Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

- Kryepiskopit iu dha titulli “Qytetar Nderi” dhe u dekorua me Kryqin e Apostullit Pavël -

 

Mes emocionesh të fuqishme u realizua të enjten, më 21 shtator 2017, ceremonia e shpalljes “Qytetar Nderi” të Prevezës e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit. Fortlumturia e Tij nuk kishte qenë në këtë qytet, nga e ka origjinën e ëma, që në vitin 1933, në moshën 5 vjeç.

Kryepiskopi Anastas mbërriti në Prevezë të mërkurën në darkë. Të nesërmen, e enjte, 21 shtator, në orën 11.00, vizitoi Mitropolinë e Nikopolit dhe të Prevezës, i shoqëruar nga Mitropoliti i Amantias, Hirësia e Tij Nathanaili, ku u priten nga Mitropoliti Hrisostomos. Më pas, të gjithë bashkë iu drejtuan Bashkisë së qytetit.

Atje Kryepiskopi Anastas u prit nga Kryetari i Bashkisë së Prevezës, z. Kristos Bailis, zëvendës/ministri i Jashtëm i Greqisë, z. Janis Amanatidhis, deputetë të zonës, autoritetet dhe personalitete vendore.

Vijoi një vizitë në zyrën e Kryetarit të Bashkisë, ku zëvendës/ministri, z. Amanatidhis i përcolli Kryepiskopit Anastas urimet personale të Kryeministrit Aleksis Tsipras dhe të gjithë qeverisë greke. Në vazhdim, Kryetari i Bashkisë i uroi Kryepiskopit Anastas mirëseardhjen në Prevezë, në vendlindjen e nënës së Fortlumturisë, Roksani Maltezou, duke theksuar: “Është gëzim dhe nder për ne që jeni sot këtu. Do të doja të shprehja ndjenjat e gëzimit, të falënderimit, të respektit dhe të vlerësimit për personin Tuaj, të të gjithë banorëve të Prevezës. Do të doja t’iu uroja që Perëndia t’iu falë fuqi e shëndet të vazhdoni këtë vepër perëndidashëse. Një vepër që e kryeni këtu e 57 vjet. Do të doja të luteni për këtë vend ku janë edhe rrënjët Tuaja”.

Kryetari i Bashkisë dhe Kryepiskopi shkëmbyen dhurata. Dhurata e kryetarit të Bashkisë për Kryepiskopin ishte një shkop baritor, ndërsa Kryepiskopi nga ana e tij i dhuroi një ikonë dhe një reliev të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, të Tiranës.

Pastaj, në sallën e tejmbushur të qendrës kulturore të qytetit u zhvillua ceremonia zyrtare e shpalljes së Kryepiskopit “Qytetar Nderi” i Prevezës, ku kryetari i Bashkisë foli për veprën perëndidashëse të Kryepiskopit Anastas dhe gjithashtu lexoi vendimit unanim të Këshillit Bashkiak dhe i dorëzoi titullin Fortlumturisë së Tij.

Kryetari i Bashkisë, z. Kristos Bailis, iu referua lidhjes së Kryepiskopit Anastas me Prevezën, pasi është vendlindja e nënës së tij, si dhe veprës së Tij humane, sociale e filantropike në Shqipëri, kontributit të Tij ekumenik, duke e karakterizuar si një punëtor të vërtetë të Kishës, për 57 vjet në shërbim të paqes dhe të njeriut.

Kryepiskopi Anastas, në fjalën e tij, shprehu ndjenjat e përlavdërimit ndaj Perëndisë, të emocionit, të falënderimit dhe të optimizmit të thellë, ndërsa theksoi: «Gjendem sot në këtë proces kërkimi të rrënjëve të mia. Të gjithë kemi një histori qe lidhet me qytete konkrete, familje dhe njerëz. Dhe duhet, gjithmonë me ndjenjë mirënjohjeje të kujtojmë gjithë këtë radhë të njerëzve të bekuar që na ndihmuan në hedhjen e hapave tanë”. Kryehierarku, siç u shpreh, e ndjeu të nevojshme t’i uronte komunitetit të Prevezës “vërtetësi, dashuri dhe mirësi, tri karakteristikat qe përcaktojnë Orthodhoksinë”.

Në orën 18 të së enjtes pasdite, Kryepiskopi Anastas u prit në kishën e Shën Harallambit ku, në prani edhe të Mitropolitëve të Paramithisë, Artës, Janinës, Lefkadhës dhe Etoloakarnanisë u zhvillua një Dhoksologji. Pas saj, Mitropoliti Hristostomos e dekoroi Kryepiskopin Anastas me Medaljen më të Lartë të Nderit të Mitropolisë, me Kryqin e Apostullit Pavël.

Në orën 19.00, veprimtaritë vijuan me koncert në qendrën kulturore, ku u shfaq një film dokumentar për veprën e realizuar në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ndërsa një grup i muzikës popullore greke të Shkollës Muzikore të Prevezës, prezantoi katër këngë tradicionale nga krahina e Pogonit.

Të premten, 22 shtator, Kryepiskopi Anastas vizitoi me emocione të thella varret e gjyshërve të tij (familja Maltezu) në varrezat e Prevezës, si dhe Muzeun e Nikopolit.

 

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com