Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

 

Botuar në gazetën "Tema" online, 27 tetor 2015

    Sa herë që shikoj në rrjetet sociale pamjet e shkatërrimit të Kishës së shën Athanasit në fshatin Dhërmi, si besimtar orthodhoks me shtetësi dhe kombësi shqiptare ndjehem i shokuar dhe i fyer nga kjo ndërhyrje vandale tinëz, deri në sakrilegj, në prishjen e kësaj kishe orthodhokse nga forca e shtetit e quajtur INUK ose INUV, e cila dhe sot e kësaj dite qëndron si një ngrehinë që nuk po gjen zgjidhje siç e kërkon e drejta e zotit të vendit. Si besimtar ngre sytë në qiell edhe them: Deri kur o Zot nuk do vendosësh drejtësi por duket se para se të flasë Zoti ne njerëzit, tokësorët duhet të flasim dhe të sqarojmë njëri-tjetrin pavarësisht statusit që të gjejmë një zgjidhje në të mirë të të gjithëve, shtet-kishë, qeveri-popull.

    Besoj se si të gjithë shqiptarët mbas vitit 1991 jetojmë në një Republikë të Shqipërisë të qeverisur nga qeveri demokratike në sistemin pluralist që si parim të saj fondamental ka respektimin e ligjit dhe vetëm të ligjit për të garantuar dhe mbrojtur të drejtat, lirinë, pronën, besimin e çdo shtetasi shqiptar siç na e garanton kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

    Neni 15. 1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik. 2. Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre.

    Neni 17 i Kushtetutës thotë: 1. Kufizimi i të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. 2. Këto kufizime nuk mund të cënojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të kalojmë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane të të Drejtave të njeriut. Shteti shqiptar është një shtet laik dhe këtë na e siguron Kushtetuta ku na thotë: Neni 10 1. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare. 2. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike. 3. Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare. 4. Shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjelltë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve. 5. Marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave. Këto marrëveshje ratifikohen në Kuvend. 6. Bashkësitë fetare janë persona juridikë. Ato kanë pavarësi në administrimin e pasurive të tyre sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve të tyre, për sa nuk cënohen interesat e të tretëve.

    Duke u bazuar në këtë nen të kushtetutës në 22 01 2019 u ratifikua marrëveshja nëpërmjet qeverisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjellta me ligjin nr 10057 shpallur me dekret nr 6033 dt 29 01 2009 të presidentit të Republikës së Shqipërisë Bamir Topi. Neni 3, pika C thotë: se qëllimi kësaj marrëveshje është: Që shteti të njohë dhe të garantojë paprekshërinë e institucioneve të kultit për aq sa veprimtaria e tyre nuk vihet në kundërshtim me ushtrimin e lirisë së ndërgjegjes dhe të fesë si dhe me ligjet në fuqi dhe në kanonet dhe traditat e shenjta të KOASH-it. Dhe neni 6-të i kësaj marrëveshje thotë: Në marrëdhëniet e ndërsjellta me KOASH-in shteti përfaqësohet nga komiteti shtetëror për kultet. Kisha bashkëpunon me Komitetin për mundësimin dhe realizimin e një komunikimi aktiv me organet dhe institutcionet shtetërore.

    Të gjitha këto akte ligjore i përmend siç thotë edhe një shprehje në italisht: “karta kanta” (letra flet). Kjo ngjarje ka gati dy muaj që bën jehonë të pazakontë në mediat vizive dhe të shkruara me fakte dhe kundër fakte, thënie dhe kundërthënie, opinione nga më të ndryshmet, interpelancë në parlament duke i dhënë liri fjalës, sipas së drejtës legjitime të të shprehurit pa shpifur dhe pa fyer.

    Por të gjitha këto për mendimin tim shkojnë në plan të dytë dhe sfumohen nga pluhuri që u përhap dhunshëm në agimin e datës 26 gusht, që mbetet pezull sot e kësaj dite duke qenë dëshmi e shkatërrimit të kishës së Shën Thanasit me urdhër të njëanshëm të shtetit, që nga pamja e saj e trishtë në rrjetet sociale për ata që nuk e dinë çfarë ka ndodhur konkuron me ato pamje që shfaq shteti i vetshpallur fondamentalist ISIS në prishje të kishave të krishtera në Siri, ku poshtë gërmadhave shohim kryqe, ikona, ungjill dhe enë të shenjta për përdorim liturgjik.

