Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

    Të jesh prind është gjë shumë e bukur dhe madhështore. Njeriu ripërsërit vetveten, trasmenton përvojën dhe përjetëson ADN-ën e tij. Dhe për ata që besojnë në ekzistencën e një Krijuesi të gjithësisë dhe të njeriut, të krijuar sipas ikonës së Perëndisë, ndihen bashkëkrijues me Atë, për krijimin e një tjetër njeriu. Kjo gjë madhështore patjetër është edhe një përgjegjësi e madhe për prindërit që sjellin fëmijët në jetë, të cilët nuk duhet të jenë produkti i një kontakti seksual të rastësishëm, por frutë i një martese të bekuar në dashuri, sakrifikuese.

 

    Përkujdesja prindërore fillon që në momentin kur prindi bëhet i vetëdijshëm për embrionin, madje thuhet, që në këtë kohë gruaja nuk duhet të jetë e stresuar, duke marrë informacion të trishtë, sepse gjendja e saj transmetohet tek embrioni. Kjo përkujdesje rritet akoma më shumë kur lind fëmija dhe vazhdon me përkushtim deri sa kur fëmija bëhet një individ dhe person i vetëdijshëm, i aftë të mbijetojë,  i pavarur nga prindërit jo vetëm nga ana sociale, por edhe shoqërore duke përfituar përvojën nga ata dhe nga përpjekja e tij personale, të mund të zgjedh të mirën dhe të shmang të keqen në jetën e tij. Për të folur për këtë përkujdesje sublime të prindërve në rrafshin social, ekonomik dhe shoqërore, duheshin shumë faqe, por unë si prind dhe si mësues (katekizmi) në Kishën Orthodhokse dua të përqendrohem dhe të ndaj me ju një shqetësim për një fenomen  me pasoja të frikshme që po shfaqet dhe po merr gjithnjë e më shumë përmasa globale, sidomos nga fundi i shekullit 20-të dhe fillim i këtij të shekullit të 21-t. Ky fenomen quhet satanizëm, demonolatri (adhurim i djallit) dhe ndikon në demonizimin e fëmijëve, të rinjve  dhe  vetë shoqërisë sonë.

 

    Po kush është Satanai?

 

    Satanai ishte një kryeëngjëll që u rrëzuanga qielli. Ai u krijua nga Perëndia si një krijesë shpirtërore me emrin Eusfor (ëngjëlli i agimit), por ai nuk qëndroi në vendin që e vendosi Zoti, u krenua në veten e tij sa donte të ishte i njëllojtë me Perëndinë. Në Bibël na thuhet qartë për marrëzinë e tij krenare dhe për rënien e tij të tmerrshme, nga vendi i lavdishëm, ku e kishte vendosur Perëndia. Nga Eusfor u quajt Lucifer (ëngjëlli i errësirës), nga mik i Perëndisë u quajt Satana (armik) dhe djall (gënjeshtar). Ai dhe ëngjëjt rebel që u rrëzuan bashkë me të u quajtën demon (ose të ndarët). Ai është gënjeshtra dhe ati i gënjeshtrës, gënjeu veten, ëngjëjt, gënjeu dhe dy njerëzit e parë Adamin dhe Evën në kopshtin e Edenit. Kur njeriu dëgjoi djallin ai u nda nga Zoti që është burimi i jetës dhe kështu u bë një qenie e vdekshme, fizikisht shkon në dhè, dhe shpirtërisht shkon në ferr i burgosur prej satanit, prandaj për këtë arsye djalli quhet njerivrasës që nga fillimi”(Jn. 8:44). Ai është princi i kësaj bote mëkatare të fituar me dredhi, dhe quhet “zotëria” i errësirës dhe i ferrit, vend i kundërshtimit të dashurisë së Perëndisë dhe si rezultat i mundimit të përjetshëm.

 

