Vleresimi aktual: 5 / 5

Yje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktive
 

    Është një bekim i veçantë që të rinjtë dhe të rejat orthodhokse marrin pjesë çdo verë në kampet shpirtërore. Kjo tashmë është kthyer në një nga veprimtaritë më të rëndësishme dhe tradicionale që Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë organizon çdo vit prej dy dekadash për argëtimin, formimin dhe edukimin e brezit të ri.

    Sivjet kampet nisën më 2 dhe 4 korrik dhe përfunduan në fillim të gushtit. Si gjithmonë ato ishin ndarë në tri turne, sipas moshave: fëmijë, gjimnazistë dhe studentë, të ardhur nga Kryepiskopata dhe tri Mitropolitë.

   Tema e përbashkët shpirtërore e të gjitha kampeve për këtë vit ishte “Udhëto me Zotin”. Ajo u përqendrua në shembullin që na jep jeta e Apostull Pavlit dhe u zhvillua me veprimtari e referate, në mënyrë që edhe të rinjtë të kuptonin se ashtu si Apostulli, mund të ecin së bashku me Perëndinë në rrugëtimin e tyre në jetë.

    Kampet u dalluan edhe për veprimtaritë e larmishme si, shfaqje artistike e konkurse, aktivitete sportive, ekskursione në vende historike, shkuarje në plazh etj.

  Kampet zhvillohen nën kujdesin dhe me mundësitë e krijuara nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, i cili i konsideron ato si “shkolla verore”.

    Dy turnet e para të kampit të djemve u zhvilluan afër qytetit të Durrësit, në mjediset e bukura dhe të pajisura me të gjitha kushtet të Manastirit të ri të Shën Vlashit dhe Akademisë Theologjike “Ngjallja e Krishtit”, ndërsa kampi i tretë, ai me studentët, u zhvillua mes natyrës së mrekullueshme të bregdetit në Manastirin e Shën Jorgjit, në Çukë, afër Sarandës. Në të tri turnet morën pjesë rreth 250 fëmijë dhe të rinj.

    Të tri kampet e vajzave u zhvilluan në mjediset e bukura dhe me të gjitha kushtet të Manastiri historik të Shën Joan Vladimirit, afër Elbasanit dhe në to morën pjesë rreth 300 vajza të të gjitha moshave.

    Shumica e shpenzimeve për këto kampe është mbuluar nga Fortlumturia e Tij Anastasi. Kështu, për kampet e djemve, nga vetë pjesëmarrësit është paguar një kuotë simbolike, 3 mijë lekë secili, ndërsa në kampet e vajzave 2.5 mijë lekë, që në total janë sa rreth 20 për qind e shpenzimeve (1.13 milionë lekë janë paguar nga kampistët dhe 4.56 milionë janë mbuluar nga Kryepiskopi).

    Kampi i tretë me studentë

    Me bekimin e Kryepiskopit Anastas, në periudhën 23 korrik - 1 gusht 2015 u zhvillua në mjediset e manastirit të Shën Jorgjit në Sarandë kampi i të rinjve orthodhoksë “Rilindja”. Në të morën pjesë rreth 50 të rinj të ardhur nga të gjitha mitropolitë e Kishës sonë. Qëllimi i këtij aktiviteti të përvitshëm ishte njohja dhe krijimi i shoqërisë më Krishtin, rritje në besim me anë të lutjes, bisedave shpirtërore, predikimeve etj., në frymën e Ungjillit dhe të shenjtorëve, si dhe çlodhja që afrohet nga natyra e mrekullueshme e këtij vendi.

    Çdo ditë të rinjtë merrnin pjesë në një program të larmishëm: me shërbesën e Mëngjesores dhe të Mbrëmësores, me bisedën shpirtërore të mbrëmjes, me shfaqen e serisë së filmave të katekizmit, me broshura me tema fetare që u shpërndaheshin, me kohën e përbashkët të ngrënies në mensën e kampit etj.

    Ditën e diel, në 26 korrik, ata morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore në kishën e Shën Harallambit, në Sarandë. Mjaft mbresëlënës ishte edhe pelegrinazhi në qendrën historike të Butrintit, duke u ndalur sidomos në vende që lidheshin me Krishterimin e lashtë: kishat e shumta, pagëzimorja e famshme, amfiteatri, si dhe bazilika e madhe, ku u zhvillua edhe një lutje. Një bekim i madh për këtë kamp ishte edhe pjesëmarrja në misterin e Pendim - Rrëfimit me atë Jani Trebickën. Ndërsa dita e fundit e kampit u kurorëzua me pagëzimin e tre të rinjve në det nga episkop Asti dhe atë Kozmai, të cilët iu shtuan kështu familjes së madhe orthodhokse. Ky kamp kishte një staf me katekistë dhe vullnetarë të Zyrës së Katekizmit dhe Zyrës Rinore të Kryepiskopatës.

    Kampi i tretë me studente

    Nga 25 korrik deri në 3 gusht u zhvillua kampi III në mjediset e manastirit të hirshëm të shën Joan Vladimirit, ku morën pjesë 70 vajza.

    Tema e përzgjedhur për këtë vit ishte “Udhëto me Zotin” dhe programi përfshinte lutje, këngë, diskutim në grupe, lojëra, konkurse të ndryshme, tema sociale, punë dore, dramatizime, filma katekizues dhe vajtje në pishina.

    Pjesë e rëndësishme e programit ishte leximi i Ungjillit sipas Llukait dhe i librit të Kryepiskopit Anastas me mesazhet e Pashkës ndër vite “Tani të gjitha u mbushën me dritë”. Një ditë vajzat mësuan të bënin bukën e Meshës (Prosforën).

    Tek vajzat u mbajtën mjaft referate interesante si “Udhëtoj me Krishtin”, nga Hirësi Joani, “Si ta jetojmë besimin tonë në realitetin e përditshëm”, “Misteri i Martesës”, “1000-vjetori i shën Joan Vladimirit” etj.

    Në udhëtimin dhjetëditor vajzat përjetuan misteret e besimit tonë, duke marrë pjesë në misterin e Pagëzimit (tri vajza), në misterin e Pendim-Rrëfimit, ku morën pjesë pothuajse të gjitha vajzat e pagëzuara dhe në misterin e Kungimit Hyjnor.

    Data 2 gusht ishte një tjetër ditë e paharruar për vajzat, pasi ato morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, të kryer nga Kryepiskopi Anastas së bashku me anëtarët e Sinodit të Shenjtë, për të kremtuar përvjetorin e Fronëzimit të Kryebariut tonë.

 

- Fotoalbum nga kampet e vajzave -

 

- Fotoalbum nga kampet e djemve -

 

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com