Vleresimi aktual: 5 / 5

Yje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktive
 

    “Do të bekoj Zotin në çdo kohë, lavdërimi i tij do të jetë përherë në gojën time” (Ps.33). Lavdërojmë dhe falënderojmë nga thellësia e zemrës sonë Perëndinë e tërëfuqishëm të dashurisë, të paqes dhe të krijimtarisë për dhuratat e Tij të shumëllojta për ne, të njohura dhe të panjohura.

    Kanë kaluar 25 vjet nga çasti kur më bëri të denjë të ndodhem në këtë vend, që ka vuajtur kaq shumë nga padrejtësia dhe frika. Mbërrita në korrik të vitit 1991, si Ekzark patriarkal, pas nismës që mori Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës, e cila ka përgjegjësinë për Kishat që ndodhen në vështirësi të mëdha. Dhe, si sot, më 2 gusht 1992, mora përsipër përgjegjësinë e primatit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me qëllimin e vetëm ringritjen dhe riformimin e saj të plotë.

    Në atë periudhë pasigurie, ankthi dhe varfërie mesazhi kryesor që dhamë ishte: Guxojmë të shpresojmë! Jo sepse jemi naivë apo ngaqë nuk e shikojmë numrin e pafund të kundërshtive që ngrihen para nesh, por sepse besojmë se mbi të gjitha pushtetet që ndikojnë botën tonë, Realiteti i Epërm, Ai që ka pushtet absolut mbi gjithësinë, është Perëndia i dashurisë. Perëndia, që na zbuloi Fjala e Tij e mishëruar, Jisu Krishti. Guxojmë të shpresojmë sepse: “Perëndia është dashuri dhe ai që rri në dashurinë në Perëndinë rri dhe Perëndia në atë” (Jn.4:16). Kjo siguri ka udhëhequr dhe ende vazhdon të udhëheqë hapat tona, Kishën tonë gjatë gjithë këtyre viteve.

   Është e njohur se nuk mbetëm vetëm në ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në krijimin e strukturave të domosdoshme, në arsimimin dhe hirotonisjen e klerit vendas, në zhvillimin e një rinie orthodhokse dinamike, por u shtrimë më tej, duke bërë edhe vepra dashurie në sektorë të ndryshëm, si në atë të shëndetit, të arsimit, të zhvillimit bujqësor, të kulturës, të ekologjisë etj.

    Një vepër e tillë shprese dhe dashurie është edhe vepra që po përurojmë sot. Lindi nga vizioni për të siguruar burime financiare lokale, që ofrojnë mundësinë për të vazhduar veprat me dobi shoqërore, të cilat janë realizuar deri më sot, me kontributin dhe dhuratat e miqve tanë që ndodhen jashtë vendit.

   Bashkëpunëtorëve tanë të zgjedhur u detyrohemi falënderime të përzemërta, gjithë atyre që kontribuuan në përfundimin e kësaj vepre: Grupit të Planifikimit dhe Administrimit, z. J. Paleokrasas, z. N. Galeta, z. A. Gula, atë Jovan Koroveshit dhe atë Harallamb Gjokës; hartuesve, z. Hasalami dhe z. Sofio, supervizorëve z. Asimopulo dhe z. Gjeni; sipërmarrësit të veprës, shoqërisë Aktor dhe të gjithë të tjerëve që punuan, të cilët i kalojnë të njëqind vetët. Gjithashtu falënderojmë edhe shoqëritë: Sideral, Antea Cement, Kӧssler, Poseidon, Abb, Systematica, Sintaksa, Koncar, Albaelettrica, Anion, Doko Shpk, NBG Bank.

    Vepra që po përurojmë sot ka tri karakteristika bazë: a) u përgjigjet plotësisht parametrave ekologjikë, b) mbështetet mbi shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, c) ka një karakter të dukshëm zhvillimi, sepse kontribuon në shtimin e energjisë elektrike në mbarë vendin dhe d) ka një karakter të gjerë social, sepse të gjitha të ardhurat e saj do të disponohen për fuqizimin e arsimit (institucioneve arsimore, bursave të studimit etj.), për nevojat filantropike, kishtare dhe ato kulturore. Në përgjithësi, do t’i ofrojë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë mundësitë ekonomike për të vazhduar më tej misionin e saj, që të guxojë, të shpresojë dhe të përpiqet me të gjitha fuqitë e saj për rrezatimin e besimit, të dashurisë, të paqes, të pajtimit të njerëzve dhe popujve.

    Po e përfundoj këtu fjalën time, duke theksuar një të vërtetë që e kam përsëritur shpesh: Kisha Orthodhokse nuk jeton për veten e saj. Ajo çka është, çfarë zotëron, çfarë bën, destinohet për mbarë shoqërinë ku ndodhet. Kisha Orthodhokse ndan dhuratat e Perëndisë, paqen, dashurinë dhe drejtësinë me të gjithë njerëzit. Më konkretisht, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nga viti 1992 deri më sot ka kontribuar esencialisht për ndërtimin e përgjithshëm të vendit, si dhe zhvillimin shpirtëror dhe social të Shqipërisë, me durim, me guxim, me krijueshmëri dhe dashuri të painteres:

    “Edhe atij që sipas fuqisë që vepron ndër ne, mund të bëjë shumë më tepër nga gjithë sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishë me anë të Jisu Krishtit në gjithë brezat e jetës së jetëve. Amin” (Efes.3:20).

 

 

 

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com