Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

 

Po zhvillohet Takimi Ndërkombëtar

“Paqja është gjithnjë e mundshme”

- Bashkëmeshim i të ftuarve nga Kishat Orthodhokse në Litugjinë Hyjnore sinodike -

- Kryepiskopi Anastas foli në ceremoninë e hapjes së veprimtarisë -

 

Shprehje e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në veprimtaritë e takimit ndërkombëtar “Paqja është e mundshme”, që po zhvillohet nga 6-8 shtator në Tiranë dhe ku Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është bashkorganizatore, ishte edhe Liturgjia Hyjnore në Katedralen Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”. Hierarkë të shumtë nga Kishat Orthodhokse Motra, të ftuar në Tiranë nga Sinodi i Shenjtë i Kishës sonë, për të ndjekur takimin, bashkëmeshuan në Liturgjinë Hyjnore të kryesuar nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, ku celebruan edhe të gjithë Mitropolitët dhe episkopët e Kishës sonë. Duke përfaqësuar kishat e tyre, në meshim dhe në veprimtaritë e Takimit, morën pjesë: Përfaqësuesi i Patriarkut Ekumenik, Mitropoliti i Belgjikës Athinagora, përfaqësuesi i Patriarkanës së Aleksandrisë, Mitropoliti i Zimbabves dhe Angolës Serafimimi, Përfaqësuesi i Patriarkanës së Moskës, Mitropolit Andoni i Borispolit (Ukrainë), Përfaqësuesi i Patriarkanës së Serbisë, Mitropoliti i Malit të Zi Amfiloki, Përfaqësuesi i Patriarkanës së Rumanisë, Mitropoliti Joan i Timishoarës dhe i Banatit, Përfaqësuesi i Kishës së Greqisë, Mitropoliti i Akaisë Athanasi, Përfaqësuesi i Kishës së Polonisë Jakovi i Bialistokut dhe Gdanskut. Në veprimtari marrin pjesë edhe mitropolitë dhe episkopë të tjerë nga Rusia, Bullgaria, Rumania etj. Në Liturgji ishin të pranishëm edhe episkopë e klerikë katolikë, protestantë, koptë, përfaqësues të besimeve të ndryshme nga kontinente të tjera, shume nga delegatet e veprimtarisë të ardhur nga vende të ndryshme etj.

Mitropoliti i Belgjikës, Athinagora, duke iu drejtuar besimtarëve dhe të pranishmëve në omelinë e rastit, përtej predikimit për Ungjillin e ditës, foli edhe për përparimin shpirtëror të Ksihës Orthodhokse në Shqipëri, kontributin e saj në përparimin e shoqërisë dhe rolin e të krishterëve orthodhoksë si faktorë paqeje dhe stabiliteti.

Në fund, të pranishmit i përshëndeti Kryepiskopi Anastas, i cili më pas priti në mjediset e selisë së Sinodit të Shenjtë Hierarkët e lartë të kishave të ndryshme.

 

***

 

Pasdite, në sallën Pallatit të Kongreseve, u zhvillua ceremonia e çeljes zyrtare të takimit, ku morën pjesë përfaqësitë zyrtare të ftuara nga Komuniteti San Egidio dhe bashkorganizatorët, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë. Ishin të pranishëm edhe Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani, Kryetari i Këshillit të Ministrave, Z. Edi Rama, ministra, deputetë etj.

Ndër lektorët që iu drejtuan mijëra pjesëmarrësve nga e gjithë bota, ishte edhe Fortlumturia e Tij, Prof. Dr. Anastasi, i cili që disa dekada më parë ka qenë nismëtar në lëvizjet ndërfetare për paqen dhe është shquar si lektor në shumë konferenca e takime ndërkombëtare për këtë temë. Kryepiskopi iu uroi të pranishmëve mirëseardhjen me fjalët: “Së pari dëshirojmë të shprehim falënderimet tona të përzemërta dhe mirëseardhjen e ngrohtë për gjithë pjesëmarrësit e nderuar që pranuan ftesën tonë. “Paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendje” (Fil.4:7), le të mbushë jetën e secilit dhe le të ndriçojë shpirtrat tanë gjatë punimeve të kësaj Konference.”

