Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

U kremtua 2-vjetori i Shenjtërimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”

 

 

Përkujtim dhe falënderim me një bashkëmeshim

të Sinodit të Shenjtë dhe veprimtari artistike

 

    Në vitin 2014, më 1 qershor, shenjtërimi i Katedrales së Tiranës “Ngjallja e Krishtit” ishte një ngjarje sa shpirtërore aq edhe historike për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, konsakrim i padiskutueshëm i Autoqefalisë së saj në gjirin e Kishës Orthodhokse të përbotshme, por edhe afirmimi maksimal i arritjeve të jashtëzakonshme në këto vite ringjalljeje nga gërmadhat, meritë e pamohueshme e Kryepiskopit Anastas.

   Liturgjia Hyjnore dhe shërbesat u kryesuan nga Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik, Vartholomeu I, në bashkëmeshim me Fortlumturitë e Tyre, Patriarkun e Jerusalemit, Theofilin; të Serbisë, Irineun; të Rumanisë, Danielin; Kryepiskopin e Qipros, Krisostomin; të Athinës Jeronimin, Kryepiskopin e Tiranës, Anastasin; Kryepiskopin e Varshavës, Savën. Bashkëmeshuan edhe Hirësitë e Tyre Mitropolitë, përfaqësuesit e Patriarkëve të Aleksandrisë, Antiokisë, të Moskës, të Bullgarisë, të Gjeorgjisë.

    Me këtë rast, në përvjetorin e shenjtërimit, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” u krye Liturgjia Hyjnore panegjirike e drejtuar nga Kryepiskopi Anastas, i cili bashkëmeshoi me anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Mitropolitin e Beratit, Ignatin, Mitropolitin e Korçës, Joanin; Mitropolitin e Gjirokastrës, Dhimitrin; Mitropolitin e Apollonisë e Fierit, Nikollën; Mitropolitin e Elbasanit, Andonin; Mitropolitin e Amantias, Nathanailin dhe Episkopin e Bylisit, Astin.

   Me Sinodin bashkëmeshoi edhe Episkopi i Filomilit të Dioqezës së Kishës Orthodhokse të Amerikës, Imzot Ilia Katre. Në këtë kremtim morën pjesë klerikë e laikë në përfaqësi të të gjitha Mitropolive. Gjatë Liturgjisë Hyjnore nga Kryepiskopi Anastas u krye edhe dorëzimit në dhjak i Kristo Xhaferrit, biri i priftit të ndjerë atë Sotir Xhaferrit, që humbi jetën në një aksident tragjik me familjen. Dhjakon Kristo, i cili vazhdon kështu traditën familjare, ka mbaruar Liceun Kishtar “Kryqi i Nderuar”, Akademinë Teologjike dhe Shkollën e Lartë Universitare “Logos”, dega financë.

    Në fund të Liturgjisë Hyjnore të pranishmit i përshëndeti Kryepiskopi Anastas, si dhe Episkopi i Filomilit Ilia, i cili ishte pranë Kryepiskopit Anastas gjatë hapave të parë të ringritjes nga gërmadhat. Ai theksoi emocionet që ndjen sot dhe kujtoi vështirësitë e hapave të parë, deri tek kjo ditë historike.

    Pas Liturgjisë, në sallën e madhe të Kompleksit të Katedrales u zhvillua një veprimtari artistike, me këngë, valle, pjesë instrumentale, recitime etj. Kështu, shkolla “Frymë dashurie” e Gjirokastrës u paraqit me disa këngë, shkolla “Protagonistët”, me vallen e Tropojës nga grupi i vajzave dhe këngë; më pas u luajt një pjesë në piano, u recitua një ese për ndërtimin e Katedrales etj. Veprimtaria u mbyll me dy filma të shkurtër dokumentarë; njëri për ndërtimin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” dhe tjetri me pamje nga 1 Qershori 2014, nga dita e shenjtërimit të saj.

    Kjo ngjarje do të rrezatojë gjithmonë në gjithë veprën dhe jetën e Kishës sonë dhe të vendit. Ajo mund të quhet edhe si kulmim i ringjalljes së nisur 24 qershorin e 24 viteve më parë, më zgjedhjen e Fortlumturisë së Tij, Anastasit, Kryepiskop të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë.

    Gjithashtu, ngjarje të tilla historike, si ngritja e katedraleve qendrore, duke nisur nga Kryekisha e Shën Sofisë 15 shekuj më parë, kujtohen në kalendarët kishtarë dhe kremtohen çdo vit si ngjarje-gurë themeli të historisë së kishave lokale dhe Orthodhokse në përgjithësi.

 

Thoma Dhima

Foto: Dhjak Stefan Ritsi, Thoma Dhima

 

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com