Vleresimi aktual: 5 / 5

Yje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktive
 

Manastiri i Ri i Shën Vlashit, Durrës, 11-12 mars 2016

 

U mblodh Asambleja Kleriko - Laike
e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

 

Krijohen dy Mitropoli të reja: Mitropolia e Elbasanit dhe Mitropolia e Apollonisë dhe e Fierit

 

Brenda një klime vëllazërore, më 11 dhe 12 mars 2016, në mjediset e Manastirit të Ri të Shën Vlashit, nën kryesimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, u mblodh Asambleja Kleriko-Laike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Por një Asamble e Kishës është, para së gjithash, një veprimtari shpirtërore dhe lutjeje, ndaj motoja që drejtoi gjithë punimet e saj ishte marrë nga Ungjilli: “Me durim le të vrapojmë... duke shikuar te Jisui, që është kryet dhe fundi i besimit” (Heb. 12:1-2).

Në punimet e saj, morën pjesë më shumë se 280 anëtarë nga Kryepiskopata dhe tri Mitropolitë (të gjithë klerikët dhe 30 laikë nga Kryepiskopata e nga secila mitropoli; 10 burra, 10 gra e 10 të rinj), si dhe bashkëpunëtorë, të cilët diskutuan në mbledhjen e anëtarësisë e në grupe pune çështje që kanë lidhje me jetën e Kishës.

Mbledhja e Asamblesë parashikohet nga Statuti i Kishës. Ajo bazohen në Nenin 70 të Statutit, ku thuhet: “Ky Statut suprimon dhe zëvendëson ata të mëparshmit. Mund të modifikohet me vendim të përbashkët të Sinodit të Shenjtë, të Këshillit Kishtar Kleriko-Laik dhe të Asamblesë Kleriko-Laike, me shumicë absolute të anëtarëve të tyre. Nenet 1-7 të këtij Statuti nuk mund të ndryshohen apo të suprimohen.

Ky Statut u pranua njëzëri nga Asambleja Kleriko-Laike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që u thirr për këtë qëllim, më 4 nëntor 2006 dhe u miratua nga Sinodi i Shenjtë, më 6 nëntor 2006.” Kanë kaluar tashmë 10 vjet nga aprovimi i Statutit të ri dhe koha e zgjerimi i veprimtarisë së Kishës sonë kanë shtruar si të domosdoshme disa ndryshime e përmirësime.

Asambleja u hap pasditen e datës 11 mars 2016, me një Mbrëmësore në kishën e Manastirit, ku pati edhe një meditim nga Episkopi i Krujës, Hirësia e Tij Andoni. Pastaj u vazhdua me seancën e parë, që u hap nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, i cili foli rreth temës së ditës: Plotësimi e përmirësimi i disa neneve të Statutit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Fortlumturia e Tij e lidhi nevojën e tyre me ecjen përpara të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe me zhvillimet që vijnë si rrjedhojë e përgatitjeve për Sinodin e Madh dhe të Shenjtë në muajin qershor, në Kretë.

Një ndër risitë më të rëndësishme të këtyre ndryshimeve, që lidhet me zhvillimin e Kishës dhe nevojat administrative që vijnë nga rritja e numrit të besimtarëve, është edhe krijimi i dy Mitropolive të reja.

Kështu, në nenin 8 të Statutit të Kishës, shtohen dy pika, që kanë të bëjnë me krijimin e Mitropolive të reja, që do të jenë si më poshtë:

5) Mitropolia e Elbasanit, që përfshin Zëvendësitë Mitropolitane Lokale: Elbasan, Shpat, Librazhd.

6) Mitropolia e Apollonisë dhe e Fierit, që përfshin Zëvendësitë Mitropolitane Lokale: Fier, Patos, Libofshë.

Një pjesë mjaft e rëndësishme e ndryshimeve është ajo që ka të bëjë me manastiret e shenjta, që pasqyrohen në nenin 37:

Në pikën 4 të këtij neni, thuhet se:Për ruajtjen, mbikëqyrjen dhe sigurinë e pasurisë së manastireve të shenjta që lulëzuan në kohë të mëparshme dhe sot nuk kanë murgj, përkujdeset Komisioni Ekonomik i Kryepiskopatës ose i çdo Mitropolie.

Një moment mjaft i rëndësishëm është edhe përcaktimi i varësisë së manastireve të shenjta. Kështu, në pikën 5 të Nenit 37, thuhet se:Manastiret e Hirshme: i Lindjes së Hyjlindëses në Ardenicë, i Ungjillëzimit të Hyjlindëses në ishullin Zvërnec, i Shën Marenës në Llëngë, dhe i Shën Theodhorëve në Dhërmi emërtohen Manastire Sinodike.

Në pikën 6 përcaktohen manastiret që janë edhe vende pelegrinazhi për Kishën tonë. Ato janë:Manastiri i Hirshëm i Shën Kozmait të Etolisë në Kolkondas dhe i Shën Joan Vladimirit në Shijon.

