Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

Martesa dhe familja në Kishën Orthodhokse

 

Nga Hirësia e Tij Joani, Mitropolit i Korçës

 

    (Ky referat u mbajt në Konferencën me temë “Besimi fetar dhe familja në Shqipëri”, që është organizuar nga Fondacioni “Në familje, për familjen”, dhe po zhvillohet në disa qytete, si në Korçë, Shkodër, Tiranë etj. Kjo veprimtari kryhet me mbështetjen e Fondit Kanadez për Nisma Lokale.)

    Kisha Ortodokse mëson se një familje e shëndetshme ndërtohet mbi shenjtërinë e martesës. Në mësimin e saj afirmohet, pa asnjë ekuivok, shenjtëria e martesës, si një doktrinë themelore e padiskutueshme dhe e patjetërsueshme. Bashkimi i lirë, ndërmjet një burri dhe një gruaje është një kusht i domosdoshëm (sine qua non) i martesës dhe martesa është baza e zemra e familjes. Martesa konsiderohet si institucioni më i vjetër i së drejtës hyjnore, sepse është themeluar në të njëjtën kohë kur u krijuan edhe njerëzit e parë, Adami e Eva (Gjeneza 2:23). Bibla na mëson qartë se Perëndia e themeloi martesën, si një besëlidhje ndërmjet një burri e një gruaje dhe e bekoi atë, duke i dhënë një karakter sakramental. Të bashkuar në Perëndinë ajo bëhet jo vetëm thjesht një lidhje natyrale konvencionale, për të siguruar vazhdimësinë e jetës së gjindjes njerëzore, por edhe një bashkim shpirtëror e një forcë krijuese shpirtërore, për të siguruar themelin, mbi të cilin mund të ndërtohet institucioni i shenjtë i familjes. Mbrojtja e shenjtërisë së martesës ka qenë gjithmonë e një rëndësie kryesore për mbrojtjen e familjes.

    Duke komentuar fjalët e Ungjillit kur Zoti thotë se kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre (Matth.18:20), shën Klementi i Aleksandrisë shkruan: “Kush janë dy ose tre bashkuar në emrin e Krishtit në mes të të cilëve Perëndia është i Pranishëm? A nuk janë burri dhe gruaja dhe fëmija që janë bashkuar në Perëndinë?” (Stromatat 3,10,68). Bashkimi i burrit dhe gruas, nëpërmjet bekimit dhe pranisë së Perëndisë, e bën lidhjen më të fortë dhe e ngre në një shkallë më të lartë. Prandaj martesa ndërmjet një burri dhe një gruaje, bekuar nga vetë Perëndia, është bërë një mister i shenjtë, një sakrament. Filozofi Soren Kierkegaard (1813-1855), në librin e tij Veprat e Dashurisë, thekson këtë pikë të rëndësishme: “Dituria e botës mendon se dashuria është një lidhje ndërmjet burrit e gruas. Krishterimi mëson se dashuria është një lidhje ndërmjet burrit - Perëndisë - gruas, që do të thotë se Perëndia është hallka lidhëse.” Është pikërisht kjo lidhje në Perëndinë që e bën martesën më të fortë dhe si pasojë edhe familjen më të shëndoshë. Kështu, për të krishterët, martesa bëhet jo vetëm një kontratë e thjeshtë ligjore e një mjet riprodhimi dhe përmbushjeje e nevojave natyrore, por, sipas shën Joan Gojartit, “një sakrament i dashurisë”, një bashkim i përjetshëm i bashkëshortëve në Krishtin.

