Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

- Liturgjia Hyjnore kryesohet nga Kryepiskopi Anastas

- Shërbesë te vendi ku u krye Liturgjia e parë, më 1991

- Vizitë në Manastirin e Fjetjes në Kostar

 

Në 15 Gusht 2016, në qytetin e Delvinës, në kishën “Ungjillëzimi i Perëndilindëses”, Liturgjia Hyjnore poliarkieratike e së Kremtes së Fjetjes të së Tërëshenjtës u krye nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi. Me të bashkëmeshuan Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri dhe Mitropoliti i Amantias, Nathanaili. Kjo është një nga të kremtet më të dashura për popullin Orthodhoks, “Pashka e Gushtit”, siç i thonë për të theksuar rëndësinë në ndërgjegjen dhe traditën e popullit, ndaj ajo mblodhi sot në Delvinë dhjetëra besimtarë, të rinj e të reja. Pas mbylljes së kreshmës për të Tërëshenjtën, kremtimi krijoi një atmosferë të gëzuar e festive, por edhe thellësisht shpirtërore.

Liturgjia Hyjnore kishte edhe karakter jubilar, ngaqë këto ditë bëhen 25 vjet nga meshimi për herë të parë në Delvinë i Kryepiskopit Anastas me cilësinë e Ekzarkut Patriarkal, në kuadrin e vizitave të tij në mbarë territorin e Shqipërisë për të parë gjendjen e Orthodhoksisë. Fortlumturia e Tij meshoi atëherë në natyrë, poshtë një rrapi mbi të cilin ishte vendosur një kryq druri, pikërisht në vendin ku kishte qenë kisha e vjetër e Fjetjes së Perëndilindëses, e cila ishte shembur për të ndërtuar aty “varrezat e dëshmorëve” të qytetit. Është një fotografi historike dhe mjaft shprehëse për pikënisjen e rrugëtimit të ringritjes së Kishës Orthodhokse në Shqipëri.

Duke kujtuar këtë ngjarje, menjëherë pas Liturgjisë Hyjnore dhe në procesion besimtarët, të kryesuar nga hierarkët dhe priftërinjtë, u drejtuan për tek vendi nga kisha e re tek ai vend ku u bë Artoklasia (Bekimi i Pesë Bukëve). Përtej emocionit të jubileut të asaj ngjarjeje historike, Kryepiskopi i dha edhe një përmasë të thellë teologjike kësaj shërbese të veçantë. Kisha jonë Orthodhokse tha Kryepiskopi, menjëherë pas persekutimit dhe në gjithë vitet e punës së vrullshme të ngjalljes së saj përjeton thellë përvojën e Ungjillit të Mrekullisë së Zotit me Pesë Bukët. Fortlumturia e Tij foli për këtë mrekulli dhe se si Zoti bekoi gjithë veprën që u bë nga hiçi. Njëkohësisht, ai i nxiti të pranishmit, që të marrin edhe mësimin tjetër nga kjo mrekulli e Zotit, atë për rëndësinë e kontributit të vetë besimtarëve. Ata, nxënësit, në atë vend të shkretë ofruan pesë bukët dhe dy peshqit dhe ishin pikërisht ato që bekoi dhe shumoi Perëndia.

Në predikimin e ditës Kryepiskopi Anastas foli për personin e së Tërëshenjtës dhe Ungjillin e ditës. E Tërëshenjta është personi që flet më shumë brenda heshtjes së saj dhe fiton dashurinë e popullit përmes përuljes dhe modestisë të skajshme që tregon me sjelljen e saj. Nuk është origjina e saj nga familje fisnike, as pasuria e as pozita e lartë shoqërore. Përkundrazi, një vajzë e thjeshtë dhe e përulur plotësisht, në bindje ndaj thirrjes së Perëndisë, u denjësua për t’u bërë Nënë e Perëndisë së Panxënë. Dhe duke interpretuar fundin e perikopesë së ditës, Kryepiskopi vuri në dukje se më kot nga keqinterpretues të Ungjillit tentohet të thuhet se Zoti e ul figurën e Mëmës së Tij të Tërëkulluar. Përkundrazi, ajo lartësohet e madje, përmes shembullit të saj, Ai përpiqet të na nxitë të gjithë ne se si mund të arrijmë në lartësitë e saj, duke dëgjuar dhe duke ruajtur Fjalën e Perëndisë. Po, e vërtetë është ajo (lum ai bark që Të ka mbajtur dhe ato gjinj që Të ushqyen), por të lumur do të jetë gjithë ata sa dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë atë! Nuk tentohet zbritja e Perëndilindëses, por ngjitja përmes rrugës që Zoti tregon në lartësitë ku Ajo ndodhet. Dhe, duke dëgjuar e ruajtur fjalën e Perëndisë nuk kemi gjë tjetër, veçse të bëhemi persona që mbartin përuljen, bindjen, besimin e thellë, përdëllimin, shpresëtarinë dhe, mbi të gjitha, dashurinë. Gjatë gjithë kësaj vizite disaditore në Mitropolinë e Hirshme të Gjirokastrës Kryepiskopi Anastas nuk rreshti së nxituri besimtarët që të bëhen bartës të dashurisë; jo të dashurisë abstrakte, por të dashurisë me vepra.

