Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

Dorëzimi i diplomave studentëve që mbarojnë Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në manastirin e ri të Shën Vlashit, kthehet çdo vit në një moment feste dhe hareje. Festë për ata që do të jenë klerikë dhe katekistë të rinj të Kishës sonë dhe gëzim për sukseset gjithnjë në rritje të sistemit të saj arsimor.

Të shtunën, 10 qershor 2017, ishte kurorëzimi i përpjekjeve katërvjeçare të dymbëdhjetë studentëve të Akademisë Teologjike. Me këtë rast, në Sallën e Konferencave u zhvillua ceremonia e rastit, ku mori pjesë Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi, që është edhe Presidenti i Akademisë, themeluesi dhe ndërtuesi i saj. Morën pjesë edhe Mitropoliti i Beratit, Ignati, Mitropoliti i Apolonisë dhe Fierit, Nikolla; Mitropoliti i Elbasanit, Andoni; Episkopi i Bylisit, Asti, stafi mësimor, prindër etj. Për të rinjtë ishte një gëzim i veçantë që diplomat i morën bashkë me bekimet për jetën e tyre nga duart e Kryepiskopit Anastas.

Fortlumturia e Tij shprehu gëzimin e tij atëror për kurorëzimin me sukses të përpjekjeve të tyre në arsimin teologjik, dhe iu tha se Akademia lindi nga nevoja kishtare, por edhe nga dashuria dhe përkushtimi ndaj Perëndisë dhe Kishës së tij nga një brez që sot mbajnë përgjegjësinë e lartë të klerikut dhe të teologut. Vepra e saj vazhdoi me një risi të re për mentalitetin, e padëgjuar deri atëherë në Shqipëri, të pranimit edhe të studenteve, ku njëherë e përgjithmonë pushoi zërat se “Kisha është vetëm për burrat”, studente të cilat edhe sot e kësaj dite shërbejnë kudo në Kishë në funksione të ndryshme. Akademia vjen në kohën tonë si kandidate e denjë dhe shumë pranë njohjes nga shteti, në rangun e një universiteti që i përmbush të gjitha kriteret mësimore dhe ligjore shtetërore për t’u emërtuar si i tillë. Mes mesazheve shpirtërore dhe bekimeve të shumta atërore, Kryepiskopi Anastas e përfundoi fjalën e tij, duke ritheksuar fjalët e Zotit në Ungjill: “Kujt i është dhënë shumë, do t’i kërkohet shumë”.

Falënderimet ndaj Hierarkëve të pranishëm dhe familjarëve të studentëve dhe miqve të pranishëm u bënë në emër të stafit nga Drejtori i komanduar, Mitropoliti i Apolonisë dhe Fierit, Nikolla. Ndërsa në emër të studentëve foli e diplomuara me rezultatet më të larta, Olimbi Selenica, e cila theksoi punën e palodhur të Kryepiskopit në mbarëvajtjen e Akademisë, të stafit pedagogjik dhe të gjithë atyre që shoqëruan rrugëtimin e tyre këto katër vite. Ndërsa studentja e dytë me rezultate më të larta, Matilda Dedja, lexoi disa materiale shpirtërore, si një buqetë plot mesazhe, dhënë studentëve të sapodiplomuar dhe të gjithë pjesëmarrësve. Aktiviteti u shoqërua edhe nga Kori i Akademisë. Dita përfundoi me drekën përshëndetëse tradicionale.

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com