Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

Takim shpirtëror me Kryepiskopin Anastas:

 

U promovua botimi

“Vepra ndërtimore në Mitropolinë e Gjirokastrës”

 

Me një pjesëmarrje të gjerë të një auditori të zgjedhur u zhvillua sot, e shtunë 13 gusht, në qytetin e Gjirokastrës, takimi i promovimit të Volumit të Dytë (në dy pjesë) të librit “Vepra Ndërtimore në Mitropolinë e Gjirokastrës 1992-2015”, botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Aktiviteti, i organizuar nën kujdesin e Mitropolitit të Gjirokastrës Imzot Dhimitrit, ndonëse në fokus kishte botimin dhe përmbajtjen e tij, i ishte dedikuar Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit dhe u kthye në një rast të mirë kujtimi të gjithë rrugëtimit të tij 25-vjeçar, që nga ardhja në Shqipëri. Veprimtaria u zhvillua në sallën e aktiviteteve të Shkollës 9-vjeçare “Frymë Dashurie”, në godinën e bukur në krah të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”.

Ky jubile i 25-të (Kryepiskopi erdhi si Ekzark i Patriarkanës Ekumenike, në 16 korrik 1991), po përkujtohet nga Kisha jonë me shumë veprimtari kuptimplota, si përurimi i Hidrocentralit në Librazhd, Shenjtërimi i Kishës Katedrale në Gjirokastër dhe ky aktivitet shpirtëror, Shenjtërimi nesër, 14 gusht, i Kishës në Mesopotam, ndërsa të hënën, 15 gusht, në të kremten e Fjetjes të së Tërëshenjtës Mari, Kryepiskopi do të meshojë në Delvinë, pikërisht aty ku 25 vite më parë, më 19 gusht 1991, kreu Liturgjinë Hyjnore në qiell të hapur, poshtë rrapit që ndodhej aty ku kishte qenë kisha e rrëzuar nga themelet gjatë persekutimit ateist.

Në aktivitetin e sotëm ishin të pranishëm përveç Kryepiskopit dhe Mitropolitit të Gjirokastrës edhe Mitropoliti i Amantias Imzot Nathanaili, Drejtoresha e Arsimit të Qarkut Gjirokastër, znj. L. Rova, Konsulli i Greqisë në Gjirokastër, z. V. Tolios, Rektori i Universitetit të Janinës, z. J. Kapsalis etj. Profesor Kapsalis, me një përshëndetje prekëse rrëfeu atmosferën që ai kishte hasur kur kishte vizituar vendin tonë aty nga fundi i viteve 80-të dhe imazhin e ndryshuar që gjen sot, kjo edhe meritë e përkushtimit të pakursyer të Kryepiskopit Anastas. Tregues i rrezatimit të gjerë që ka personaliteti poliedrik i Fortlumturisë së Tij, si bari shpirtëror, shkencëtar – hulumtues dhe punëtor akademik, janë edhe fjalët e Rektorit të Universitetit të Janinës, se ai përbën shembull dhe frymëzon botën akademike dhe universitare.

Dhjetëra intelektualë, punonjës të arsimit, shkrimtarë etj., të zonës kishin mbushur sallën e veprimtarisë dhe me respekt të thellë nderuan jo thjesht promovimin e librave, por kryesisht iu gëzuan pranisë së Kryepiskopit. Kështu, aktiviteti u shndërrua në një takim të ngrohtë shpirtëror, në atmosferë krejt familjare.

Duke marrë fjalën z. A. Rëmbeci dhe z. O. Beci, që janë marrë me përgatitjen e botimit, folën për shumëllojshmërinë e veprave, ndërtimet e infrastrukturës në dobi të komuniteteve, restaurimet e shumta të manastireve dhe kishave, godinat shkollore apo qendrat shpirtërore nëpër enori të ndryshme, të cilat përbëjnë objektin e librave në fjalë. Duke marrë shkas nga botimi, u fol gjatë për gjendjen në të cilën e gjeti Kryepiskopi Kishën tonë dhe nivelin ku ajo ka arritur 25 vite më pas. U theksua fakti, se e gjithë kjo vepër ndërtimore nuk u zhvillua si qëllim në vetvete, jo vetëm si plotësim i nevojave për godina adhurimi, por nën kujdesin e Kryepiskopit Anastas edhe për ambiente të zhvillimit të veprës sociale dhe edukative.

Në veçanti, u referua kontributi i posaçëm i Kryepiskopit Anastas në rikonstruksionin dhe restaurimin e plotë me kriteret më të avancuara shkencore të atyre kishave dhe manastireve që janë edhe monumente të trashëgimisë shpirtërore dhe të kulturës kishtare. Në trevat e Mitropolisë së Gjirokastrës, që është e pasur me monumente të tilla të arkitekturës bizantine, janë kryer më se 70 ndërhyrje të plota apo të pjesshme për përballimin e plotë apo pjesor të problemeve.

Vepra ndërtimore e përfshirë në këto dy volume shumëfaqëshe dhe të pasura me material fotografik është mjaft e pasur. Secila prej tyre u pati projektim të veçantë dhe shumica e tyre u realizua mes vështirësish të mëdha, shpesh herë të shkaktuara artificialisht.

E gjithë kjo vepër ecën përpara falë kujdesit dhe punës së pakursyer dhe vetëmohuese të Kryepiskopit Anastas. Duke qenë vepër dashurie dhe hierapostolie, kjo veprimtari u përfshi në lutjen e besimtarëve dhe atyre iu vu në dispozicion, për adhurim, mësim, meditim shpirtëror, filantropi etj.

Në fund e mori fjalën edhe Kryepiskopi Anastas, i cili përshkroi me fjalë prekëse, por edhe me shembuj konkretë rrugëtimin 25-vjeçar në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Fortlumturia e Tij iu referua ditëve të para, përvojave të liturgjive adhuruese në Delvinë, në Fier, në Berat etj. Kryepiskopi foli edhe për momente të vështirësive të tij shëndetësore që kaloi dhe kjo jo si tregim për vetveten, por si një ngushëllim për shumë njerëz që vuajmë vetë apo tek të afërmit raste sëmundjesh të vështira. Kryepiskopi e mbylli me urimin, që të vijojë Perëndia e mrekullive dhe e surprizave t’i dhurojë kësaj Kishe Orthodhokse të rilindur më shumë perspektivë dhe kreativitet, që vendi të shndërrohet (mbyllja e Metamorfozës së Krishtit sot), nga vendi i simboleve të urrejtjes dhe të frikës dhe të keqkuptimit, në vend me më shumë kisha si ato që përshkruhen në botime, simbole të paqes, të lutjes, të besimit, të dashurisë dhe mirëkuptimit.

Në mbarim të veprimtarisë, Kryepiskopi bisedoi me pjesëmarrësit dhe i bekoi personalisht secilin dhe punën e vyer që kryen për përparimin jo vetëm të Kishës, por të shoqërisë mbarë.

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com