    Siç dihet dhe pranohet nga të gjithë, familja është qeliza fillestare e jetës shoqërore dhe guri bazë për ndërtimin e shoqërisë. Familja është një komunitet i jetës dhe i dashurisë, themeluar mbi martesën, për të mbrojtur çdo anëtar të saj. Ajo na jep identitetin dhe ndijimin e përkatësisë dhe brenda saj ne aftësohemi të bashkëndajmë përvojat e përditshme, si edhe na ndihmon t’i japim jetës sonë kuptim dhe qëllim. Familja është një mundësi për t’u rritur në virtyte, si në dashuri, bujari, në falje dhe në durim. Stabiliteti dhe një jetë e ndërlidhjeve të drejta dhe të shëndosha brenda familjes përbëjnë gjithashtu edhe themelet për lirinë, sigurinë dhe vëllazërinë brenda shoqërisë. Njeriu është një qenie komunitare dhe familja është pikërisht komuniteti ku, qysh prej fëmijërisë, ne mësojmë vlerat morale, të duam, të nderojmë dhe të respektojë njëri-tjetrin. Aty ne mund të mësojmë gjithashtu të kujdesemi për njëri-tjetrin, sidomos për më të dobëtit, sepse, moskultivimi i kësaj, i gjen familjet në raste nevoje të papërgatitura. Jeta e familjes është një inicim në jetën në shoqëri. Është vështirë të kemi shoqëri të shëndosha, nëse nuk kemi familje të shëndosha. Rëndësia e familjes për jetën dhe mirëqenien e shoqërisë, duhet të rrisë përgjegjësinë e shoqërisë, për të mbështetur e forcuar martesën dhe familjen, si edhe të ndërgjegjësojë për traditën e favorshme kulturore, e cila është shumë e dobishme për ruajtjen e tyre. Gjithashtu, edhe autoritetet civile duhet ta konsiderojnë si një detyrë të rëndësishme njohjen e natyrës së vërtetë të martesës e të familjes, t’i mbrojnë ato, të ruajnë moralitetin publik dhe të promovojnë begatinë e familjes.

    Shën Klementi i Aleksandrisë e përshkruan familjen, si një kishë dhe si një shtëpi të Perëndisë, ndërsa shën Joan Gojarti e quan familjen “kishë e vogël”. Kështu që një burrë dhe një grua, të bashkuar në martesë në Perëndinë, formojnë një kishë shtëpiake. Fëmijët bëhen fryt i dashurisë dhe i bashkimit të tyre dhe lindja dhe rritja e tyre i përket, sipas mësimit të kishës orthodhokse, njërit prej qëllimeve më të rëndësishme të martesës. “Ja, fëmijët janë një trashëgimi që vjen nga Zoti: dhe fryti i barkut është një shpërblim”, thërret psalmisti (Ps. 127:3). “Fëmijët nuk janë një përfitim rastësor; ne kemi përgjegjësi për shpëtimin e tyre... Moskujdesja për fëmijët është më i madhi i të gjitha mëkateve, meqenëse ai të çon në pabesinë ekstreme ... Nuk ka shfajësim për ne, nëse fëmijët tanë janë të prishur”, shkruan shën Joan Gojarti. “Një atë i vërtetë nuk është ai që ka lindur fëmijë, por ai që i rrit dhe i mëson mirë ata”, shprehet shën Tihoni i Zadonskut. Shkrimi i Shenjtë thekson me forcë si detyrën e prindërve për t’u kujdesur për fëmijët, ashtu edhe të fëmijëve për të nderuar prindërit: Ndero atin tënd dhe nënën tënde: që ditën e tua të jenë të gjata në tokë - lexohet në urdhërimin e pestë. Në Dhiatën e Vjetër, mosrespekti për prindërit shihet si faji më i rëndë. Po ashtu edhe Dhiata e Re i mëson fëmijët t’u binden prindërve të tyre me dashuri. “Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj në të gjitha gjërat: sepse kjo është e pëlqyeshme te Zoti.” (Kol. 3:20).

