Vleresimi aktual: 5 / 5

Yje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktive
 

Fjala e Kryepiskopit Anastas, mbajtur

në Mbledhjen e Hapjes së Sinodit të Shenjtë dhe të Madh

19 qershor 2016

 

    Tërëshenjtëria Juaj, Patriark Ekumenik

    Fortlumturitë Tuaja, Primatë të Kishave Orthodhokse Autoqefale,

    Hirësi Mitropolitë dhe Episkopë, Etër të nderuar dhe Vëllezër të shenjtë,

 

    “Do të bekoj Zotin në çdo kohë, lavdërimi i tij është përherë në gojën time” (Ps.33).

 

    Me lavdërim, falënderim dhe shpresë na mbushet shpirti në fillimin e punimeve të Sinodit të Shenjtë dhe të Madh të Orthodhoksisë. Të gjithë i dimë shpresat që zgjatën me vite të tëra, problemet dhe pengesat e hasura deri më sot, të cilat u zgjidhën me hirin e Perëndisë: “Kaluam nëpër zjarr dhe ujë dhe na nxore në vend të sigurt” (Ps.65).

    1. Jam i mendimit se duhet të theksojmë faktin që Sinodi i Shenjtë dhe i Madh nuk është një kopje besnike e Sinodeve Ekumenike dhe as telefaks i Asambleve të Traditave të Krishtera Perëndimore. Duke iu përshtatur kushteve dhe mundësive të shekullit të 21-të, ky Sinod ka karakteristikat e tij. Por, ai mbetet një simbol i prekshëm dhe i qartë i unitetit të Orthodhoksëve dhe një institucion shumë i vyer për jetën dhe dëshminë e Kishës në botën e sotme. Ka disa që mendojnë se vetëm përsëritja besnike e Sinodit të së shkuarës është orthodhokse në mënyrë autentike. Por Shpirti i Shenjtë nuk ka vepruar vetëm në një kohë të caktuar. Ai mbetet udhërrëfyesi përcaktues i Kishës në rrjedhën e kohës. “Sot Hiri i Shpirtit të Shenjtë na ka mbledhur”. Le ta shijojmë këtë dhuratë dhe le të përpiqemi të përfundojmë punimet me një mendje të vetme vëllazërore dhe me kreativet të frymëzuar.

    Gëzimi ynë, është më se e qartë, zvogëlohet nga mungesa e katër Kishave të Shenjta Orthodhokse Autoqefale. Por ne i kujtojmë ato gjithmonë  duke u lutur, me dashuri dhe respekt vëllazëror. Shpresojmë se edhe vëllezërit e shenjtë që nuk janë të pranishëm po ndjekin dhe po luten për punimet tona. Propozimet e tyre për përmirësim dhe plotësim të teksteve që do të diskutohen, siç edhe u përmend këtu, do të vlerësohen me vëmendjen më të madhe. Shpresojmë për mirë se retë që u grumbulluan kohët e fundit, nuk do të vonojnë të shpërbëhen. Kështu që të gjithë ne, me mirëkuptim reciprok dhe me vëllazëri, të kemi mundësi të vazhdojmë ecjen tonë, duke e udhëhequr popullin orthodhoks “në kullotat e shpëtimit”, duke u dhënë përgjigje sfidave dhe shpresës së njerëzimit bashkëkohor.

    Qysh në Mbledhjen e fundit të Primatëve në Gjenevë, u formulua propozimi që sot mund të kthehet në vendim përfundimtar: Sinodi i Shenjtë dhe i Madh që është thirrur sot, të kthehet në institucion, i cili mund të përsëritet gjatë shekullit në të cilin po jetojmë. Uniteti ekzistues duhet të forcohet më tej dhe të sjellë fryte të reja me anë të Eukaristisë dhe Pasardhjes Apostolike të Episkopëve.

    2. Java e Pentikostisë, në të cilën po zhvillohen punimet e Sinodit, na rikujton se fuqia e Shpirtit të Shenjtë nuk kishte lidhje vetëm me përparimin dhe lartësimin shpirtëror të nxënësve. Nuk kemi të bëjmë me një gjendje lumturie apo ekstaze shpirtërore që ta shijonin vetëm ata. Hiri i Shpirtit të Shenjtë ofrohet për transmetimin e Ungjillit të Shpëtimit në mbarë ekumenin, për vazhdimësinë e veprës së transformimit të mbarë botës, të cilën e nisi Krishti: “Dhe do të më jeni dëshmitarë edhe në Jerusalem, edhe në gjithë Judenë edhe në Samari edhe deri në fund të dheut” (Veprat 1:8). Nxënësit, pak më parë të tronditur dhe të dëshpëruar, shndërrohen në apostuj të guximshëm dhe Kisha bëhet përgjithmonë Apostolike. Sinodi ynë ftohet të theksojë të vërtetën që është e njohur për të gjithë ne se Kisha nuk jeton për veten. Çdo gjë që ka, çdo gjë që bën, çdo gjë që ofron jepet për mbarë njerëzimin, për lartësimin dhe ripërtëritjen e botës. Për këtë, duhet të japë pareshtur dëshminë e Ungjillit dhe të ndajë në botë dhuratat e Perëndisë: të vërtetën, dashurinë, paqen, drejtësinë, pajtimin, përvojën e Kryqit dhe të Ngjalljes dhe shpresën e përjetësisë.

