fillimit të veprimtarisë së tij të shkollës së mesme të përgjithshme “Frymë Dashurie”, vijim i asaj 9-vjeçare. Bëhet fjalë për një dhuratë tjetër dashurie të Kryepiskopit për të kontribuuar në punët arsimit cilësor të brezit tonë të ri.

Shërbesa e Ajazmës u krye në Paraklisin e Ngjalljes së Krishtit të kompleksit “Emaus”, ndërsa Kryepiskopi bashkë me Mitropolitin Dhimitër prenë shiritin e përurimit. Pas punëve rikonstruktuese, kompleksi ofron kushte ideale për shtrirjen e plotë të procesit mësimor dhe jashtëshkollor të këtij gjimnazi.

Më pas, në sallën polifunksionale të kompleksit, vijoi veprimtaria e rastit, ku të pranishëm ishin edhe Mitropolitët Dhimitër dhe Nathanail, Drejtoresha Rajonale e Arsimit, znj. Lindita Rova, Konsulli i Republikës Greke në Gjirokastër, z. Vasilios Tolos, kuadro dhe bashkëpunëtorë të Fondacionit “Frymë Dashurie”, klerikë, prindër e banorë të qytetit dhe zonës. Me fjalë shumë të ngrohta e të përzemërta, në emër të nxënësve të parë dhe stafit pedagogjik të zgjedhur, drejtori i shkollës, z. Theodhori Qesku shprehu falënderime për Kryepiskopin dhe uroi për përvjetorin e 25-të të Fronëzimit, të cilit edhe i përkushtohet kjo shkollë. Duke folur për synimet e shkollës, ai u shpreh se udhërrëfyese ka për të qenë mësimdhënia e pasur e Kryepiskopit tonë Anastas në cilësinë e bariut shpirtëror, por edhe të mësuesit të palodhur të auditorëve. Karakteristikat bazë të synimeve të kësaj qendre të re kanë për të qenë: falënderimi, dëshmia dhe shpresa.

Kryepiskopi Anastas uroi që shkolla të arrijë rezultatet e synuara dhe të tregohet e denjë për besimin që i ka dhënë Kisha dhe komuniteti ynë, por edhe të justifikojë investimin dinjitoz që i është vënë në dispozicion. Uroi nxënësit në veçanti që ambienti i tyre të mos preket kurrë nga mikrobe karakteristike të shoqërive shkollore, siç janë smira, xhelozia dhe egoizmi, por përkundrazi, të jenë gjithmonë faktorë të dashurisë, solidaritetit dhe garës së shëndoshë. Me fjalë të përgjithshme, Kryepiskopi nxiti që edhe kjo shkollë e Fondacionit “Frymë Dashurie”, themelues dhe President i të cilit është ai vetë, të jetë qendër ku të punohet për dashurinë, të vërtetën dhe të bukurën të frymëzuar dhe mbështetur nga Zoti ynë Jisu Krisht, që është Dashuria e mishëruar e Perëndisë, Bukuria e pambarim dhe e përkryer dhe e Vërteta absolute. Përgëzoi stafin pedagogjik që në një afat kaq të shkurtër ka arritur që të ketë vijimësi në programin mësimor dhe ambiente të pajisura sipas kërkesave.

Kori i shkollës 9-vjeçare e bëri akoma më të ngrohtë atmosferën dhe i dha jetë kompleksit.

Kryepiskopi dhe të pranishmit vizituan mjediset e shkollës, sallat e mësimit, laboratorët në funksion dhe ato në ngritje, si edhe bibliotekën.

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com