    Mësimi social i Kishës Orthodhokse thekson se familja, si një kishë shtëpiake, është një organizëm unik, anëtarët e së cilës jetojnë dhe i ndërtojnë lidhjet e tyre në bazë të ligjit të dashurisë. Përvoja e lidhjeve familjare e mëson një person ta kapërcejë egoizmin shkatërrues dhe të ndërtojë themelet për ndjenjën e detyrës së tij qytetare. Në familje, pikërisht si në një shkollë devocioni, krijohet qëndrimi i drejtë ndaj të tjerëve, i cili më pas vazhdon edhe në shoqëri. Vazhdimësia e gjallë e brezave, që fillon në familje, pasohet në dashurinë e paraardhësve dhe të atdheut, si edhe në ndijimin e pjesëmarrjes në histori. Prandaj është kaq e rrezikshme të shtrembërohen lidhjet tradicionale prindër-fëmijë, që fatkeqësisht janë rrezikuar në mënyra të ndryshme nga mënyra e jetesës bashkëkohore, duke shkaktuar gjithashtu zhvillimin e largimit dhe antagonizmit ndërmjet brezave. Roli i familjes në formimin e personalitetit është i jashtëzakonshëm; asnjë institucion social tjetër nuk mund ta zëvendësojë atë. Erozioni i lidhjeve familjare sjell në mënyrë të paevitueshme deformimin e zhvillimit normal të fëmijëve dhe lë tek ata një gjurmë të përhershme dhe, deri në njëfarë mase, të pashlyeshme. Fëmijët që janë braktisur nga prindërit, që mbushin jetimoret dhe që shpesh e gjejnë veten nëpër rrugë, tregojnë sëmundjen e thellë të familjes dhe të shoqërisë sot. Është një detyrë e gjithë shoqërisë sonë dhe sidomos e autoriteteve shtetërore dhe e komunitetetve fetare, për t’u dhënë këtyre fëmijëve një ndihmesë materiale dhe shpirtërore. Kisha e konsideron si një nga detyrat e saj më të rëndësishme ndërgjegjësimin e detyrës së shenjtë të prindërimit, për të shmangur tragjeditë e fëmijëve të braktisur.

    Kultura bashkëkohore është sot në një krizë të thellë në lidhje me martesën dhe familjen. Në shoqëritë e sotme postmoderne, familja, e bazuar në vlerat hyjnore dhe njerëzore, ndihet e rrezikuar nga tentativat për të ligjëruar lidhje jonatyrore. Duhet të kemi gjithmonë parasysh se familja dhe martesa janë ide e Perëndisë dhe, si institucione hyjnore; nuk janë të hapura për ndryshime dhe devijime njerëzore. Në deklaratën finale të konferencës “Të krishterët përballë sfidave për familjen”, Kaunas (Lituania) 10 janar 2011 thuhet: “... Vetëm familja e bazuar mbi martesën krijon ambientin, ku personi njerëzor mund të zihet me dinjitet, të lindet me dinjitet dhe të rritet e zhvillohet me dinjitet, në çdo aspekt. Por, sot, ky mision themelor i familjes pengohet, në një masë të konsiderueshme, nga një kuptim i rremë i lirisë, që e vë institucionin e familjes, së bazuar mbi martesën, në të njëjtin plan me ‘bashkime’ e forma të tjera bashkëjetimi dhe partneriteti.

    Si përfundim mund të themi se shoqëria e sotme ka nevojë për t’i rizbuluar dhe për t’i bërë normë të jetës së saj vlerat e patjetërsueshme. Sepse ndodh shpesh herë, që në emër të progresit dhe zhvillimit, janë shkatërruar vlerat dhe lidhjet tradicionale, duke e dëmtuar rëndë familjen, martesën dhe vetë personin njerëzor. Të ruash vlerat nuk do të thotë të jesh kundër progresit, por, përkundrazi, do të thotë t’i sigurosh progresit bazën e tij të domosdoshme, pa të cilën, gjithçka do të shkojë drejt degradimit, korrupsionit dhe shkatërrimit. Besimi në Perëndinë është një garanci për ruajtjen e këtyre vlerave jetike për njerëzimin. Fjalët e famshme të Dostojevskit, se, nëse Perëndia nuk ekziston, të gjitha janë të lejueshme, mund të shihen të realizuara, me të gjitha pasojat tragjike, në të gjitha familjet dhe shoqëritë që e kanë larguar Perëndinë nga jeta e tyre e përditshme. Sepse, duke mos pranuar ekzistencën e Perëndisë, nuk mund të pranohet as Ligji Moral, dhënë nga Perëndia. Duke mos qenë Ligji Moral, nuk mund të ketë besnikëri e duke mos pasur besnikëri, nuk mund të ketë martesë. Duke mos pasur një martesë normale, nuk mund të ketë një familje normale dhe, duke mos pasur një familje normale, ne nuk mund të kemi një shoqëri normale.

 

 

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com