Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

Kryepiskopi Anastas në krahinën me tradita orthodhokse të Shpatit

 

Në të kremten e Metamorfozës ai kreu Liturgjinë Hyjnore në Gjinar

 

6 Gushti, e kremtja e madhe e Metamorfozës së Shpëtimtarit, këtë vit ishte e veçantë për banorët e krahinës me tradita të Shpatit, në Mitropolinë e Elbasanit. Ata kishin mes tyre Kryepiskopin Anastas, i Cili kishte ardhur për të festuar bashkë me ta. Kryepiskopi mbërriti në pasditen e datës 5 gusht dhe në mëngjes u drejtua për të kryer Liturgjinë Hyjnore në kishën e Ngjitjes së Zotit Krisht në Qiell (Analipsit), në Gjinar, që është edhe qendra e zonës. Kjo kishë u ndërtua në vitin 1996 me elemente parafabrikate dhe u rikonstruktua plotësisht në vitin 2009, gjithmonë me kujdesin dhe fondet e Fortlumturisë së Tij.

Për ta pritur Kryepiskopin kishin dalë shumë besimtarë nga Gjinari dhe zona përreth, ku binte në sy veçanërisht numri i madh i fëmijëve dhe të rinjve, si dhe veshjet karakteristike të zonës. Nuk mungonte edhe atmosfera festive që krijonin instrumentet muzikore popullore, që e shoqëruan deri në hyrje të saj. Kryepiskopi Anastas meshoi së bashku me Mitropolitin e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Andonin, Mitropolitin e Amantias, Nathanailin dhe klerikë të zonës.

Gjatë Liturgjisë, Kryepiskopi i dha titullin titullin Stavrofor, priftit të kësaj enorie, atë Jani Ranxhën, ndërsa në fund iu drejtua besimtarëve duke folur për kuptimin e së kremtes dhe lidhjen e ngushtë që ka ndjerë gjithmonë me këtë krahinë me tradita në besim. Pastaj, në emër të besimtarëve, Mitropoliti Andon falënderoi Fortlumturinë e Tij për këtë vizitë dhe kujdesin e treguar gjatë gjithë këtyre viteve. Në fund të të Liturgjisë u krye bekimi i rrushit, që siç është traditë në Kishën tonë Orthodhokse bëhet në datën 6 gusht.

Pas Liturgjisë, në një mjedis të bukur natyror mes pishave, u dha një shfaqje artistike, me pjesëmarrjen e fëmijëve të kampit ditor, grupit karakteristik të zonës etj. Ata iu drejtuan Kryepiskopit me fjalë të ngrohta mirënjohjeje dhe urime për gjithë çka bërë për ta dhe morën duartrokitjet dhe bekimet prej tij. Madje Kryepiskopi u ngrit dhe qëndroi në mes të valltarëve, që e rrethuan me entuziazmin e tyre. Në fund, Kryepiskopi u shpërndau ikona dhe u dha bekimet e tij të gjithë pjesëmarrësve.

Kryepiskopi Anastas bëri edhe një vizitë në fshatin e largët Zavalinë, pavarësisht temperaturave të larta dhe rrugës mjaft të dëmtuar. Por më parë, Fortlumturia i Tij ndaloi në fshatin Nezhan, në shtëpinë e atë Kosta Pëllumbit, 94 vjeç, ndoshta i vetmi klerik i mbetur nga brezi i para viteve 90. Më pas ndalesa ishte në kishën e Shën Gjergjit në Zavalinë, ku u prit nga besimtarët dhe atë Sotir Toçi. Aty u krye Paraklisi i Vogël i Hyjlindëses dhe u mbyll me një vizitë në njësinë administrative.

Krahina e Gjinarit ka pasur tradita të hershme orthodhokse, ku mund të veçojmë dy kishat e shekullit të XVI-të në Shelcan dhe Valsh, “Shën Nikolla” dhe “Shën Parashqevia”, të pikturuar nga ikonografi i madh, protopapa Onufër. Shpati përmendet edhe për një veçori tjetër unike. Në kulmin e represionit osman, që kërkonte t’u ndërronte me çdo kusht besimin, për t’i shpëtuar atij, mjaft banorë u deklaruan myslimanë dhe ndërruan emrat, por ruanin edhe emrin e krishterë dhe kryenin fshehtas ritet. Pas pushtimit turk, ata në mënyrë masive deklaruan se ishin të krishterë dhe shfaqën besimin që kishin ruajtur me aq vështirësi. Pas viteve 90 kjo krahinë është dalluar për përkushtimin dhe klerikët e shumtë që ka nxjerrë, si dhe nxënësit e shumtë e të dalluar që kanë përfunduar Akademinë Teologjike dhe Liceun “Kryqi i Nderuar” etj. Gjithashtu, përveç ndërtimit të disa kishave, qendrës rinore etj., me kujdesin e drejtpërdrejtë të Kryepiskopit Anastas, në këtë krahinë janë zbatuar projekte të shumta zhvillimi për përmirësimin e gjendjes ekonomike, sidomos nëpërmjet zyrës “Diakonia Agapes” të Kishës, projekte që vazhdojnë edhe sot.

 

 

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com