    Ky veprim i shtetit është një shkelje ligjore nga vetë ai dhe një prishje e marrëveshjes me Kishën Orthodhokse që u cituam pak më sipër. Në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk ka ardhur asnjë shkresë zyrtare për prishjen e kishës, as një plan i rilindjes së saj, as nga Pushteti Vendor, as edhe nga Komiteti i Kulteve që sipas marrëveshjes ka detyrë dhe funksion që të përfaqësojë shtetin dhe të paraqesë kërkesat e tij në marrëdhënie me Kishën. Përkundrazi në një deklaratë mediatike të kryetarit të komitetit të kulteve z. Ilir Gizdari, tha se shteti veproi sipas ligjit dhe nuk ka asnjë ankesë zyrtare nga Kisha Orthodhokse. Kjo do të thotë se shteti ka vepruar në mënyrë të një anshme dhe e ka anashkaluar Kishën Orthodhokse duke pretenduar se është duke prishur një ndërtim pa leje, por kisha e Shën Thanasit nuk është një ndërtim pa leje në një truall të grabitur, por ajo është rindërtuar me një kontribut modest nga banorët besimtarë të Dhërmiut mbi të njëjtin truall ku ishte kisha e vjetër që daton që nga vitit 1671 e ndërtuar nga besimtarët me emër: Mbishkrimi në greqisht thotë: “Ττἔττε, νἰκολὸ λεκας, δῆμὁ, θοδὄρα, νικολὂ, ττἔττε καὶ τον τέκνον αὐτὄν, γγἤνι, κὄκαλι. ΑΧΟΑ”, përkthyer në shqip: “Dedë, Nikolo Lekas, Dhimo, Thodhora, Nikolo, Dedë dhe të bijtë e tyre, Gjini, Kokali”; Për parandalimin e sëmundjes së kolerës. Kjo kishë u prish në 1972-shin nga shteti komunist-atesit dhe gurët e saj u përdorën për depon e ujit të fshatit.

   Pavarësisht se qeveria e sotme me te drejtë po bën një luftë kundër informalitetit dhe çdo ndërtimi pa leje, një pikëpyetje nuk më jep akoma përgjigje: Përse Zyra Shtetërore e Aluizmit legalizoi katër kisha katolike dhe dy xhami në zonën e Shkodrës, pavarësisht se ishin ndertime pa leje, kurse kishën e Shën Athanasit që ishte e ndërtuar mbi themelet e mëparshëm nuk e legalizoi, por e shkatërroi me motivin ligjor “ndërtim pa leje.”

    U pretendua se ishte monument kulture dhe se kishte ndërhyrje në këtë monument. Por edhe kjo alibi ra poshtë, sepse kisha e Shën Thanasit nuk është në listën e monumenteve të kulturës. Aq më tepër kjo ndërhyrje brutale me matrapik zhduku dhe çdo gjë që kishte mbetur nga e kaluara e kësaj kishe që sot kërkohet të rishpallet si monument kulture e mbrojtur nga shteti.

    Një tjetër alibi ishte se nuk është kishë orthodhokse, por dhe kjo bie poshtë sepse kisha e Shën Thanasit përmendet së bashku me 38 kishat e fshatit Dhërmi dhe është e dokumentuar në kadastër. Për këtë na siguron studiuesi Theofan Popa duke na paraqitur një dokument të vitit 1921.

    Që kjo ndërtesë është Kishë funksionale nga viti 1992 e deri më sot dhe aty është kryer Liturgjia Hyjnore dhe shërbesa fetare sidomos në ditën e të kremtes së Shën Athanasit, e dëshmon prifti dhe besimtarët e fshatit.

    Pra, edhe një herë duke u bazuar në gjithë këto fakte kokëforte, ndërhyrja e një anshme e shtetit shqiptar pa një konsultim dhe marrëveshje me Kishën Orthodhokse e cila është një person juridik, është një shkelje ligjore, një cënim i marrëveshjes, një grabitje prone dhe tjetërsim i saj.

    Por ajo që është më e rënda dhe një fyerje, plagosje në shpirtin e orthodhoksëve është etiketimi i kishës së Shën Athanasit si garazh dhe stallë dhe kjo publikisht nga foltorja e parlamentit. Për çdo besimtar orthodhoks jo vetëm në Shqipëri, por dhe kudo që ata ndodhen, kisha nuk është një ndërtesë e çfarëdoshme, pavarësisht formës së saj të jashtme që dikush sipas koncepteve të tij për formën mund ta quajë garazh ose stallë, edhe pse ai ka statusin e kryeministrit të vendit për një periudhë kohe i zgjedhur me votat e popullit.

    Kisha është shtëpia e Perëndisë, jo nga forma por nga përmbajtja, vendi ku njeriu besimtar bekohet që nga lindja deri në vdekje. Dhe për atë kisha është më e rëndësishme se edhe vetë shtëpia e tij, prona dhe vetë jeta e përkohshme. Ashtu siç është edhe një shprehje midis besimtarëve: “Kush nuk e do kishën si nënë, nuk e ka Perëndinë si Atë.” Kjo është arsyeja e reagimit të besimtarëve jo vetëm shqiptarë, pavarësisht se dikush mund ta instrumentalizojë ose keqpërdorë.

