Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

25 vite nga zgjedhja e Fortlumturisë së Tij Anastasit, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

 

Liturgji Hyjnore festive në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”

 

Sot, 24 qershor 2017, me një Liturgji Hyjnore panegjirike u kremtua 25-vjetori i zgjedhjes nga Patriarkana Ekumenike i Fortlumturisë së Tij Anastasit, si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë. Në Liturgji bashkëmeshuan anëtarë të Sinodit të Shenjtë; Mitropoliti i Beratit Ignati, Mitropoliti i Gjirokastrës Dhimitri, Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit Nikolla, Mitropoliti i Elbasanit dhe Shpatit, Andoni dhe Mitropoliti i Amantias, Nathanaili; si dhe klerikë të dorëzuar nga Kryepiskopi Anastas në këto vite.

Në fund të Liturgjisë Hyjnore, Kryepiskopi Anastas iu drejtua besimtarëve duke falënderuar së pari Perëndinë për dhuratat e bollshme në këto vite, si dhe bashkëpunëtorët e tij në Sinodin e Shenjtë. Më tej, Kryepiskopi përmblodhi edhe një herë momentet më domethënëse dhe vështirësitë që përshkuan zgjedhjen e Tij, veçanërisht për t’ua bërë të njohura më të rinjve, që nuk i kanë jetuar ato ditë historike për Kishën tonë. Ai tregoi për ardhjen në Shqipëri si Ekzark Patriarkal, njohjen me zgjedhjen si Kryepiskop nga Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës më 24 qershor 1992, ngurrimet për pranimin e detyrës dhe kushtet që kjo zgjedhje të bëhej efektive, pranimin e detyrës dhe pengesat që pasuan nga grupe që nuk e donin ringritjen kanonike të Kishës sonë. Pastaj, Fortlumturia e Tj u ndal tek dhuratat e shumta që Perëndia i dhuroi Kishës dhe besimtarëve në këto vite, duke marrë si shembull edhe rreth 45 klerikë të dorëzuar nga vetë ai, që merrnin pjesë në këtë Liturgji Hyjnore dhe shprehu sigurinë se këto bekime nuk do mungojnë edhe në të ardhmen. Pastaj, të rinj dhe besimtarë i dhuruan lule Kryepiskopit Anastas, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje të thellë për gjithë çka bërë për Kishën dhe vendin tonë në këto vite baritimi si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, urime dhe falënderime që vazhduan edhe pas mbarimit të shërbesës, në mjediset e Kompleksit të Katedrales.

Fillimi i viteve ’90, megjithëse formalisht ishte rifituar liria e besimit, ishte dramatik për Komunitetin e besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë. Pa asnjë episkop, madje pa asnjë kandidat për t’u ngritur në këtë gradë; vetëm 15 klerikë në moshë pensioni e të sëmurë, pa kisha (ato ishin shkatërruar apo transformuar në objekte laike), pa mundësi financiare, për shkak të varfërisë së thellë, por edhe sepse shteti nuk mori përsipër asnjë detyrim për t’i mbështetur komunitet fetare, gjendja ishte dëshpëruese. Në këto kushte, i vetmi autoritet që kishte përgjegjësinë dhe mundësinë për të marrë iniciativa për ringritjen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri, ishte Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës, Kisha Mëmë, që Kishte dhënë Tomosin e Autoqefalisë, në vitin 1937. Ajo njihet nga të gjitha Kishat Orthodhokse si e para për nga radha dhe përgjegjëse për Kishat nevojtare. Patriarkana dërgoi në Shqipëri për të parë situatën dhe nevojat një nga njerëzit më të kualifikuar, të njohur në të gjithë botën Orthodhokse dhe më gjerë, Mitropolitin e Andrusës, Prof. Dr. Anastasin, në atë kohë Moderator i Komisionit të Misionarizmit dhe Ungjillëzimit të Këshillit Botëror të Kishave dhe Kryepiskop i komanduar i Arqidioqezës së Kenias, Ugandës dhe Tanzanisë.

Pas mbërritjes në vendin tonë, ai u përkushtua për ndryshimin e gjendjes dramatike, duke nisur me hapjen e Seminarit për përgatitjen e klerikëve të rinj e ringritjen e enorive dhe të jetës shpirtërore dhe liturgjike, duke vazhduar me riparimin e objekteve ekzistuese dhe me përpjekjet për ngritjen e kishave të reja. Ishte kjo punë vetëmohuese, e cila i bindi orthodhoksët e Shqipërisë, që t’i kërkonin zyrtarisht Patriarkanës Ekumenike që ta kishin Anastasin si Atin dhe Kryebariun e tyre.

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com