    3. Më lejoni të theksoj këtu disa detaje: Në Mbledhjen e Primatëve në Konstandinopojë në vitin 2014, kur u diskutua mënyra e vendimmarrjes, mbështetëm tezën se shumica e cilësuar do të ishte më rezultative. Në fund fare u vendos për parimin e konsensusit. Por nga ana procedurale, ky parim nuk u pranua nga të gjithë, sepse një Kishë që mori pjesë në Mbledhje dhe konkretisht Patriarkana e Antiokisë, nuk e nënshkroi. Pra, mendimi se vendimet do t’i merrnim “unanimisht” nuk është i saktë. Sigurisht, konsensusi është ajo çka dëshirojmë dhe urojmë të ndodhë. Kuptimin e saktë të tij e analizoi Patriarku Ekumenik Vartholemeu, në Mbledhjen e Primatëve në janar të vitit 2016, në Shambezi dhe për këtë gjë nuk pati kundërshtime. Nëse ky parim çon në rrugë pa krye, duhet të kërkohet një zgjidhje tjetër. Tashmë është e qartë se kemi mbërritur në një ngërç, ku, në vend të konsensusit, shfaqet para syve të gjithë botës, se është e pamundur që të gjitha Kishat të bien dakord dhe kjo po e plagos autoritetin e Orthodhoksisë në arenën ndërkombëtare.

    Me konsensusin synuam diçka shumë më të madhe se ajo që ishte arritur si rregull në brezat e mëparshëm të Orthodhoksëve: përvetësuam një sistem “konsensusi”, i cili nuk ishte zbatuar për 20 shekuj me radhë. Ky ishte një synim, i cili na çoi, pak javë para fillimit të Sinodit të Shenjtë dhe të Madh, në sprovën e njohur tashmë për të gjithë. Propozimi ynë është i thjeshtë dhe konkret: T’i bindemi Kanonit të gjashtë të Sinodit të Parë Ekumenik (vota e shumicës të mbizotërojë), me përshtatjet e mundshme gjatë zhvillimit të procedurës.

    4. Disa veta shtruan pyetjen: Në Sinodet e Mëdha Orthodhokse, Kisha u përball me një herezi. Sinodi i Shenjtë dhe i Madh me çfarë herezie ka për t’u përballur? Përgjigjja është e thjeshtë. Me herezinë më të madhe, nënën e herezive, egocentrizmin. Egocentrizmin personal, grupor, racor, lokalist, kishtar etj., që helmon marrëdhëniet njerëzore dhe çdo formë të bashkekzistencës harmonike e krijuese. Edhe në raste të tjera, në Konferenca për paqen mbarëbotërore, kemi konstatuar bindjen se “e kundërta e paqes nuk është lufta, por egocentrizmi i individëve, shteteve, i bashkësive të ndryshme”. Dhe se antidoti i vetëm ndaj kësaj sëmundjeje që shkakton përçarje mbetet dashuria e painteres, siç e ka përcaktuar dhe e ka mishëruar Krishti dhe ata që e pasojnë me besnikëri. Prandaj edhe kontributi i Kishës mbetet diçka shumë e vyer në mënyrë diakronike dhe i pazëvendësueshëm.

    5. Është më se e qartë se, nëse duam që Orthodhoksia t’i përgjigjet misionit të saj në ngjarjet e sotme globale, para së gjithash duhet të ruajë të pandryshuar karakterin e saj sakramental dhe sotiriologjik. Por njëkohësisht është e nevojshme të jetë e ndjeshme ndaj dhimbjes, shqetësimeve të mëdha dhe thirrjes për drejtësi dhe paqe të popujve. Sado që zhurmat e revolucionit të sotëm teknologjik ta dobësojnë zërin e Orthodhoksisë dhe dobësitë e mangësitë tona personale ta ngjirin zërin tonë, këshilla e psalmistit përbën një domosdoshmëri diakronike: “këndojini Zotit këngë të re... (Ps.95).

    Sinodi i Shenjtë dhe i Madh ftohet t’i prezantojë botës së sotme një traditë dinamike orthodhokse, të hapur ndaj debateve të njerëzimit, që frymëzohet vazhdimisht nga siguria kryqngjallësore dhe që rrezaton të vërtetën, dashurinë dhe bukurinë e Orthodhoksisë. “Edhe atij që sipas fuqisë që veprohet te ne mund të bëjë shumë më tepër nga gjithë sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishë me anë të Jisu Krishtit në gjithë brezat e jetës së jetëve. Amin” (Efes. 3:20).

 

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com