    Ai është një qënie personale e padukshme, sepse është frymë, por e dukshme nga veprimet e tij. Atje ku ka një mendim, dëshirë dhe veprim mëkatar frymëzuesi dhe regjizori i padukshëm është ai dhe aktorët njerëzit. Ai e urren njeriun dhe e sulmon që në ngjizjen e tij, sepse tek njeriu në çfarë do stadi të jetës ai shikon ikonën e Perëndisë dhe meqënëse e ka humbur përballjen me Perëndinë në qiell, kërkon ta hidhërojë Atë me rebelimin humbjen e njeriut në tokë, kjo është arsyeja pse djalli dhe njeriu janë në një luftë për jetë a vdekje. Ai është një fuqi e keqe që nuk duhet neglizhuar dhe është e vështirë për ta luftuar, sepse është i padukshëm, dinak me përvojë shekullore, me ushtri të madhe demoniake dhe e lufton njeriun në mendime, dëshira, veprime, që njeriu ai ka më shumë për zemër dhe më afër, ashtu si tundoi Evën, që të hante frutin e ndaluar. Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t’u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe pema ishte e dëshirushme për të zgjuar dikë. (Zan. 3:6) Me këto tre tundime: lakmia e syve, dëshirimi i mishit dhe krenaria e mendjes, ai lufton çdo njeri që nga ngjizja, lindja deri në vdekje. Ai vepron i dukshëm kur i ka harxhuar të gjitha kurthet dhe gënjeshtrat  e kamuflimit të tij.

 

    Dy “mrekullitë”’ më të mëdha të djallit sot janë: e para, është se i ka mbushur mendjen disa njerëzve se ai nuk ekziston si qenie dhe se është një figurë mitologjike e sajuar nga injoranca dhe për të frikësuar njerëzit. Në këtë gënjeshtër të tij bien ateistët, humanistët, panteistët, etj., që nuk besojnë në botën e padukshme shpirtërore dhe ekzistencën e së keqes si person. E dyta, është se ai shfaqet si “zot” i errësirës dhe i ferrit dhe kërkon adhurim. Për këtë gjë ai premton bashkëpunim dhe ndihmë njeriut, që njeriu me anë të diturisë dhe fuqisë së djallit të përmbush të gjithë egon, lakminë e syrit, dëshirimin e mishit dhe krenarinë e jetës dhe mbas kësaj jete premton të mbretërojë bashkë me atë në botën e nëndheshme. Këta janë adhuruesit e djallit: satanistët, magjistarët, okultistët, spiritistët, apokrifistët.  Në të dyja këto mrekulli djalli del i fituar, sepse në qoftë se ai nuk ekziston, as edhe luftohet dhe kjo i jep atij fushe të lire veprimi. Edhe kur kërkon adhurimin e njerëzve dhe premton bashkëpunim me ata, i largon njerëzit nga Perëndia dhe kështu i mban njerëzit të skllavëruar mbas vetes , jo vetëm në këtë jetë, por sidomos në ferrin e përjetshëm ku ai pret të shkojë sipas dënimit që me të drejtë i dha Perëndia: Qofsh i mallkuar!” (Zan: 2:13)

 

    Fëmijët  dhe të rinjtë, nga mungesa e përvojës dhe fryma rebele që i karakterizon këto mosha janë një pre e lehtë për djallin. Mjetet që përdor djalli janë të shumta dhe sidomos ato vizuale. Ai e di se njeriu me anë të shikimit merr 80% të informacionit, këtu ai bën gjithë përpjekjet që me anë të ikonave të tij të stamposet në supkoshiencën e fëmijëve dhe të pranohet prej tyre si “mik’.” Sot fëmijët bombardohen nga mëngjesi në darkë me personazhe  diabolik, që nuk janë gjë tjetër veçse fytyra të ndryshme të djallit. Nëpërmjet filmave të animuar personazhet si dragonj ose (dragon ball), zanat, (winx-at), Pitter Pan, Gogu, etj. Në qoftë se ne do të sqarojmë me pak fjalë se çfarë përmbajtje fshehin këta persona të gjithë do të bindeni se fëmijët tanë janë duke parë dhe admiruar djallin çdo ditë nëpërmjet televizionit, që Shën Kozmai i Etolisë (1779) e profetizoi si “kutia” nga e cila djalli do flasë nga shtëpitë tona.

 

    Dragoi është simbol i lashtë mitologjik i përdorur nga babilonezët, grekët, është një simbol për diellin ose dijen e fshehtë. Tek Egjiptasit dragoi ose gjarpri ishte simbol i Osirisit (zot i vdekjes dhe i errësirës), i botës së nën dheshëme  dhe i të vdekurve. Në Bibël dragoi është personifikim i djallit:  “...dragoi i madh, gjarpri që quhet djall, ngadhënjyesi i botës u hodh poshtë.” (Zbu. 12:9)

 

