Vleresimi aktual: 5 / 5

Yje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktive
 

Kjo e diel, 14 gusht, në Mesopotam, fshat i rëndësishëm i Bashkisë së Finiqit, në rrugën që lidh Gjirokastrën me Sarandën, ishte si një parafestë. Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, në kuadrin e vizitës në Mitropolinë e Gjirokastrës, së bashku me Mitropolitin e Gjirokastrës Dhimitrin dhe Mitropolitin e Amantias Nathanailin, kryen sot Shenjtërimin e Kishës së Apostujve Petro dhe Pavli. Kjo kishë është ndërtuar me nismën, fondet dhe kujdesin e drejtpërdrejtë të Fortlumturisë së Tij. Dhjetëra besimtarë nga kjo qendër e banuar, por edhe nga enoritë përreth, u mblodhën për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për komunitetin Orthodhoks të Mitropolisë së Gjirokastrës. Të pranishëm ishin edhe deputeti i zonës V. Dule, Kryetari i Bashkisë Finiq, L. Kristo, Kryetari i organizatës “Omonia” L. Papa, ambasadorja e Greqisë znj. E. Sourani etj.

Duke interpretuar Shën Joan Gojartin, që këshillon se nderimi i Shenjtorëve është përpjekja për t’i imituar dhe për t’u ngjarë atyre, Kryepiskopi Anastas, kishte një porosi për besimtarët e shumtë. Kisha e enorisë së tyre u shenjtërua sot në emrat e Apostujve Petro dhe Pavli dhe ai iu foli pikërisht për personalitetet e këtyre apostujve protokorifej dhe karakteristikat e tyre, duke nxitur besimtarët e Mesopotamit të studiojnë me thellë jetën e tyre, letrat që ata drejtonin dhe që përmbahen në Dhiatën e Re.

Kryepiskopi kryesoi Shërbesën e Shenjtërimit të Kishës dhe Liturgjinë Hyjnore që pasoi, si edhe predikoi fjalën e Perëndisë. Veçanërisht theksoi faktin se, Apostujt që do të nderohen në këtë Kishë, Petro dhe Pavli ishin dy karaktere krejt të ndryshme dhe madje pikënisja e secilit ishte aspak e ngjashme. E megjithatë, katër karakteristika i bëjnë aq të dashur për të Krishterët, aq të vyer për Kishën e Krishtit dhe shembuj për t’i imituar: kishin etje të thellë për të njohur Perëndinë, ishin vazhdimisht jo të pagabueshëm, por në pendim për të gjitha gabimet, ishin njerëz të dashurisë: dashuri të pakufishme për Perëndinë dhe dashuri për njerëzit, si edhe së katërti, ishin njerëz të vetëmohimit.

Kryepiskopi uroi që edhe kjo kishë e hirshme që u shenjtërua sot të bëhet epiqendër e jetës adhuruese të besimtarëve të asaj enorie dhe si e tillë, sikundër çdo kishë Orthodhokse, të bëhet tempull i dashurisë, i paqes, i vëllazërimit, i kontributit social, i falënderimit.

Pas Liturgjisë Hyjnore pedagogët dhe nxënësit e Kolegjit “Frymë Dashurie”, që është themeluar dhe funksionon nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Kryepiskopit dhe që përfshin një Shkollë të Mesme Profesionale me katër specialitete dhe Shkollën e mesme të Përgjithshme, e vendosur në një godinë bashkëkohore në oborrin e Kishës së Apostujve Petro dhe Pavli, organizuan një veprimtari të shkurtër festive për ditën e Shenjtërimit dhe për 25-vjetorin e ardhjes së Shqipëri të Kryepiskopit Anastas. Programi u zhvillua mes pjesëve artistike që kishin zgjedhur dhe tregimit të përvojave personale të nxënësve që kanë përfunduar këtë shkollë (ajo u çel në shtator 2006), shprehën falënderimin e tyre të thellë dhe mirënjohjen për këtë nismë origjinale të Kryepiskopit në këtë qendër arsimore. Tashmë janë dhjetëra të rinjtë dhe të rejat që e kanë përfunduar dhe kanë vijuar studimet e larta apo vijuar në ushtrimin e profesionit që mësuan aty. Por mbi të gjitha ata mësuan e mësojnë dashurinë e krishterë, parimet e moralit shoqëror, mirësjelljen dhe ndjenë nga afër kujdesin e Kryepiskopit.

Me fjalë të thjeshta të gjithë besimtarët që morën bekimin e Kryepiskopit Anastas shprehën falënderim si për kishën e re që u ndërtoi, shkollën dhe shenjtërimin në veçanti, si një çast kulmor për enorinë e tyre, dhe gjithashtu urimin për jetë të gjatë të Kryepiskopit në këtë 25-vjetor të bekuar në krye të Kishës Orthodhokse në Shqipëri.

 

***

 

Kisha e hirshme e Apostujve Petro dhe Pavli, ndodhet në një pozicion të privilegjuar në qendër të fshatit Mesopotam. Trualli është pronë kishtare e blerë viteve të fundit nga Kisha jonë. Është një kishë e bukur, gjysmë e parafabrikuar, e tipit bazilikë trinefëshe me kube. Në anën perëndimore dhe jugore ka hajat të mbuluar të mbështetur në arkada harmonike. Sipërfaqja e kishës është 230 m2. Kambanorja është në largësi të vogël nga kisha dhe ka lartësi 16.5 m, me një projekt të bukur që hijeshon kompleksin, por edhe gjithë qendrën e fshatit. Ato u ndërtuan gjatë periudhës 2000-2004, me nismën, fonde dhe mbikëqyrjen nga afër të Kryepiskopit Anastas. Janë ndërmarrë hapa edhe për pajisjen e brendshme të kishës me Ikonostas druri, ikona, sendet e shenjta të Hierores etj. Μe kujdesin e Mitropolitit të Gjirokastrës, që nga përfundimi i saj në kishë meshohet rregullisht dhe është një qendër e rëndësishme adhuruese për besimtarët e enorisë dhe veçanërisht për të rinjtë dhe të rejat e Kolegjit dhe gjithë zonës, që zhvillojnë aty veprimtaritë e tyre shpirtërore.

Në të njëjtin truall është, sikundër u tha më lart, edhe godina dhe mjediset ndihmëse të Kolegjit “Frymë Dashurie”. E gjithë kjo sipërfaqe e oborrit dhe truallit rrethues është trajtuar si një ambient parku të hijshëm.

Gjithashtu, po me kujdesin Kryepiskopit Anastas, në vitet e mëparshme në këtë fshat janë zbatuar edhe programe në ndihmë të komunitetit, sikundër ishte zgjerimi i mjediseve të shkollës publike me klasa bashkëkohore, rregullimi i rrjetit rrugor të përbashkët etj.

 

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com