Kryepiskopi Anastas vazhdo më tej: “Kërkimi i paqes presupozon mbrojtje konstante dhe fuqizim të drejtësisë. Në çdo kohë, por veçanërisht në epokën tonë, marrëdhënia që paqja ka me drejtësinë po del në pah në mënyrë shpërthyese. Kjo marrëdhënie haset në shumë fe. Dëshira e sinqertë për paqen në nivel lokal dhe global, shprehet me dëshirën e vërtetë dhe me përpjekjen për drejtësi. Një botë e padrejtë nuk mund të jetë paqësore. Sot, paqja dhe drejtësia kanë marrë edhe një tjetër sinonim: progresin. Të gjithë mundemi dhe duhet të kontribuojmë për zhvillimin e zonave më të varfra. Varfëria mbetet forma më e keqe e dhunës. Kur njerëzit, pranë ose larg nesh, privohen nga gjërat e domosdoshme për mbijetesë, nuk është çudi të kthehen në drejtime të tjera dhe të përqafojnë koncepte ekstremiste për arritjen e një shoqërie të drejtë dhe për t’i dhënë kuptim jetës dhe vdekjes.”

Duke nxitur besimtarët për të qenë kontribuues konkretë në përpjekjen për paqen Kryepiskopi theksoi se: “...E kundërta e paqes nuk është lufta, por egocentrizmi: ai individual, kolektiv, etnik, racor. Egocentrizmi mobilizon forma të shumëllojshme dhune, të cilat e vrasin paqen me mënyra të ndryshme. Ky është frymëzuesi dhe ushqyesi i konflikteve, qofshin këto vogla ose të mëdha, të cilat i bombardon me urrejtje të vazhdueshme.

Antidoti ndaj egoizmit.. është fuqizimi i dashurisë, i një dashurie shumëdimensionale, praktike, të painteres, që nuk njeh kufij, paragjykime dhe çdo lloj tjetër diskriminimi. Pikërisht këtu gjendet mundësia e jashtëzakonshme dhe kontributi i një ndërgjegjeje fetare të shëndetshme. Ky antidot, madje edhe në kushtet e konflikteve afatgjata, fal fuqinë e faljes dhe të pajtimit. Si përfundim, fuqia e dashurisë fiton mbi dashurinë për pushtet, që shkatërron planetin.”

Fortlumturia e Tij e mbylli fjalën duke thënë: “Shpresoj se, nëpërmjet referateve, diskutimeve dhe problematikës më të gjerë që do të trajtohet gjatë Konferencës, do të përftojmë material shumë të vlefshëm për t’u thelluar në mënyrë sa më të plotë në çështjen jetike të paqes, të kushteve paraprake dhe të mundësive për arritjen e saj. Madje do të fitojmë edhe frymëzimin që të vazhdojmë me entuziazëm më të madh për të qenë punëtorë të paqes. Me sigurinë se “ të lumur janë paqebërësit, se ata do të quhen bij Perëndie” (Matth.5:6).

Përpjekja për paqe të thellë përbrenda nesh, me ambientin natyror, në komunitetin tonë, me të gjithë universin, duhet të jetë detyrë parësore për ne dhe në shekullin e 21-të, ky duhet të jetë kërkimi ynë primar, me sigurinë se Perëndia është paqe. Perëndia është gjithnjë me paqebërësit, duke i frymëzuar dhe mbështetur ata në përpjekjen dhe në mundimin e tyre për paqen.”

 

Thoma Dhima

 

- Referati i Kryepiskopit Anastas me temë: E kundërta e paqes, nuk është lufta, por egocentrizmi -

 

 

 

- Fotoalbum nga bashkëmeshimi i të ftuarve nga Kishat Orthodhokse në Litugjinë Hyjnore sinodike -

 

 

- Fotoalbum nga ceremonia e hapjes së veprimtarisë -

 

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com