Vleresimi aktual: 5 / 5

Yje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktive
 

DREJT SINODIT TË SHENJTË DHE TË MADH

 TË KISHAVE ORTHODHOKSE (*) 

 
+ Anastasi
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë 

    Kam gëzimin t’ju bëj të ditur diçka shumë të rëndësishme. Këtë vit, javën e Pentikostisë, do të mblidhet Sinodi i Shenjtë dhe i Madh i Kishës Orthodhokse, i shumëpritur për vite të tëra. Për të kuptuar më mirë ngjarjet e sotme dhe rëndësinë e vendimit për mbledhjen e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh, do ta nis me një përmbledhje të historisë kishtare në dy mijëvjeçarët e parë.   

    1. Në mijëvjeçarin e parë, pas lirisë së ndërgjegjes fetare, me nxjerrjen e ediktit të Milanos nga Konstandini i Madh dhe Liciniusi, u krijuan pesë qendra bazë kishtare: Roma, Konstandinopoja - Roma e Re, Jerusalemi, Aleksandria dhe Antiokia. Me zhvillimin e Krishterimit, u krijuan probleme të ndryshme në Kishat lokale. U shfaqën kërcënime nga herezi të ndryshme, ndasi etj. Për zgjidhjen e tyre thirreshin Sinodet e Episkopëve Orthodhoksë. Disa ishin lokale, kurse për çështjet më serioze, veçanërisht për ato dogmatike, u mblodhën Sinodet Ekumenike. Sinodin Ekumenik e thërriste perandori. Por kryetar i Sinodit ishte gjithmonë një Patriark i njohur. Në këtë mënyrë u mblodhën shtatë Sinodet Ekumenike të Kishës së pandarë të mijëvjeçarit të parë.

    Në fillimet e mijëvjeçarit të dytë ndodhi sprova e frikshme e Skizmës midis Perëndimit dhe Lindjes (1054), ngjarje që krijoi konflikte dhe vonesa në përhapjen e Krishterimit. Në vazhdim, u krijuan dy pole administrative. Në Perëndim ishte Roma. Por pas epokës së Rilindjes (gjysma e shekullit të 15-të), në Perëndim u shfaqën lëvizje proteste kundër zotërimit kishtar të Romës dhe u krijuan në mënyrë graduale Kishat protestante. Në Lindje katër Patriarkanat e Hershme qëndruan të bashkuara: Konstandinopoja - Roma e Re, Aleksandria, Antiokia e Jerusalemi. Vijuan sprova të mëdha për shkak të pushtimeve nga popullsitë myslimane. Por paralelisht u arrit një zhvillim i madh i Orthodhoksisë në Veri: Krishterizimi i fiseve sllave e kryesisht i Rusisë. Kjo vepër nisi në fund të mijëvjeçarit të parë. Populli rus si një trup i vetëm pranoi besimin Orthodhoks dhe Kisha e atjeshme vazhdoi më tej veprën hierapostolike të Bizantit në Azinë e Veriut. Kështu u krijua edhe një qendër e re kishtare, Patriarkana e Moskës.

    Nga mesi i shekullit të pesëmbëdhjetë deri në mesin e atij të nëntëmbëdhjetë, popujt orthodhoksë të Gadishullit Ballkanik dhe të Azisë së Vogël jetonin nën perandorinë osmane. Pas çlirimit gradual të popujve të Ballkanit, Patriarkana Ekumenike i dha Autoqefalinë Kishës së Greqisë, Serbisë, Rumanisë, Bullgarisë. Në shekullin e njëzetë u dha Autoqefalinë Kishave të Polonisë, Shqipërisë, Çekisë-Sllovakisë e u njoh si Patriarakanë Kisha e Gjeorgjisë. Kisha e Qipros e ka marrë Autoqefalinë me vendim të Sinodit Ekumenik.

    Gjendja e sotme për Kishën Orthodhokse paraqitet si vijon: Kemi Patriarkanat e Hershme të Konstandinopojës, Aleksandrisë, Antiokisë, Jerusalemit; Patriarkanat më të reja: të Rusisë, Serbisë, Rumanisë, Bullgarisë, Gjeorgjisë dhe Kishat Autoqefale: të Qipros, Greqisë, Polonisë, Shqipërisë e Çekisë-Sllovakisë. Gjithsej 14 Kisha Orthodhokse Autoqefale. Kisha e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike e Lindjes ruajti unitetin e saj, me jetën e saj sakramentale të përbashkët, kryesisht me Eukaristinë Hyjnore, Pasardhjen apostolike të episkopëve të saj dhe mbajti të pandryshuara burimet e Besimit: Shkrimin e Shenjtë, Traditën e Shenjtë dhe Kanonet Apostolike dhe Sinodike. Qendra koordinuese e Kishave Orthodhokse vazhdon të jetë Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës.

