Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

Prania në veprimtari dhe fjala e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, u quajt nga profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Athinës, z. Paskalis Qitromilidhis, si evenimenti më i rëndësishëm i edicionit të 14-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Librit të Selanikut. Kjo Ekspozitë përbën një nga mjediset kulturore dhe intelektuale më kërkuese dhe cilësore dhe, nga ana e shtypit dhe kritikës, takimi i dy figurave intelektuale si Kryepiskopi Anastas dhe Prof. Qitromilidhis u konsiderua koincidencë fatlume për këmbimin e mesazheve dhe ideve në lëmin e mendimit filozofik dhe zhvillimeve sociale.

Të shtunën pasdite, 13 maj, Prof. Qitromilidhis prezantoi para një publiku si rrallëherë të shumtë në numër, personalitetin e nderit të Edicionit të vitit 2017 - Kryepiskopin Anastas, duke iu referuar jetës dhe veprës së tij shkencore. Ai e ndau veprën e Kryepiskopit Anastas në tri grupe të mëdha: Fetarologji, me hulumtimet e tij origjinale dhe të thelluara; Hierapostullimi, si një nga fushat ku spikati dhe është gjerësisht i njohur dhe Ekumenike, si përjetim i problemeve të njerëzimit dhe përpjekje solidarizimi me njeriun.

Kryepiskopi falënderoi për praninë dhe atmosferën e ngrohtë publikun e interesuar për të dëgjuar fjalë shpirtërore dhe meditim intelektual, për të cilin Selaniku spikat, dhe vijoi duke ilustruar me përvojën e tij të pasur të jetës, hulumtimit e didaktikës shkencore dhe baritimit atëror, dëshminë e hierapostullimit Orthodhoks. Ligjërata e tij ishte e mbushur me ide për rolin e misionin dhe mundësitë e pakufizuara të Orthodhoksëve për t’iu përgjigjur atij.

Të nesërmen, e diel 14 maj, në sallën e Teatrit “Aristotelio: të Selanikut, të mbushur plot e përplot tej kapacitetit (më shumë se 1500 vetë sipas organizatorëve), nga ana e Shtëpisë Botuese “En Pllo”, u organizua prezantimi i librit më të ri të Kryepiskopit Anastas: “Egrigorsi – chreos ton Christianon” (Zgjim – detyrë e të Krishterëve). Prania e autorit, Kryepiskopit Anastas, tërhoqi të interesuarit jo thjesht për pjesëmarrje formale në event, por për një përjetim të thellë të ideve që Kryepiskopi shpalosi në ligjëratën e tij të rastit.

Në hyrje të veprimtarisë promovuese foli botuesi, z. Aleksandros Karavanis, duke i mëshuar idesë se me reputacionin e tij Kryepiskopi Anastas ngre barrikada ndaj fanatizmit, linjave të ndasisë, polarizimit shoqëror dhe etnoracizmit dhe theksoi nuancën apostolike të veprës së Tij.

Mbi librin folën edhe Prof. i Kirurgjisë, z. Jeorjios Papajeorjio, i cili bëri një vlerësim të përgjithshëm të librit, me referime të posaçme për kapitujt që përmban. Profesori i Fakultetit të Theologjisë së Universitetit Aristotelian, z. Harallambos Atmatzidhis, iu përqas tekstit të librit nga këndvështrimi i theologut biblik, ndërsa z. Kristos Tsironis, Profesor i të njëjtit Fakultet, interpretoi aspektin social të vëzhgimit të shkrimtarit në vepër.

Theodhoros Jango, Profesor i Departamentit të Pimantikës dhe Theologjisë Sociale të Universitetit Aristotelian të Selanikut foli dhe analizoi librin tjetër të Kryepiskopit Anastas, “Ringritja Kanonike e Kishës Orthodhokse Atoqefale të Shqipërisë”.

Mes duartrokitjesh të zgjatura mori fjalën edhe Kryepiskopi Anastas, duke i nxitur pjesëmarrësit e shumtë në përjetim të thelluar të thesarit të besimit në Zotin e Ngjallur Jisu Krisht, urtësinë e pamatë të përuljes dhe sidomos dëshirën për kontribut dhe solidaritet social.

Për të pranishmit u shfaq një dokumentar i shkurtër, ku jepej përmbledhtazi vepra titanike dhe shmëdimensionale për ringritjen nga hiri i persekutimit ateist të Kishës sonë Orthodhokse. Veprimtaria zgjati përtej parashikimeve, për shkak të dëshirës së të pranishmëve për të përshëndetur dhe marrë bekimin e Kryepiskopit, i cili ndaloi të nderonte secilin prej tyre.

 

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com