Vleresimi aktual: 5 / 5

Yje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktive
 


    Ditën e premte, më 5 gusht 2016, në sallën e Selisë së Sinodit të Shenjtë, Kryepiskopi Anastas priti nxënësit e Liceut kishtar “Kryqi i Nderuar”, në Sukth, që mbaruan me sukses maturën shtetërore. Liceu është dalluar vit pas viti për rezultate të larta dhe këtë vit nota mesatare në provime ishte 8.3, me kalueshmëri 100 për qind.

    Nxënësit u pritën ngrohtësisht nga Kryepiskopi Anastas, i cili i përgëzoi për rezultatet e arritura. Pastaj drejtori i Liceut, z. Nikolla Perdhiku, bëri një paraqitje të rezultateve të këtij viti dhe të arritjeve të shkollës ndër vite dhe falënderoi Fortlumturinë e Tij për mbështetjen dhe interesimin e vazhdueshëm. Në emër të maturantëve, përshëndeti nxënësi Enkel Sinani, që arriti rezultatet më të larta.

    Në vijim, Kryepiskopi Anastas i uroi për rezultatet e arritura dhe i nxiti për të ecur përpara në rrugën e dijes, duke i siguruar për mbështetjen e tij të përhershme. Fortlumturia eTij i dorëzoi secilit maturant diplomën, bashkë me një Ungjill dhe një ikonë. Më emocionues këto çaste i bëri edhe njoftimi i Kryepiskopit se, çdo vit, nxënësit me rezultate më të larta do t’i akordohet bursë nga ana e tij.

    Në fund, maturantët ndoqën dy dokumentarë; për Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë dhe për ringritjen e Kishës nga gërmadhat.

    Liceu kishtar “Kryqi i Nderuar” në Sukth të Durrësit ka hapur dyert e tij në shtator të vitit 2007 nën kujdesin e veçantë të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas. Shkolla ka filluar të funksionojë me një numër të kufizuar nxënësish dhe vazhdimisht numri i tyre ka ardhur duke u rritur. Kjo si rrjedhojë e dëshirës së madhe të të rinjve për t’u afruar edhe më shumë me besimin orthodhoks, por edhe si rezultat i punës së stafit të zgjedhur pedagogjik, që gjithmonë ka sjellë produktivitet.

    Ky lice ofron bursë, e cila jepet nga Fortlumturia e Tij Anastasi. Ajo përfshin: anën pedagogjike, akomodimin në konvikt dhe ushqimin për të gjithë nxënësit. Pranimi në shkollë bëhet me një konkurs të zhvilluar në muajin gusht të çdo viti.

    Tashmë nga liceu kanë dalë shtatë breza maturantësh. Ndër vite, të gjithë nxënësit që kanë përfunduar maturën kanë vazhduar studimet e larta në Universitete të ndryshme, si p.sh: në Universitetin e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Korçës, në degët Ekonomike, Inxhinierike dhe Sociale; në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit; në Universitetin “Logos”; madje edhe në Universitete jashtë vendit, si në Itali, Gjermani etj.

    Por, sukseset e liceut “Kryqi i Nderuar” janë edhe të tjera sfida të kapërcyera me suksese. Kështu, në olimpiadat e zhvilluara në shkallë Republike dhe lokale, nxënësit e shkollës kanë fituar disa çmime. Në vitin shkollor 2014-2015, në olimpiadën e organizuar nga Ministria e Arsimit u fituan një çmim i dytë dhe dy çmime të treta, ndërsa në atë të këtij viti shkollor u fitua një çmim i dytë.

    Nxënësit e Liceut marrin pjesë rregullisht në Liturgjinë Hyjnore dhe në korin bizantin, zhvillojnë ekskursione në kisha e manastire etj.

 

Thoma Dhima

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com