Vleresimi aktual: 5 / 5

Yje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktive
 

“...Përmes dialogut me të tjerët
shpërndajmë dritën e Orthodhoksisë...”



Vizita ishte mbushur me veprimtari dhe nderime të shumta:

• Iu dha Çmimi prestigjioz “Panajotis Foteas,” për ese politike dhe meditim
• Iu akordua titulli Doktor Honoris Causa i Universitetit të Peloponezit
• Iu dha titulli Qytetar Nderi i Kallamatës

 

Ditët e fundit, nga 13-16 dhjetor 2016, Kryepiskopi Anastas kreu një vizitë të bekuar, me shumë veprimtari, mbushur me emocione dhe mesazhe kuptimplota në frymën e Krishtlindjes, në Mitropolinë e Hirshme të Mesinisë dhe institucione të tjera në Kallamatë, Peloponez. Ai shoqërohej nga Mitropoliti i Fierit dhe Apollonisë, Imzot Nikolla, dhe i Amantias, Imzot Nathanaili. Vizita u krye në përgjigje të ftesave të përsëritura të autoriteteve lokale, universitare dhe kishtare të kësaj zone.

Kryepiskopi Anastas e nisi vizitën e Tij me pritjen dhe Dhoksologjinë në Mitropolinë e Mesinisë, dhe konkretisht në Kishën e Ipapandisë së Zotit, ku mirëseardhjen ia uroi Mitropoliti i Mesinisë, Imzot Krisostomi. Në fjalën e tij Mitropoliti pritës foli për personin e ndriçuar të Kryepiskopit, prurjet e tij rinovuese në mbarë botën Orthodhokse, kontributin e jashtëzakonshëm në çështjet kishtare dhe në veçanti në dialogun mes kishave Orthodhokse, mes të krishterëve dhe atë ndërfetar. Kryepiskopi, si përgjigje, iu referua kryesisht përvojës së bekuar dhe të mrekullueshme të ringjalljes së Kishës Orthodhokse në Shqipëri.

Bashkia e Kallamatës, me një ceremoni të posaçme në Pallatin e Valleve të Kallamatës, i akordoi Fortlumturisë së Tij Medaljen e Qytetarit të Nderit të Kallamatës. Kryetari i Bashkisë, z. Panajotis Nikas, i dorëzoi Kryepiskopit medaljen me motivacionin përkatës nga Këshilli Bashkiak. Çasti kulmor i kësaj vizite ishte dhënia Kryepiskopit Anastas e Çmimit prestigjioz “Panajotis Foteas” - për ese politike dhe meditim.

Përshtypje të veçantë për banorët e Kallamatës dhe më gjerë bëri fakti që shumën financiare që shoqëron Çmimin e përvitshëm, Kryepiskopi Anastas e ndau mes një Shtëpie të moshuarish në Greqi, Shtëpisë në krijim për të Moshuarit në Tiranë, me emrin “Familja e Dashurisë” dhe Shtëpisë së Fëmijëve “Shtëpia Orthodhokse e Shpresës”.

Lidhjet e Kryepiskopit Anastas me Kallamatën u shprehën si në fjalët përshëndetëse, edhe në mjetet lokale të informimit: Një ditë para se të nisej për hierapostoli në Afrikë, Kryepiskopi Anastas u hirotonis në prift nga i ndjeri Mitropolit i Mesinisë, Krisostomi (Themeli), ndërsa deri në zgjedhjen e tij Kryepiskop i Tiranës ka mbajtur Titullin e Mitropolitit të Andrusës, episkopatë e hershme në këtë zonë të Peloponezit.

Në këto veprimtari, për nder të Kryepiskopit Anastas, Mitropoliti i Mesinisë, Imzot Krisostomi, përfaqësonte njëherësh edhe Patriarkun Ekumenik, Vartholomeun. Të pranishëm ishin edhe Mitropoliti i Ilios dhe Akarnës, Athinagora dhe Mitropoliti i Leontopolit, Gavriili.

Kryepiskopi vizitoi qendra arkeologjike dhe muzeore të traditës së trevave të Kallamatës, ku theksoi nevojën e mospajtimit me mediokritetin dhe rezistencës ndaj tij me cilësitë krijuese të gjithsecilit, në çfarëdo profesioni që ushtron.