    2. Pas Luftës së Dytë Botërore, shumë Kisha Orthodhokse Autoqefale u përballën me persekutime të ndryshme nga qeveritë ateiste-komuniste që morën pushtetin në vendet e tyre, deri në rrëzimin e regjimeve komuniste. Pas Luftës së Dytë Botërore me fillimet e Lëvizjes Ekumenike të Krishterë, ne orthodhoksët patëm raste të takoheshim në takime të ndryshme midis të krishterëve, në mbledhje, konferenca, dhe dëshira e përbashkët, për të mbledhur një Sinod të Shenjtë dhe të Madh të Orthodhoksëve, u rrit akoma edhe më shumë.

    Në vitin 1960, në Rodos, u vendos parapërgatitja e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh. Aty u përcaktuan edhe temat kryesore që duheshin trajtuar. Më vonë u ra dakord të krijoheshin komisionet panorthodhokse për studimin e çështjeve në fjalë dhe për formulimin e teksteve parasinodike. Me kalimin e kohës, u shfaqën probleme të shumëllojta dhe shtyrjet në kohë çuan në skepticizëm, komente ironike dhe dyshime nëse do të realizohej ndonjëherë Sinodi i Kishave Orthodhokse. Fatmirësisht, ndodhi një ngjarje shumë e rëndësishme, nisën të mbahen Mbledhjet e Krerëve të Kishave Orthodhokse (Konstandinopojë 1993, pastaj në Jerusalem 2000, Konstandinopojë 2008, 2014). Veçanërisht të rëndësishme kanë qenë mbledhjet e viteve 2008, 2014, si dhe mesazhet që ato dhanë.

    Në Mbledhjen e vitit 2014, u vendos thirrja e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh në Konstandinopojë dhe, konkretisht, në Kishën e Shën Irinit, nëse nuk do të ndodhte diçka e paparashikuar, si edhe rregulli që çdo Kishë Orthodhokse Autoqefale të përfaqësohet nga 24 episkopë dhe të ketë një votë. Në fund fare, ndodhi e papritura: tensioni i marrëdhënieve midis Turqisë dhe Rusisë për shkak të rrëzimit të avionit luftarak rus. Pas kësaj ngjarjeje, u paraqitën dy mundësi, ose ta shtynim Sinodin e Shenjtë dhe të Madh, ose të mblidhej në një vend tjetër.    

Në fund fare, gjatë mbledhjes së fundit të Krerëve në Shambezi të Gjenevës, në Zvicër (22-28 janar 2016), u vendos përfundimisht që Sinodi i Shenjtë dhe i Madh të thirret javën e Pentikostisë (19-26 qershor 2016), në Kretë (Akademia Orthodhokse, Kolimbari e Kretës). Kisha e Kretës është apostolike, autonome nën Patriarkanën Ekumenike, bën pjesë në Bashkimin Evropian dhe ofron të gjitha kushtet e domosdoshme për zhvillimin e qetë të Sinodit të Shenjtë dhe të Madh.    

    Këto vendime nuk ishin të lehta. Kërkonin lutje të nxehta, elasticitet mendimi, mundësi formulimi idesh, përpjekje këmbëngulëse për të bindur ata që kishin dëshira të kundërta dhe plane të tjera. Lavdi Perëndisë, vendimi u mor në mënyrë përfundimtare. Është e nevojshme që të gjithë, klerikë e laikë, të lutemi me të gjithë shpirtin për parapërgatitjen dhe zhvillimin sa më të mirë të Sinodit. Sinodi i Shenjtë dhe i Madh do të jetë një bekim për mbarë Kishën Orthodhokse dhe, në përgjithësi, për botën e krishterë. Dhe duke qenë bekim për botën e krishterë, do të përbëjë një ngjarje të rëndësishme për ecurinë e botës.

 

 

    (*) Fjalë e regjistruar, që u mbajt në Kishën Katedrale “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, e diel 31.1.2016

 

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com