    Zanat/shtojzavallet janë figurë mitologjike sidomos në Ballkan, rrinë nëpër ujëra dhe pyje, kanë fuqi magjike të bëjnë mirë ose të murosin, brirët e dhive janë mbrojtja dhe dobësi e zanave ato janë dhe simbol i pjellorisë, prandaj nga kjo vjen dhe etimologjia e fjalës shtatë-zane (trup i bukur). Edhe zanat pasi duken të bukura dhe tërheqëse në thelb janë djalli, demoni, transformuar si një ëngjëll drite,  i cili rri në ujëra dhe vende të shkreta, ka për simbol të  rebelimit  të tij brirët e cjapit (Bafometi) dhe tundon njeriu në dëshirat seksuale, ashtu siç na thuhet edhe tek Zanafilla:  “...bijtë e Perëndisë (ëngjëjt e rënë), kur i panë bijat e njerëzve se ishin të bukura, zunë t’i marrin për gra të gjitha ato që u pëlqenin.’’(Zan. 6:2)

 

    Piter Pan-i po ashtu një personazh shumë i dashur për fëmijët, është perëndia e pyjeve me këmbë dhe me thundra të çara si të cjapit, me brirë dhe mjekër. Pani babai  i të cilit është Hermesi,  zot i fshetësirës, shpesh përshkruhet si  njeriu i gjelbër ( jeshil), zoti i bimësisë. Pra, përsëri Pani është një ikonë e djallit që u rebelua kundër Zotit dhe kërkon të adhurohet si krijuesi i botës, (bimësisë).

 

    Gogu, është simbol i popullit armik kundër Zotit, të cilët në fundin e kohërave do ngrihen kundër Perëndisë dhe shenjtorëve të tij, ashtu siç nga thuhet tek Zbulesa: “Satani do të zgjidhet nga burgu i tijdhe do të dalë të ngrejë popujt nga katër anët e botës - Gogë dhe Magogë - dhe do t’i bashkojë në luftë: numri i tyre është porsi rëra e detit”.(Zbu. 20:7-8)

 

    Një joshje tjetër e djallit për fëmijët është libri “Harry Potter” me autore J.K.Ruling. Libri tregon për një djalë të vogël që mëson në një shkollë magjie për t’u kundërvënë forcave të errësirës me anë të veprimeve dhe energjive magjike. Po ta shikojmë me kujdes në ballin e tij ka shenjën e rrufesë, ajo është shenja e djallit, ashtu siç tha Zoti Krisht në Ungjill: Ja e pashë satananë që zbriste si rrufe nga qielli(Llk. 10:18). Ky libër që doli për herë të parë në 30 qershor 1997 është përkthyer në 73 gjuhë dhe deri në qershor të vitit 2013 janë shitur rreth 550 milion kopje. Duke qenë kjo seri libri prej shtatë vëllimesh një nga librat më të shitur në historinë e botës. Vetëm një prej këtyre vëllimeve u shit në 11 milion kopje për 24 orë në SH.B.A. Sipas autores, e cila është një okultiste (që njeh dhe praktikon ritet magjike), tema qëndrore e librit është vdekja dhe rituale magjike me anën e të së cilave mund të arrihet fitorja dhe suksesi. Të shtatë vëllimet e tij janë bërë tetë seri filmash të cilat kanë grumbulluar një fitim prej 15 miliard dollarësh. Është bërë edhe një park lojrash për fëmijë që quhet “The wizarding world Harry Potter” (bota e magjisë së Harri Potterit).

 

    Sot fëmijët duke parë dhe lexuar këto mësohen dhe nxiten t’i fitojnë gjërat shpejtë me anë të artit të magjisë, për këtë ndihmojnë edhe reklamat. Ka ca kohë që shfaqet një reklamë në TV ku paraqitet një burrë që ka një kollë që nuk i pushon dhe përpara tij qëndron një fëmijë me nënën e tij dhe fëmija e shqetësuar nga kolla nxjerr shkopin magjik duke përmendur emrin e ilaçit dhe menjëherë kolla pushon. Sot qarkullojnë nëpër kancelari dhe librari atlase magjie që informojnë  dhe ju mësojnë fëmijëve artin dhe formulat magjike. Psh: vetë fjala “ABRAKADABRAqë përdoret herë pas here si një lojë nga fëmijët është një formulë magjike e lashtë e shkruar nga një mjek okultist në vitin 250 p.K.  Ajo përdorej për të ndaluar ethet dhe sëmundjet ishte e shkruar në formën e një trekëndëshi me kokë poshtë dhe mbahej si një nuske në qafën e pacientit të sëmurë dhe mbas 9 ditësh ai e hidhte në një përrua, kjo formulë magjike lidhet me zotin gnostik Abrakas dhe fjalë për fjalë do të thotë “kufoma e Abrakasit”.