Të mërkurën në mbrëmje, në Sallën e madhe të Veprimtarive të Universitetit të Peloponezit, të mbushur si rrallëherë, u krye ceremonia zyrtare e dhënies së Titullit Doktor Honoris Causa Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, nga Departamenti i Filologjisë, i Fakultetit të Shkencave Humane dhe Administrimit të Pasurive Kulturore. Për cilësitë e personit të nderuar, që çuan edhe në vendimin unanim të Senatit të Universitetit, foli Rektori Plotësues Prof. Jeogjios Andhriomenos, i cili u ndal veçanërisht në faktin se Kryepiskopi Anastas është shembulli më i spikatur i shkencëtarit që vepron në terren për të promovuar idetë e tij dhe në faktin se është person unikal i mosndarjes së fjalës nga vepra, në një rrugëtim konsekuent dhe shumëvjeçar pranë dhimbjes njerëzore. Kryetari i Departamentit, Prof. Vasilios Konstantopoulos, lexoi dhe dorëzoi Vendimin e Shpalljes së Kryepiskopit Doktor Honoris Causa të Departamentit.

Me këtë rast, sipas traditës, Kryepiskopi mbajti për auditorin e nderuar dhe në prani edhe të Kryepiskopit të Athinës, Imzot Jeronimit, dhe Hierarkëve të tjerë të Gadishullit të Peloponezit, Ligjëratën “Drita e Krishtit dhe Evropa”. Prof. dr. Anastasi trajtoi çështje të natyrës së themelimit të Evropës mbi moralin e krishterë dhe nevojën e rigjetjes së këtij mesazhi në momentet që kalon. Duke e përditësuar mendimin e tij, Kryepiskopi iu referua edhe Sinodit të Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse, si një ngjarje kulmore në botën Orthodhokse dhe hap esencial në forcimin e unitetit dhe përçimin e mesazhit Orthodhoks në botën e sotme. Kryepiskopi theksoi se përmes dialogut me botën tjetër të krishterë krijohet edhe një mundësi hierapostolie për të përçuar edhe në ato ambiente thesarin e vyer që ruan tradita dhe Kisha Orthodhokse.

Gjatë pranisë së Kryepiskopit në Kallamatë ishte i veçantë interesi i të rinjve dhe nxënësve të shkollave për ta takuar, për të dëgjuar fjalën e tij shpirtërore dhe këshillat e vyera të një përvoje të gjatë baritore, por edhe si mësues i auditorëve universitare, interes të cilit Kryepiskopi iu përgjigj gjatë gjithë kohës, pavarësisht programit të ngjeshur.

Kryepiskopi Anastas gjatë vizitës në zonën e Kallamatës shkoi gjithashtu në qytezën e Andrusës, titullin Episkopal të së cilës e mbajti për shumë vjet. Atje u takua me nxënësit e liceut dhe të gjimnazit, të cilët kishin organizuar për të një pritje mbresëlënëse. Duke përçuar në mënyrë shumë domethënëse humanizmin e Krishterë dhe dashurinë për njerëzit, sidomos në të tilla ditë të Lindjes së Perëndisë së Dashurisë, Kryepiskopi, pa asnjë publicitet, vizitoi burrin dhe gruan më të moshuar të qytezës, si edhe një person të paralizuar.

Me anë të kësaj vizite, Kryepiskopi Anastas pati mundësinë që të përcillte fjalë shprese, ngushëllimi, dhe sidomos mesazhin e mbështetjes së shpresës te Krishti - Fjala e Mishëruar e Perëndisë, - por njëkohësisht të ndante me vëllezërit e Kishës së Kallamatës dhe më gjerë përvojën e ripërtëritjes së besimit dhe ringritjes së Kishës në Shqipëri.

 

Motivacioni i Çmimit “Panajotis Foteas”
dhënë Kryepiskopit Anastas

 

Çmimi “Panajotis Foteas” që është krijuar në kujtim të prefektit të parë të paharrueshëm të Mesinisë, këtë vit i jepet Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastasit, për esetë që përfshihen në librin e tij Bashkekzistenca, të botimeve “Armos”.

Motivacioni i komisionit përkatës për përzgjedhjen e librit Bashkekzistenca përfshin vlerësimin se “ky libër përmban ese, që trajtojnë çështje me dimensione të mëdha të mbarëbotshme, siç janë paqja, mjedisi natyror, varfëria, terrorizmi, vlerat universale mbarënjerëzore, në mënyrë origjinale dhe autentike, nga këndvështrimi teologjik dhe fetarologjik”.

Komisioni theksoi faktin se karakteristikë kryesore e këtyre teksteve është mendimi i një niveli të lartë, jeta e thellë shpirtërore, fryma e lartë dhe modeste, fjala e kthjellët e autorit, që e bëjnë lexuesin të zgjohet, në kundërshtim me frymën e përgjumjes dhe hipnozën shpirtërore të njeriut të ditëve tona.

Paralelisht, komisioni nderon edhe personin e Kryepiskopit Anastas, si një personalitet i njohur me një autoritet ndërkombëtar, për aktivitetin e tij të shumanshëm, për ringritjen nga gërmadhat të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, si dhe për veprën e tij të gjerë hierapostolike e sociale.

 

Photo:

Photo:

Photo:

Photo:

Photo:

Photo:

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com