    Krishtërimi dhe Kisha Orthodhokse që përfaqëson atë nuk është fe e ndonjë kombi as të nënshtetasve me kufizime kombëtare, etnike, folklorike ose bindjeve politike, por ajo është përçuese e lajmit të mirë se Perëndia e do dhe e shpëton njeriun në Krishtin dhe se Kisha është një, katholike dhe apostolike d.m.th. i bashkon të gjithë, i shenjtëron të gjithë në kohë dhe hapësirë ashtu siç e thotë dhe Statuti i Kishës Orthodhokse i ratifikuar nga shteti shqiptar: neni I “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka si thelemues dhe krye të saj Zotin dhe Perëndinë tonë Jisu Krisht, është institucioni hyjnor si prania dhe shfaqja në vend e një kishe të shenjtë, katholike dhe apostolike, e bashkuar në mënyrë të pandashme me Patriarkanën Ekumenike, me të gjitha kishat simotra Autoqefale dhe ruan të paluajtshme burimet e besimit...)

    Në qoftë se kryeministri ose çdokush mbas tij me termin stallë për kishën e Shën Athanasit do të na thotë se Zoti Jisu Krisht lindi si foshnje në përulësinë e tij të skajshme për të përulur krenarinë e kotë të mbretërve tokësorë, në një stallë të Betlehemit, ajo, nuk quhet më stallë tani, por kisha e Lindjes dhe që nderohet nga të gjithë të krishterët në botë dhe çdo kishë ka të njëjtin status të nderimit, pavarësisht formës apo vendit ku ndodhet, sepse kisha është Trupi i Krishtit dhe Ai, Kreu i saj.

    Ky akt vandal dhe sakrilegj i bërë kishës së Shën Athanasit për ne besimtarët orthodhoksë në Shqipëri është një rikthim i kujtesës së shkuar, ku nuk do të dëshironim kurrë të na rishfaqeshin ato pamje të shkatërrimit të kishave, xhamive, teqeve dhe çdo tempulli kulti, që u bë në Shqipëri mbas vitit famëkeq ’67 nga hesteria komuniste injorante, barbare e frymëzuar nga deklarata me mburrje satanike e sekretarit të parë të PPSH-së, thënë në pleniumin e KQ se “Shqipëria është vendi i vetëm ateist në botë dhe shteti i hap luftë fesë.”

    Dua t’ju kujtoj se i pari tempull kulti që u prish nga manipulimi i turmës ishte manastiri orthodhoks i Shën Vlashit në Durrës dhe tjetërsimi i tij në çerdhe. Mbas atij filluan të prisheshin ose të tjetërsoheshin kishat katolike, xhamitë dhe teqet si një reaksion zinxhir i ateizmit komunist duke propaganduar këtë si patriotizëm ose nacionalizëm, por më shumë si një fuqi të proletariatit që sfidon edhe vetë Zotin. Por duhet të kujtojmë se ata njerëz me pushtet dhe ai popull që i dëgjoi ata sfiduan veten.

    Ajo që kërkon të bëjë shteti sot mbi gërmadhat e kishës së Shën Thanasit, duke i kthyer “lavdinë” është tjetërsimi i saj nga kishë në muze ose ndoshta në një kishë uniate me pretendimin se aty ka shërbyer një prift katolik i urdhërit bazilian, i cili ka qenë kryepeshkop i Durrësit për kishën romano-katolike dhe ka ardhur për të bërë katekizëm (mësim fetar) banorëve të Dhërmiut dhe Himarës të cilët ishin të krishterë orthodhoksë, në gjuhën shqipe me një alfabet dhe gramatikë në shqip, që sot për hir të së vërtetës nuk ekziston. Thuhet se ai ka qëndruar në kishën e Shën Thanasit, e cila ishte e ndërtuar dhe aty mbasi ka punuar për afro një vit, ka vdekur dhe aty është varrosur në ajodhimën e kishës. Në qoftë se shteti që prishi kishën e Shën Thanasit për ta bërë atë një muze, pra jo me një funksion kishtar domethënë si një mësonjëtore të parë shqipe shteti po gabon rëndë, po shkel ligjin, sepse nuk ka të drejtë të tjetërsojë objektet fetare. Por edhe sikur Katalano të ngjallej nuk do ta pranonte këtë gjë, sepse ai erdhi në kishën e shën Thanasit, jo thjesht nga patriotizmi, sepse ai origjinën nuk e ka arbëreshe por siç thamë më sipër për të bërë katekizëm proselitizëm tek të krishterët orthodhoksë të zonës. Në qoftë se kjo do të kthehet në një kishë uniate është një gabim akoma edhe më i madh dhe me pasoja të paparashikueshme.