 

    Një nga mënyrat që djalli mashtron adoleshëntët, të rinjtë dhe i lidhë pas vetes është muzika si, ajo Rok&Roll ose Havy Metal. Kjo është një muzik ritmike që ndikon në sistemin nervor  dhe rrit me tepri adrenalinën dhe ndikon në sistemin e vetëkontrollit. Kjo muzikë është e frymëzuar nga ritet magjike të Voodo-s në Afrikë. Vetë pjestarët e këtyre grupeve janë adhurues të djallit dhe kryejnë rite magjike dhe mbajnë dhe bëjnë simbole satanike si, yllin pentalfa (pesë cepa), kryqin kokëposhtë, kryqin e thyer të Neronit që sot mbahet si simbol i paqes, etj. Por ajo që tregon më qartë se këta vërtetë janë adhurues të djallit janë tekstet e këngëve të tyre që pothuajse të gjitha flasin për rezistencë kundër prindërve, kundër ligjit, një jetë e lirë seksuale me çdo perversion, por edhe një thirrje për adhurim të hapur të djallit. Psh: këngëtari i rrokut Led Zeppelin këndon: “Unë dua të jetoj për djallin.., ”etj. Kjo lloj muzike e shoqëruar me këto vargje satanike ndikon tek dëgjuesit dhe i sjell ata në një gjendje demoniake dhe tek ata shfaqen karakteristikat e një njeriu të pushtuar nga demoni, si ulërima, abuzime seksuale, akte dhunë, deri në vrasje e vetëvrasje. Një kërkim i mjeksisë ligjore në Amerikë ka vërtetuar se 18% e vetvrasjeve të të rinjve dhe i veprimeve të dhunshme i detyrohet muzikës rrok e shoqëruar me narkotikën. Në një këngë të këtillë lloji përdoren sinjale zanore mbi aftësi dëgjuese, domethënë 30.000 lëkundje zanore në sekondë, dëgjuesi nuk i dëgjon me vesh e tij, sepse gjendet në zonën e ultratingujve, por këto ultratinguj kanë ndikimin e drogës në sistemin nervor, i cili i merr këto tinguj në mënyrë të pavetëdijshme. Të mos na çudis ky fakt, sepse sipas një tradite thuhet se Eosfori si kryeëngjëll i Zotit kishte për detyrë të kompozonte muzikën qiellore dhe t’i drejtonte ëngjëjt në adhurim drejt Perëndisë dhe tani si një ëngjëll i rënë, satanai, ai e përdor këtë dhunti, ku nëpërmjet tingullit të zhurmshëm i largon njerëzit nga adhurimi i Perëndisë duke i drejtuar në adhurim ndaj tij (djallit) dhe duke i nxitur në vepra mëkatare dhe krime. Shën Kozmai profetizon dhe thotë, se “...do të vijë koha që botën do ta drejtojnë “tamtamet dhe tamtumet - domethënë ritmi i shfrenuar. (profecia 44)

 

    Përveç muzikës djalli përdor dhe metoda të tjera “argëtuese” për të tërhequr rininë, siç janë lodrat elektronike që janë të ndërtuara me persona diabolik me veprime dhe akte të dhunshme. Por mbi të gjitha është  keqpërdorimi internetit që jep mundësi  të shpejtë nëpërmjet portaleve, për të marrë leksione adhuruse ndaj djallit dhe ritualeve magjike. Sot ka adhurues të hapur të djallit të cilët quhen satanist. Numri i satanistëve po rritet gjithnjë e më shumë; po ashtu dhe i magjisitarëve të cilët po kryejnë hapur ritualet e magjisë së zezë ose të bardhe pa asnjë pengesë. Në vitin 1968 u krijua në Amerikë bashkësia ndërkombëtare e magjistarve të Eusforit “Wicca” e cila llogarit se numëron 2 milion antarë,  por kjo e dhënë është e viti 1995 dhe sipas Norla Alapuices  autore e librit “Generatoin Hex” pohon se numri tek Wicces-at dyfishohet në 30 muaj duke vënë në dukje se janë 700 mijë faqe interneti për Wicces. Wicci thotë se ka 1179 libra me shtriga që qarkullojnë për të gjithë moshat. Sot në Europë ka 12 shkolla magjie me filialet e tyre të cilët e kanë fillesën e tyre që nga mesjeta edhe vazhdojnë edhe sot të njëjtin proces mësimor por të hapur dhe të çertifikuar.  Në këto shkolla mësohet magjia e zezë, ritet pagane, mjekësia alternative, hipnoza, etj. Në këto kolegje marrin pjesë fëmijë nga mosha 8-12 dhe deri të rritur 35-45 vjeç. Pothuajse në të gjithë Evropën ka magjistarë të çertifikuar që ushtrojnë magji pa pengesë. Statistikat tregojnë se nga viti në vit ata rriten me mijëra, duke u bërë një ushtri magjistarësh në shërbim të demonëve, si mashtrues të mashtruar.

