Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

Vizitë e Kryepiskopit Anastas në Shkollën Amerikane Bujqësore të Selanikut,
që do të mbështesë në krijimin e Institutit të Shkencave Agronomike në Sukth,
si pjesë e Kolegjit Universitar “Logos”

 

Nga 20-22 maj 2017, Kryepiskopi Anastas vizitoi Shkollën Amerikane Bujqësore të Selanikut. Vizita kishte për qëllim intensifikimin e kontakteve dhe konkretizimin e bashkëpunimit për programin e zhvillimit të veprimtarive në sektorin bujqësor e agroushqimor të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe në veçanti atë të përgatitjes së specialistëve në këtë fushë. Kryepiskopi shoqërohej nga Mitropoliti i Amantias, Nathanaili, dhe dhjakon Spiro Topanxha e z. Orfea Beci.

Fortlumturia e Tij u njoh nga afër me ecurinë historike të kësaj shkolle, e cila ka formën e një kolegji të plotë me disa njësi arsimore, duke filluar nga kopshti i fëmijëve e deri te studimet për nivelin bachelor në drejtimin agroushqimor. Ai u njoh me arritjet e saj në formim e në kërkimin shkencor, si dhe me drejtimet ku përvoja e saj më shumë se shekullore mund t’i vijë në ndihmë përpjekjes për themelimin e Institutit të Shkencave Agronomike, pjesë e Kolegjit “Logos”.Kryepiskopi Anastas u prit nga Presidenti i Shkollës, dr. Panos Kanelis, ndërsa gjatë ditëve të qëndrimit pati takime me drejtorët e njësive përbërëse të Institucionit edhe me pjesëtarët e bordit të shkollës. Me z. Kanelis pati dhe takim të posaçëm për të detajuar më tej hapat që parashikon marrëveshja e firmosur muaj më parë mes tij, në cilësinë e Presidentit të “Logos” dhe z. Kanelis, si President i Shkollës Amerikane Bujqësore, për projektin e themelimit të qendrës sonë në Sukth.

Në këtë kuadër, z. Kanelis komunikoi se tashmë Shkolla Amerikane Bujqësore e ka marrë në patronazh të drejtpërdrejtë këtë projekt, si për studimet bazë sipas legjislacionit shqiptar, ashtu edhe për veprimtari të tjera, si kualifikimi në vijim i fermerëve, aplikimi pilot i metodave të avancuara të kultivimit bimor e mbarështimit shtazor, kulturë ekologjike etj. Nga ana e Institutit të tyre dhe Fakultetit të Kualifikimit Profesional Agroushqimor është ngritur një grup pune i posaçëm, që të jetë në kontakt të vazhdueshëm me homologët tanë dhe t’u përgjigjet të gjitha nevojave për përmbylljen e projektit.

Kryepiskopi Anastas u takua me nxënësit e të dyja shkollave të mesme të Kolegjit, atë të përgjithshme dhe profesionale agroushqimore dhe i bekoi ata me rastin e provimeve të fundvitit dhe të pjekurisë. Ai pati edhe një takim të veçantë me nxënës të dalluar të klasave të fundit, ku ishte emocionues fakti që kishte nxënëse edhe nga Shqipëria. Kryepiskopi iu drejtua posaçërisht atyre, duke i nxitur që kudo ku të ndodhen dhe me gjithë ecurinë e tyre të suksesit në arsimim dhe kualifikim të mos harrojnë kurrë vendlindjen dhe të gjejnë mundësitë për ta ndihmuar dhe kontribuuar.

Ndërsa në sallën e madhe të ceremonive të kolegjit Kryepiskopi u prit me këngë mirëseardhjeje nga kori i nxënësve dhe bekoi vogëlushët e shkollës fillore dhe kopshteve.

Kryepiskopi Anastas u njoh nga afër edhe me gjithë infrastrukturën e fermës së tyre, që është njëherësh didaktike, kërkimore dhe prodhuese, një përvojë e vyer kjo për të drejtuar të gjithë hapat që edhe Kisha jonë ka ndërmarrë në këtë drejtim.