    Vetë uniatizmi u shfaq si fenomen gjatë shekullit të 16-të ku zhvillimi i mbretërisë polako-lituane duke hyrë edhe në kufijtë perëndimorë të Rusisë bëri të mundur që priftërinjtë jezuit të Kishës Katolike të hynin në këto zona duke sjellë mësimin dhe praktikat latine. Rezultati i kësaj ishte unioni i Brest-Litofskit në vitin 1596 me anë të cilit peshkopët orthodhoksë të zonës bënë një bashkim me kishën romano-katolike mbi bazën e marrëveshjes së arritur në Firencie. Një shekull më parë, një marrëveshje ku përfaqësuesit lindorë të imponuar nga rreziku i pushtimit osman pranuan një doktrinë të fortë të pushtetit papal. Kjo marrëveshje nuk u mirëprit nga populli i Kostandinopulit i cili thoshte: më mirë çallmat e turqve se sa kapuçët e kuq të kardinalëve. Pra sipas unionit të Brest-Litofskit ritet dhe zakonet e kishës përmasat e besimtarëve orthodhoksë që u morën në “Unia” mbetën të njëjta. Hierarkia kishtare, udhëheqja klerikale dhe akademike e kishës ishte e vendosur nën disiplinën latine dhe doktrinën e papatit roman. Ky bashkim i vitit 1596 mbeti në fakt në territoret që vazhduan të ishin nën sundimin e qeverive joorthodhokse të Polonisë, Austro-Hungarisë dhe Çekosllavakisë. Qysh prej fillimit të saj lëvizja unite u ndesh me një kundërshtim të fortë. Kundërshtar ishin kryesisht orthodhoksët laikë të cilët ishin të organizuar në vëllazëri dhe bekuar nga Patriarku Jeremia i Kostandinopulit për të mbrojtur besimin orthodhoks nga ndërhyrja e kishës Katolike qysh prej vitit 1588.

   Sot, një nga kushtet e dialogut ndërmjet kishës Romano-Katolike dhe Kishës Orthodhokse e kryesuar nga Patriarkana Ekumenike dhe Patriarkanave dhe Kishave Orthodhokse në gjithë botën është dënimi dhe heqja dorë nga metoda proselitiste e uniatizmit si një metodë e gabuar, e dënueshme dhe përçarëse. Vetë Kisha Katolike e ka dënuar këtë metodë si një veprim jo korrekt që I takon të kaluarës në ato periudha të errëta ku krishtërimi orthodhoks rrezikohej të asililohej nga pushtuesit osmanë.

    Prandaj në qoftë se kisha e “rilindur” e Shën Thanasit do të ketë këtë funksion, ky do të jetë një veprim shumë i gabuar, i një reminishence e hidhur nga e kaluara për orthodhoksët jo vetëm të zonës, një rishfaqje e taktikës së gabuar dhe të dënueshme të Kishës Romano-Katolike për proselitizmin e besimtarëve orthodhoksë, një tjetër përballje e dështuar me Zotin që është Zotërues i qiellit dhe i dheut dhe i çdo kishe. Një pakënaqësi deri në dëm të popullit dhe mbi të gjitha një prishje e harmonisë fetare, ndërmjet katolikëve dhe orthodhoksëve, por dhe çdo besimi që papa Françesku në vizitën e tij në Tiranë e quajti vëllazëri fetare. Nacionalizmi që kur teprohet quhet streha e horrave dhe në kishë është e dënuar si herezi na rrezikon të na kthejë prapa në histori të trishtuara të së kaluarës ku shteti ndikonte dhe vepronte pa respekt me dhunë verbale dhe fizike, ndaj Kishës dhe klerit dhe çdo besimtari dhe kjo është me kosto për brezat që vijnë dhe na ndan nga bota e qytetëruar, ku respekton me ligj të drejtat, lirinë, pronën e çdokujt dhe mbi të gjitha të komuniteteve fetare, por duke theksuar edhe një herë prish harmoninë fetare që sot për sot është e vetmja vlerë që mund të shfaqim dhe të mburremi. Histori të harruara rrezikojnë të përsëriten.

    Si besimtar orthodhoks lutemi që Zoti me kudopraninë e tij të ndriçojë me dritën e së vërtetës, të gjithë njerëzit përgjegjës, me dashuri pa hipokrizi që me paqe gabimi të korrigjohet, ligji të respektohet, Kisha të rindërtohet dhe të jetë në funksion liturgjik për besimtarët orthodhoks siç ka qenë në shekuj, historia të mos tjetërsohet dhe çdokush të nderohet sipas vlerës që meriton. Uroj që kjo gjë të bëhet sa më shpejt në të mirën e vendit dhe popullit. Zëri i popullit është zëri i Zotit!

 

Miron Çako

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com