Në Delvinë, mes besimtarëve të shumtë, u ndodhën edhe Kryetarja e Bashkisë së Sarandës znj. F. Koka, deputeti i zonës z. V. Dule, Ambasadorja e Greqisë znj. E. Sourani, përfaqësues të komunitetit të zonës etj.

Kryepiskopi bëri një ndalesë të shkurtër edhe në Manastirin e Hirshëm të Fjetjes të së Tërëshenjtës mbi Mesopotam, pranë fshatit Kostar. Priftërinj dhe besimtarë e prisnin në manastirin e vogël, por që ndër vite nxit përdëllimtarinë e shumë besimtarëve të zonës më gjerë të Vurgut, për t’i uruar “mirëseardhjen në shtëpinë e tij”, sikundër tha një vajzë e vogël që i dhuroi lule të freskëta. Kryepiskopi u lut në kishën e vogël të manastirit, përgëzoi komunitetin dhe klerikët e Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës për kujdesin dhe përparimin e shënuar aty dhe u foli fjalë shpirtërore besimtarëve. U foli pikërisht për dimensionin e traditës dhe të kujtesës historike. Traditë janë folklori edhe panairet popullore. Por ato e kanë burimin tek një traditë shumë më e thellë, që është besimi i krishterë, i cili, si rrënjët, ushqeu degë të kësaj peme që janë tradita popullore. U foli edhe për kujtesën historike: ku nisi rruga jonë, sa vuajtëm nën ateizëm edhe ku jemi. Kështu do të gjejmë më shumë arsye për të falënderuar më thellë Perëndinë për dhuratat e Tij të pasura dhe mirënjohje për ndëmjetuesen tonë më të sigurt dhe më të shpejtë. Nënën e Perëndisë sonë, Marinë.

Kryepiskopi edhe një herë tjetër u shpjegoi besimtarëve rregullat e parashikuara në miradministrimin e manastireve tona të hirshme, derisa ato të kenë vëllazëri. Këto rregulla janë të fiksuara në rregullimet e fundit të Statutit të Kishës sonë, të miratuara në pranverën e kaluar. Dhe bëhet fjalë për mundësi të një bashkëpunimi më të frytshëm dhe kryesisht më produktiv mes komuniteteve të besimtarëve dhe episkopatave për mbarëvajtjen e punëve dhe shmangien e fërkimeve të padëshiruara.

Kjo periudhë vizite të bekuar ishte dhe mënyra më e mirë e kremtimit të 25-vjetorit të ardhjes në Shqipëri të një bariu shpirtëror me dimensionet e Kryepiskopit Anastas, me gjithë këto ngjarje shpirtërore të paharruara në Mitropolinë e Hirshme të Gjirokastrës dhe mes grigjës së saj: Shenjtërimi i Katedrales së Ngjalljes së Zotit, prezantimi i botimit të ri “Vepra ndërtimore në Mitropolinë e Gjirokastrës”, Shenjtërimi i Kishës së Apostujve të shenjtë Petro dhe Pavli dhe sot Liturgjia Panegjerike e Fjetjes të së Tërëshenjtës në Delvinë.

Urimi i shprehur nga besimtarët e shumtë me nxitjen e Mitropolitit përgjegjës, Imzot Dhimitrit, bëhet lutje e nxehtë tek Perëndia dhe Nëna e Zotit tonë Jisu Krisht, që Kryepiskopi ynë të ketë jetë të gjatë dhe gjithë ndriçimin e Tij për përparimin e Kishës sonë Orthodhokse!

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com