 

    Mund të themi se satanizmi sot ndahet në tre forma: Satanizmi sadist, dhe këtu është fjala për akte të dhunshme shtazarake dhe praktikimi i magjisë së zezë me gjymtim të kafshëve, vrasje njerëzish (fëmijësh); këta janë përgjegjës për grabitjen dhe flijimin e shumë fëmijëve 7-17 vjeç, dhe ato që mendja njerëzore nuk mund të shkojë. Në këtë grup futen maniakët, sadistët, skicofrenët, të gjithë këto janë shenja të dukshme të demonizimit. Anëtarët e këtij grupi satanist në vitin 1969 vranë aktoren Saran Tejd në Amerikë ose në vitin 1985 një çift astanik bashkë me djalin e tyre martirizuan priftin At Joan Kazastomatis brenda në kishën e profetit Ilia në Santa Cruz, Kalifoni. Me gjakun e tij ishin shkruajtur në mure parulla katanike dhe numri i antikrishtit 666-t.

 

    Forma tjetër quhet satanizmi i përmbajtur. Ky grup ka dhe kishat e tij, e para u themelua në 1966-ën në San Francisko nga Anton Lavej. Ky lloj satanizmi është një lloj feje që përmban anti-vlera dhe shkon drejt përmbysjes dhe shtrembërimit të vlerave morale, duke paraqitur si të natyrshme prirjen të kënaqësive trupore, seksualizmin në përgjithësi me të gjitha devijimet dhe perversionet, abortit dhe gjithë shtrëmbërimeve morale, himnizon paturpësinë dhe veprimet anarshiste. 

 

    Dhe forma tjetër është satanizmi i maskuar si ëngjëll drite. Në këtë grup magjia e bardhë ka qëllimin parësor. Magjinë e konsiderojnë gjoja si “Shkencën e komunikimit dhe sundimit mbi forcat e natyrshme. Një njohuri praktike e mistereve të fshehta të natyrës”. Në këtë grup futen magjistarët, fallxhorët, spiritistët, hipnotizuesit, mediumët, alkimistët, astrologët, ata që ushtrojnë joga-n, etj. Një fakt tjetër tronditës është se 85% e magjistarëve janë gra dhe quhen shtriga dhe ky është një lajm i keq duke menduar ndikimin që ka gruaja (nëna) në edukimin e fëmijëve dhe kështu dashje pa dashje me dije ose pa dije me indiferentizëm apo me një përqasje të gabuar të fenomenit, prindërit po bëhen kontribues për demonizimin e fëmijëve dhe kjo është në dëm jo vetëm të fëmijëve por për vetë prindërit dhe për gjithë shoqërinë,  ashtu siç thotë një fjalë e urtë: “çfarë do të mbjellësh atë do të korrësh”. Në bibël thuhet se njerëzit  në fund do t’i largohen besimit në Zotin dhe do të ngjiten mbas adhurimit të djallit: Dhe fryma thotë hapur  se ne kohën e fundit disa do ta mohojnë besimin duke u vënë veshin frymërave gënjeshtare, doktrinave të demonëve.” (1 Tim. 4:1). Kjo do të reflektohet në sjelljet e njerëzve. Dhe përsëri apostull Pavli i thotë Timotheut: “Dhe këtë dije se në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do të jenë egoist, lakmues parash, mburravec, mëndjemëdhenj, blasfemues, (shajnë Zotin) të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizor, që s’e duan të mirën, tradhëtarë, gojëlëshuar, fodull, dëfrimdashës më shumë se perëndidashës, të perëndishëm në dukje por mohues të fuqisë së saj, dhe nga këta largohu!” (2 Tim. 3:1-5) Mund të themi se ky përcaktim, është cv-ja më e vërtetë e brezit të sotëm, i cili gjithnjë e më tepër po shfaq ndikime demoniake.

 

    Në një raport të OKB-së në shkurt 2009 deklarohet se në Kongo 50 mijë fëmijë merren me magji dhe prindërit nga frika i kanë larguar nga shtëpitë e tyre dhe ata enden rrugëve.

