Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

 

- Liturgji Hyjnore nën kryesimin e Kryepiskopit të
Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit

 

- Nëse duam të shprehim dashurinë dhe nderimin për Shën Kozmain le ta imitojmë atë në vepra dashurie sikundër ai na nxit në mësuesinë e tij shpirtërore -

 

Panegjiret shpirtërore, sikundër e përcaktojnë tipikotë e Kishës sonë Orthodhokse, janë plot madhështi dhe shkëlqim. I tillë ishte edhe 24 Gushti, e kremtja e Shenjtorit fort të dashur për popullin Orthodhoks, e shën Kozmait të Etolisë, në Manastirin që i kushtohet, ku ndodhet edhe varri i tij.

Besimtarë të shumtë nga Myzeqeja dhe zona të tjera të vendit tonë, si edhe nga Greqia, kishin mbushur që në datën 23 gusht ambientet e Manastirit, për të marrë pjesë në shërbesat dhe veprimtaritë adhuruese. Të mërkurën në mbrëmje u krye Shërbesa e Mbrëmësores dhe Bekimi i Pesë Bukëve, si edhe Pasdarka e Madhe, nën kryesimin e Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, Imzot Nikollës. Në vijim pati veprimtari shpirtërore kryesisht për të rinjtë, por edhe për besimtarët e tjerë, me epiqendër jetën dhe predikimin e Shën Kozmait. Gjithashtu, u fol edhe për veprën rigjallëruese të Kishës sonë Orthodhokse në dekadat e fundit.

Të enjten u krye Liturgjia Hyjnore nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shipërisë, Imzot Anastasi, ku bashkëmeshuan edhe Mitropoliti i Beratit, Ignati; i Gjirokastrës, Dhimitri; i Fierit, Nikolla; i Amantias Nathanaili dhe Episkop Asti dhe klerikë të zonës, por edhe të ardhur nga Greqia. Besimtarët mbushën kishën, që këtë vit ishte edhe më e rregulluar dhe zbukuruar, veçanërisht ambientet përreth dhe me përdëllimtari u lutën në hirin e Shën Kozmait për ndërmjetimet e tij më Zotin Jisu Krisht. Të pranishëm ishin edhe Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër, z. V. Tolios, Prefekti i zgjedhur i zonës së Epirit, z. A. Kahrimanis, Dekani i Fakultetit Teologjik të Universitetit të Selanikut, prof. M. Tritos.

Gjatë qinonikosë, nga arkimandriti Kozma u lexuan pjesë të zgjedhura porosish shpirtërore nga mësimdhënia dhe predikimi i Shën Kozmait, që e ruajnë aq shumë vlerën e tyre edhe në kohë.

Kryepiskopi Anastas iu drejtua besimtarëve me një predikim të ngrohtë, duke pasur në epiqendër personalitetin e Shën Kozmait, pika thelbësore e jetës dhe veprës së tij dhe i nxiti besimtarët për të qenë të denjë në nderimin që i bëjnë shenjtorit dhe të zbatojnë mësimet që ai la si testament për sa i përket besimit, përdëllimtarisë, dashurisë për Perëndinë dhe njerëzit dhe përkushtimin e rrallë në besim. Si një nga karakteristikat bazë të Shën Kozmait ai përmendi faktin se ai braktisi qetësinë e jetës në Manastir, për të ofruar dritë në kandilin e besimit Orthodhoks që po fikej në këto treva nën hijen e errësirës otomane. Bëri paralelizëm me tragjedinë e Kishës sonë në shekullin e kaluar kur, duke shpallur vendin si ateist, donin ta varrosin një herë e mirë besimin e Krishterë, ndërkohë që tani përjetojmë për 25 vjet mrekullinë e ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Shën Kozmai përveç sakrificave të tjera, dha edhe jetën e tij për të shpallur besimin dhe na mëson kështu se çdo besimtar Orthodhoks, për të qenë i denjë i këtij emri, ka për detyrë ta shpallë besimin në ambientin ku jeton të vogël apo më të gjerë.

Në nderim të kujtimit të Shenjtorit Kozma nga Etolia, aq të njohur dhe të dashur për popullin besimtar, Kryepiskopi Anastas ka realizuar që herët veprën e rindërtimit të plotë të këtij Manastirit dhe restaurimin e kishës, si dhe ndërtimin e 5 kishave të tjera në nderim të tij. Thuajse çdo vit ndriçon me praninë e tij veprimtaritë adhuruese e shpirtërore ndërsa vetë veprimtaria e tij hierapostolike në vendin tonë përbën vijim në hapat e Shën Kozmait.

Pas Liturgjisë Hyjnore vijoi Litania e Lipsanit të hirshëm të Shën Kozmait dhe Ikonës së tij të nderuar, ndërsa besimtarët pjesëmarrës patën rastin edhe një herë tjetër t’i falen Lipsanit të nderuar.

Në ambientet e Manastirit vijoi një pritje e thjeshtë për miqtë nga larg dhe besimtarë të tjerë, ku grupet rinore të Mitropolisë së Apollonisë dhe Fierit dhanën një program të shkurtër artistik dhe gjithashtu folën për përvojat e tyre nga kampingjet dhe grupet e katekizmit. Kryepiskopi i përgëzoi dhe i falënderoi ndërsa foli për vepra të reja, me projekte ambicioze, si shkolla dhe kisha, por edhe për hidrocentralin e ri, nisma këto për t’i dhënë kuptim më të thellë edhe përvjetorit të 25-të të ringritjes kanonike të Kishës sonë, pas zgjedhjes dhe fronëzimit të Kryepiskopit Anastas, në vitin 1992.

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com