Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

Me shërbesën e shkëlqyer sipas Rendit të Tipikosë së Kishës Orthodhokse, u krye sot, e diel, 7 gusht 2016, Shenjtërimi i Kishës së re Katedrale ‘Ngjallja e Krishtit’, në Gjirokastër. Shërbesa e Shenjtërimit, sikundër edhe Liturgjia Hyjnore që vijoi, u kryesua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, i ndihmuar nga Mitropoliti përgjegjës i Mitropolisë së Gjirokastrës, Imzot Dhimitri dhe Mitropoliti i Amantias, Imzot Nathanaili.

Që herët në mëngjez, qindra besimtarë Orthodhoksë nga qyteti dhe rrethinat, së bashku me klerikët e enorive të tyre, bashkuan lutjen në këtë moment unikal për Kishën lokale dhe qytetin e Gjirokastrës. Në veçanti të rinjtë dhe fëmijët i dhanë tonin kësaj dite festive, që do të ngelet gjatë në kujtesën e grigjës Orthodhokse.

Për t’iu gëzuar Shenjtërimit të Katedrales të pranishëm ishin edhe Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës zj. Zamira Rami, kryetarët e Bashkive të Libohovës, Dropullit, Himarës, Finiqit, deputetë, përfaqësues diplomatikë, personalitete nga bota akademike etj.

Kryepiskopi Anastas duke përshëndetur besimtarët pjesëmarrës iu referua në veçanti kujtimit të vizitës së tij të parë në qytetin e Gjirokastrës, në kuadrin e turit të tij si Ekzark Patriarkal, vizitë që bëhej pikërisht në ditë të tilla, më 10 gusht 1991, 25 vite më parë. Kryebariu përshkroi gjendjen e atëhershme, që kujtonte më shumë atmosferën e Hadit, për të bërë më konkret kontrastin me realitetin e sotëm që përjeton Kisha jonë e ringjallur dhe e ngritur në nivele unikale për dëshminë Orthodhokse në këto treva. Kryepiskopi theksoi edhe një herë tjetër, se Kisha jonë Orthodhokse Autoqefale paralelisht me procesin e ringritjes dhe ristrukturimit të saj ndërmori nisma origjinale, të guximshme, për të kontribuar për shoqërinë dhe vendin në përgjithësi. Nisma të tilla pati në arsim, në kulturë, në ekologji, në zhvillimin agrar, në trashëgiminë kulturore etj. Me nisma të tilla Kisha Orthodhokse është besnike e traditës dhe e misionit të saj dhe konseguente pikërisht në rrezatimin dhe shpërndarjen e mesazhit të saj të shpresës, dashurisë, të besimit. Kryepiskopi i nxiti besimtarët për të vazhduar në guximin e mbajtjes gjallë të shpresës. Orthodhoksët shpresojmë jo në mënyrë abstrakte, por sepse shpresën tonë e kanë mbështetur tek Krishti i Ngjallur. Ai i nxiti gjithashtu për besim, besim i cili duhet kultivuar dhe jo të qëndrojmë përciptazi në sipërfaqe. I nxiti për më shumë dashuri, e cila duhet shprehur kudo në familje, në rrethin shoqëror, në gjithë botën.

Pas Liturgjisë Hyjnore, nxënësit e Shkollës 9-vjeçare Frymë Dashurie, që funksionon në një godinë të re me parametra bashkëkohore në krah të Katedrales, ndonëse periudhë pushimesh, përgatitën dhe paraqitën për Kryepiskopin dhe Hierarkët e tjerë një program kuptimplotë dhe falënderues për gjiçka Ai ka bërë dhe bën për grigjën Orthodhokse dhe të ardhmen e saj. Kryepiskopi përsëri përshëndeti dhe iu drejtua kryesisht të rinjve, për vazhdimin e përpjekjeve të tyre shpirtërore. Kujtoi rrugëtimin e tij personal, që pati një ngjarje të rëndësishme në jetën e tij pikërisht si so, më 7 gusht 1958, Kryepiskopi u hirotonis në gradën e Dhjakonisë.

Për dhuratën e bukur të Katedrales dhe Shenjtërimin e Trapezës së saj të Shenjtë, falënderime për Kryepiskopin u shprehën nga Mitropoliti i Gjirokastrës, Imzot Dhimitri, në emër të gjithë besimtarëve, klerit dhe popullit Orthodhoks të Gjirokastrës.

 

***

 

Kisha Katedrale ‘Ngjallja e Krishtit’ është e ndërtuar në truall pronë kishëtare, që u ble enkas nga Kryepiskopi në kuadrin e përpjekjeve për ringritjen e Kishës Orthodhokse. Nevoja e ndërtimit të saj, veç të tjerash, rrjedh edhe nga fakti se dy kishat e tjera të qytetit, të rikonstruktuara gjithashtu nga Kryepiskopi, ndodhen në pozicione ku lëvizja është e vështirë dhe të izoluara nga zhvillimet urbanistike.

Trualli u ble në vitin 2004 dhe njëherësh filluan përpjekjet e përpilimit të projekteve (të profesorit të arkitekturës V. Papas), procedura për dhënien e lejeve të nevojshme për shfrytëzimin e ndërtimin e truallit. Punimet filluan në vitin 2009 dhe faza më e rëndësishme ndërtimore u përmbyllë në 2011. Paralelisht me Kishën u ndërtua godina shkollore bashkëkohore, e cila u vu në përdorim që në vitin 2012, u ndërtua kambanarja, duke ruajtur linjat e arkitekturës tradicionale të zonës, u krijuan mjedise hajat për besimtarët, një proskinitar i jashtëm, si edhe rregullua oborri, duke krijuar një park të mrekullueshëm rreth kishës dhe shkollës.

Nga viti 2014 dhe deri sot, duke kapërcyer vështirësitë financiare të kohës, u kryen punime edhe për pajisjen dhe interierin e Kishës. Në këtë kuadër u realizua ikonostasi, ikonografia në kupolë, apsidën e Hierores dhe pozicione të tjera, llampadarët e bronxtë etj., që shtojnë hijeshinë e Kishës.

Projekti i realizuar sipas konsideratës së përgjithshme i dhuroi Kishës Orthodhokse akoma një kishë të hijshme, në respekt të plotë të arkitekturës së qytetit monumental të Gjirokastrës. Sipërfaqja e ndërtuar e Kishës është 450m2 dhe lartësia në kupolë arrin 18.5 m dhe kryqi 21 m.

 

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com