 

    Kisha Orthodhokse është në luftë të hapur me djallin. Ajo është një vend i sigurtë mbrojtje nga sulmet dhe me lutjet e Kishës njerëzit çlirohen nga ndikimi demoniak. Këtë fuqi kundër demonëve Kisha nuk e ka nga vetvetja, por nga Zoti Jisu Krishti, i cili e mundi djallin si Perëndi-Njeri me anë të kryqëzimit dhe ngjalljes së Tij. Pavarsisht se kryqëzimi i Krishtit duket si fund tragjik, aty është dhe triumfi i Atij, sepse djalli merr të drejta kundër nesh nga mëkati, këtu flasim për mëkatin të dy njerëzve të parë (mëkati stërgjyshëror, që trashëgohet tek çdo njeri), mëkatet personale të çdo njeriu dhe tek femijët merr pushtet nga mëkatet e prindërve. “Mëkati i njeriut lahet me gjak se tek gjaku është jeta njeriut” (Heb 9- 23 Lev 17-11), prandaj dhe Biri i Perëndisë u bë Bir Njeriu që si njeri të flijohej për të shlyer mëkatet e njerëzve në kryq, si fli shpenguese, si “Qingji i Perëndisë që shlyen mëkatet e botës”(Jn. 1:29). Këtë përulësi dhe flijim të Krishtit, djalli egoist dhe krenar nuk arriti dot ta kuptoj, prandaj ai i nxiti njerëzit të kryqëzojnë Krishtin dhe këtu është gabimi i tij më i madh dhe fillimi i fundit të pashmangshëm, prandaj dhe Zoti Krisht tha: “Tani është gjyqi i kësaj bote; tani prijësi i kësaj bote do të hidhet jashtë.(Jn. 12:31) Dhe fundi i pashmangshëm i djallit do të jetë me Ardhjen e Dytë të Krishtit: Edhe djalli që i mashtronte ata, u hodh në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku ishte bisha dhe profeti gënjeshtar; edhe do të mundohen ditë e natë, në jetë të jetëve.”(Zbu. 20:10). Por në Ardhjen e Dytë të Zotit Krisht do të gjykohen dhe dënohen edhe ata që i shërbyen djallit deri në fund dhe nuk u penduan dhe nuk u kthyen tek Perëndia që t’i shpëtojë. Edhe frikacakët dhe të pabesët dhe të ndyrët dhe vrasësit dhe kurvëruesit dhe magjistarët dhe idhujtarët e të gjithë gënjeshtarëtdo të kenëpjesën e tyre në liqenin që digjet me zjarr e me squfur. Kjo është vdekja e dytë.(Zbu. 21:8) Kisha ka lutje të veçanta që i thonë priftërinjt për çlirimin nga ndikimi demoniak dhe këto lutje quhen ekzotizma.

 

    Le ta mbyllim me një histori të vërtetë; përpara një prifti orthodhoks, sollën një të demonizuar dhe mbasi prifti i bëri kryqin e urdhëroi djallin që të fliste, duke i bërë një pyetje të guximshme: -“Nga se kanë frikë demonët?”Dhe djalli foli me gojën e të demonizuarit. -“Ne kemi frikë nga tre gjëra: nga ajo që ju të krishterët varni në qafë, nga ajo që ju laheni në kishë dhe nga ajo që ju hani në kishë.” Djalli ka frikë nga tre gjëra, që as emrin nuk guxon t’ja thotë: e para, nga mbajtja dhe bërja e kryqit që është shenja e Krishtit; nga pagëzimi, që na pastron nga mëkati, na bashkon me Krishtin dhe bëhemi krishtër (bij të adaptuar të Perëndisë); dhe nga kungimi (trupi dhe gjaku i Krishtit), duke u bërë të ngjashëm me atë në lavdi dhe fuqi. Të treja këto mjete kundër djallit gjenden dhe afrohen për çdo njeri që dëshiron për veten dhe për fëmijët në Kishën Orthodhokse.

   

 

    “Bindjuni pra Perëndisë; rrini kundër djallit, edhe do të ikë nga ju.” (Jak. 4:7)

   

 

    Miron Çako, Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit, KOASH

 

   Artikull i botuar në dy pjesë në "Gazeta Shqiptare" & "Balkanweb" online, dt. 28, 29 shkurt 2016, në gazetën "Tirana Observer" dt. 28 shkurt 2016 dhe në disa media online

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com