Presidenti i Shkollës, dr. Kanelis, u shpreh se kjo vizitë do të mbetet një ngjarje shumë e rëndësishme për institucionin, stafin mësimor, punonjësit dhe sidomos komunitetin e nxënësve dhe studentëve. Ai shprehu mirënjohjen për dhuratat e dritës, të bekimit dhe të Perëndisë, që në mënyrën e tij unikale i përcolli Kryepiskopi. Ai shpalli njëherësh vendimin e bordit të shkollës për akordimin e dy bursave studentore: një në drejtim të fermave dhe një në drejtim të përpunimit të produktit ushqimor, për të rinj që do të përzgjidhen nga Kisha jonë.

Kryepiskopi shprehu falënderimin për këtë dhuratë, por edhe për gatishmërinë e shprehur që në fillim të kontakteve dhe zyrtarisht gjatë kësaj vizite për të asistuar të gjithë programin agroushqimor të Kishës sonë dhe Kolegjit Universitar “Logos”. Kisha jonë, duke kërkuar rrugë dhe mënyra të reja për të kontribuuar në përparimin e vendit në përgjithësi, natyrshëm orientohet dhe në sektorin agroushqimor dhe, duke kërkuar eksperiencë për këtë, zgjodhi pikërisht një institucion në avangardë siç është kjo shkollë.

 

Instituti i Shkencave Agronomike

 

Në kuadrin e thellimit dhe zgjerimit të Kolegjit Universitar “Logos”, sipas mundësive që krijon kuadri ligjor për arsimin e lartë në Shqipëri, por edhe me synim vazhdimësinë e gjithë veprimtarisë së Kishës sonë në sektorin agrar dhe të mjedisit, Kryepiskopi Anastas po konkretizon nismën e tij për krijimin e Kolegjit profesional në Sukth, si pjesë e “Logos”, në formën e Institutit të Shkencave Agronomike. Realizimi i këtij projekti ambicioz nga njëra anë do të ofrojë mundësi për të rinj dhe të reja që të marrin arsim të kualifikuar në fushën e prodhimit bujqësor e blegtoral, por, nga ana tjetër, është një mbështetje për fuqizimin e ekonomisë së vendit, duke i dhënë asaj teknikë dhe kuadro të denjë në një sektor me peshë të rëndësishme në veprimtarinë prodhuese

Kisha jonë Orthodhokse gjatë gjithë këtyre viteve të ringritjes dhe ecjes së saj përpara nën kujdesin dhe frymëzimin e Kryepiskopit Anastas, njëherësh ka treguar kujdes edhe për programe-pilot në krijimin e fermave bujqësore (rasti i Rrushkullit dhe i Xarrës), në promovimin e kultivimeve alternative të bimëve aromatike dhe mjekësore (seminare trajnuese në zonat e Elbasanit), veprimtari mjedisore (programe me universitete të huaja dhe zhvillim i lëndës së ekologjisë në institucionet veta arsimore) etj. Të gjitha këto në frymën e përmirësimit të nivelit të jetesës së grigjës së saj, përderisa shumica e enorive tona janë në zona rurale dhe agrare, por edhe për të kultivuar te rinia dashurinë për tokën, që ajo t’i kthejë sytë nga veprimtaritë ekonomike të lidhura me bujqësinë, blegtorinë dhe përpunimin e ushqimit.

Instituti që është duke marrë formë me ekspertizën e zgjedhur të një prej qendrave më të kualifikuara në Greqi dhe jo vetëm sikundër Shkolla Amerikane Bujqësore e Selanikut (grupi i asistencës është nën kujdesin e Dekanit të Fakultetit të saj Profesional, dr. Vangelis Vergos), është e nivelit pas shkollës së mesme në katër gjashtëmujorë studimesh akademike dhe synon pajisjen e studentëve me diplomë profesionale, fillimisht në dy degë: menaxhim i fermës agrare dhe marketing i produktit agroushqimor.

Paralelisht, synimi është që në këtë Institut, që do të funksionojë në Sukth, në një pronë që lejon zhvillim të pandërprerë, do të krijohet edhe një fermë shembullore si infrastrukturë didaktike për studentët, por edhe prodhuese.

Sipas përvojave më bashkëkohore, ambicia është që qendra të shërbejë edhe për kualifikim të pandërprerë përmes seminareve afatshkurtra e praktikave në terren të personave nga të gjitha zonat e Shqipërisë.

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com