Një vend të veçantë zunë edhe disa përmirësime në nenet që kanë të bëjnë me aspektin ekonomik, duke krijuar hapësirë për krijimin e shoqërive me përgjegjësi të kufizuar, si ato hidroenergjitike, nga Sinodi i Shenjtë (Neni 53).

Në Nenin 55, u shtua një paragraf që thotë:2. Asnjë klerik i çdo lloj grade, dhe asnjë anëtar i Këshillit të famullisë, pavarësisht funksionit që ai ka, nuk ka të drejtë të dhurojë ose të shesë pasuri të luajtshme apo të paluajtshme të Kishës. Në rast e nevoje për të shitur kërkohet opinioni i Këshillit Kleriko-Laik dhe vendimi i Sinodit të Shenjtë.

Disa përmirësime u bënë edhe në Nenin 61, për çështjet ekonomike:

1. Pranë Sinodit të Shenjtë funksionon Komisioni Sinodik i Çështjeve Ekonomike dhe Teknike. Ky komision përbëhet nga: a) një Mitropolit kryetar, b) një episkop, c) Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës ekonomike dhe Teknike, d) një jurist, e) një inxhinier. Të gjithë anëtarët emërohen nga Sinodi i Shenjtë për një mandat pesëvjeçar, me të drejtë rinovimi. Në Zyrën Sinodike Ekonomike dhe Teknike ndodhen degët: a) e Çështjeve Ekonomike, b) e Pronave, c) e Çështjeve Ligjore, d) e Zyrës Teknike, ku përfshihet edhe Zyra e Trashëgimisë Kulturore.

2. Pranë Sinodit të Shenjtë funksionon Komisioni i Kontrollit i përbërë nga: a) Kryepiskopi ose zëvendësuesi i emëruar prej tij, b) një mitropolit ose episkop, c) një përfaqësues i Këshillit Kleriko-Laik, d) një ekonomist, e) një jurist. Të gjithë anëtarët emërohen nga Sinodi i Shenjtë për një mandat pesëvjeçar me të drejtë rinovimi. Punën e këtij komisioni e kryen një sekretar i veçantë i zgjedhur prej tij.

3. Komisioni Ekonomik i Kryepiskopatës ose i Mitropolisë përbëhet nga: a) kryebariu përkatës, b) një klerik, anëtar i Këshillit Kleriko-Laik, c) një laik, anëtar i Këshillit Kleriko-Laik dhe dy anëtarë (preferohen të jenë njëri ekonomist e tjetri jurist). Këta anëtarë zgjidhen nga Këshilli Kryepiskopal ose Mitropolitan për një mandat trevjeçar, me të drejtë rinovimi.

4. Kryepiskopata dhe Mitropolitë administrojnë financat e tyre, kanë Zyrën e Financës dhe NIPTIN e tyre përkatës. Për plotësimin e nevojave të buxhetit të tyre, i bëjnë kërkesë përkatëse Kryetarit të Sinodit të Shenjtë.

Gjithashtu, disa përmirësime u bënë në Nenin 62, për administrimin e të ardhurave, në Nenin 63, për gjykimin e shkeljeve nga klerikët dhe në nenin 68, për nënshkrimet dhe vulat.

Të gjitha këto ndryshime iu nënshtruan diskutimeve nga anëtarët e Asamblesë, të cilët bënë edhe poropozime për përmirësime. Ato u votuan nen për nen dhe morën aprovimin unanim të pjesëmarrësve. Më pas, ndryshimet e aprovuara nga Asambleja Kleriko-Laike do të shqyrtohen e aprovohen, sipas Statutit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nga Sinodi i saj i Shenjtë.

Të nesërmen, më 12 mars 2016, pjesëmarrësit u mblodhën në Liturgjinë Hyjnore, ku ishin të pranishëm Kryepiskopi Anastas dhe të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë dhe klerikët e laikët pjesëmarrës. Gjatë saj u bë një meditim nga Episkopi i Bylisit, Hirësia e Tij Asti.

Më pas u vazhdua me seancën e radhës, ku pjesëmarrësit u informuan rreth mbledhjes së Sinodit Panorthodhoks në muajin qershor, në Kretë dhe pjesëmarrjen e Kishës sonë në të. Rreth kësaj teme foli Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani, i cili vuri në dukje edhe rolin aktiv dhe shpesh thelbësor të Kryepiskopit Anastas për gjetjen e konsensusit gjatë mbledhjeve përgatitore.Pas një fotografie të përbashkët të pjesëmarrësve në Asamble, u vazhdua me takimet në grupe, ku u diskutua për tema dhe probleme të ndryshme.

Nga Asambleja Kleriko-Laike pati edhe një Protestë drejtuar Autoriteteve Shtetërore, mediave dhe publikut, për të tërhequr vëmendjen ndaj rasteve të përdhosjes së vendeve dhe sendeve të shenjta orthodhokse dhe për të kërkuar kthimin sa më shpejt të tyre, sipas marrëveshjes Kishë-Shtet. 

 

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com