Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

Kryepiskopi Anastas shpallet “Qytetar Nderi” i Larisës

 

“Larisa dhe Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Larisës ju mirëpresin me ndjenja respekti, gëzimi dhe emocione. Padyshim, vizita juaj këtu është nder i veçantë për qytetin tonë, për kryeqytetin e Thesalisë me histori 8000 vjeçare”. Kështu iu drejtua Kryepiskopit Anastas Kryetari i Bashkisë së Larisës, Apostolos Kallojanis, me rastin e dorëzimit të titullit “Qytetar Nderi” Fortlumturisë së Tij. Ai theksoi ndër të tjera: “Qyteti ynë është një qytet i hapur, si gjeografikisht edhe në aspektin kulturor. Pozita gjeografike dhe dinamika e fushës së pambarimtë kanë prodhuar një shoqëri të hapur multikulturore. Ky qytet ju mirëpret sot. Është më se e qartë për të gjithë ne, anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe qytetarët tanë, se Larisa i akordon titullin e Qytetarit të Nderit një personaliteti të madh dhe të veçantë, me rrezatim ndërkombëtar dhe me një vepër të madhe hierapostolike dhe shoqërore, një Hierarku që jetën e vet ia ka kushtuar shërbimit kishtar, hierapostolik, njerëzor, shkencor dhe krijues, duke vendosur në epiqendër njeriun që ndoshet në nevojë”.

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, thellësisht i emocionuar, u shpreh se “është e ndjeshme kudo fisnikëria dhe dinamizmi që karakterizon banorët e Larisës. Ndihem i befasuar nga ky vërshim fisnikërie dhe delikatese”.

Referuar zhvillimeve në Ballkan, Kryepiskopi theksoi se “të tjerët ngrenë mure, ne besojmë tek urat, sepse urat kanë edhe bukuri, edhe perspektivë. Jetojmë në një epokë të vështirë. Dhe në këtë epokë duhet të bëjmë rezistencë ndaj dekadencës. Dhe rezistenca nuk është gjë tjetër, përveçse cilësi. Dhe kësaj cilësie ju i shërbeni në mënyrën më të mirë në shumë sektorë”.

Në fund të ceremonisë së shpalljes së Kryepiskopit “Qytetar Nderi”, kryetari Bashkisë së Larisës ruajti një befasi, duke shpallur se do t’i propozonte Këshillit Bashkiak që ura e madhe qendrore pedonale mbi lumin Pinios të marrë emrin e Kryepiskopit Anastas.

Ia vlen të shënohet pritja e ngrohtë që iu bë nga ky qytet Kryepiskopit të Tiranës, të Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, ndërsa gjatë mbërritjes së Tij në Bashki, ai u prit nën tingujt e Filarmonisë së qytetit.

Në ceremoninë e shpalljes Qytetar Nderi të Kryepiskopit, morën pjesë zëvendësministri i Zhvillimit Agrar dhe Ushqimor, Vasilis Kokalis, që përfaqësoi Qeverinë, Mitropoliti i Larisës dhe i Tirnavos, Hirësia e tij Ignati, deputetë, prefekti i Larisës, kryetarët e bashkive të rrethit të Larisës etj. Ishte e pranishme edhe ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, zonja Ariana Hobdari.

 

Kryepiskopi Anmastas nga Shën Ahilios: “Të mbeteni Dëshmitarë të Ungjillit dhe të Jisu Krishtit”

 

Në Kishën e Shenjtë Metropolitane të Shën Ahilios të Mitropolisës së Larisës u organizua pritja zyrtare dhe Dhoksollogjia për nder të Kryepiskopit të Tiranës, të Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit.

Fortlumturia e Tij, bashkë më grupin që e shoqëronte, u prit ngrohtësisht nga Mitropoliti Ignat dhe nga Mitropoliti i Elassonës, Haritoni.

Në vazhdim u zhvillua Dhoksollogjia panegjirike, gjatë së cilës Mitropoliti Ignat i uroi mirëseardhjen Primatit të Kishës së Shqipërisë.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Kryepiskopi Anastas, pasi falënderoi Mitropolitin e Larisës për mikpritjen, iu referua veprës hierapostolike në Shqipëri dhe, duke përfunduar fjalën e Tij, ftoi të gjithë besimtarët të mbeten Dëshmitarë të Ungjillit dhe të Jisu Krishtit.

 

Kryepiskopi Anastas: “Nuk kemi të njëjtën gjuhë, por jemi të gjithë bij të të njëjtit Perëndi”

 

Çaste të rralla emocionuese u krijuan mesditën e së mërkurës në kampin e refugjatëve në Kucoheri, gjatë vizitës që bëri aty Kryepiskopi Anastas. Hierarku i Kishës u prit ngrohtësisht dhe bëri mjaft përshtypje sjellja tepër e ngrohtë ndaj tij e fëmijëve të vegjël, që vërshuan ta përqafojnë dhe t’i puthin dorën.

Kryepiskopi Anastas, duke iu referuar dramës së tyre, u kërkoi gjatë bashkëbisedimit që të vazhdojnë të besojnë dhe të shpresojnë për ditë më të mira. “Nuk kemi të njëjtën gjuhë, por jemi të gjithë bij të Perëndisë”, theksoi ai.

 

Ndalesë në Meteora

 

Kryepiskopi Anastas u prit në hyrje të Manastirit të Shenjtë të Shën Theodhorit, në Meteora, nga Mitropoliti i Janinës dhe Mëkëmbësi i Mitropolisë së Shenjtë të Stagonës dhe Meteoras, Maksimos. Në vazhdim u krye një Dhoksollogji në kishë dhe më pas, u bë një shërbesë përkujtimore në varrin e të ndjerit Mitropolit të Stegonas dhe Meteoras, Serafim.

 

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com