Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

 

Botuar te gazeta "Tema", dt. 28.08.2015

    Nuk mjaftonin temperaturat e larta që natyra na ofron këto dite, por duhej dhe temperatura artificiale që pjesa politike dhe pushtetare e ofroi me bollëk. Dhe në rastin më konkret temperature artificiale erdhi me prishjen e një vendi adhurimi që për besimtarët e krishterë ortodoks të Dhërmiut ishte pikë referimi për dy arsye te forta, së pari, sepse ajo kishë është vend i dëshmisë së prezencës mrekullibërëse të Perëndisë, ishte ndërtuar si falenderim për zhdukjen e epidemisë së kolerës (këtë e dëshmojnë dorëshkrimet e kohës) dhe së dyti, kisha është dëshmi i iniciativës së besimtareve për të rigjallëruar falenderimin për mrekullinë që Perëndia ka bërë, por njëkohësisht është një dëshmi për të vazhduar adhurimin e Zotit ndërprere nga diktatura komuniste.

    Por ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti që persona të pozicionuar kundër kësaj kishe përpiqen që ti mbushin mendjen popullit dhe pasuesve të tyre se kjo nuk është një kishe, pasi sipas tyre nuk plotësonte kushtet e një kishe. Dhe pikërisht për të sqaruar ata që mendojnë se nuk ishte kishe dhe që çfarë duhet një ndërtesë të jetë kishe po përpiqem te hedh disa mendime për kishën.

    Jeta adhuruese e besimtareve të krishtere është e lidhur me kishën si objekt, pasi nuk është vetëm një ndërtesë, por një objekt ku nëpërmjet adhurimit Hiri i Perëndisë jo vetëm është prezent. Ai me prezencën e Tij shenjtëron vendin dhe kështu vendi ku adhurohet Perëndia bëhet një vend i shenjtë.

    Këtë fakt e kemi në kishën e Shën Thanasit, pavarësisht dimensionit, kohës kur është ndërtuar apo bukurisë arkitektonike të saj. Pasi në qofte se një kishe do ta cilësonim nga dimensioni arkitektonik atëherë si mund të konsiderojmë kishat e krishtera orthodhokse që u ndërtuan në kohen e pushtimin otoman (të cilat i konsiderojmë monumente kulture) dhe shpesh herë ngjajnë me shtëpi, duhet dhe ato t’i konsiderojmë objekte jo kishtare, pasi nuk përputhen me një ide të caktuar që është krijuar për kishën.

    Madje këto objekte kishtare të asaj kohe dhe kishën e Shën Thanasit që u shkatërrua i lidh fakti që koha ndikon mbi arkitekturën e tyre, por jo mbi shenjtërinë e tyre, pasi në ato dhe në kishën e Shën Thanasit adhurohet Perëndia. Një fakt tjetër i rëndësishëm është prezenca e altarit të shenjtë, ikonave dhe objekteve të tjera të shenjta, siç janë enët e shenjta, antimisio e shenjtë dhe mbi të gjitha funksionimi liturgjikal që këto objekte i bëjnë të shenjta. Në kishën e Shën Athanasit këto ishin prezent dhe për pasoj ajo konsiderohej dhe konsiderohet kishë, pasi ne atë në këto 23 vjet është adhuruar dhe falenderuar Perëndia.

    Gjithashtu kisha e ndërtuar me mundin, djersen dhe shpresëtarin e komunitetit të zonës gjendej dhe gjendet mbi një truall të një kishe të mëparshme dhe që nuk ishte zaptim i ndonjë prone të tjetërkujt, pasi këtë e dëshmon dhe shkaku i themelimit të këtij objekti, por dhe gjendja kadastrale e vitit 1921. Kjo tregon që adhurimi i Perëndisë është një vazhdimësi, përveç kohës kur regjimi ndaloi adhurimin. Pra, kemi moscënim të pronës dhe njëkohësisht vazhdimësi të adhurimit të Perëndisë nga besimtaret orthodhoks.

    Në këtë kishë janë të pafundme rastet ku besimtaret janë kunguar duke marrë Trupin dhe Gjakun e Zotit Jisu Krisht, i janë lutur Perëndisë duke shprehur hallet, shqetësimet dhe problemet e tyre dhe njëkohësisht e kanë falenderuar atë për prezencën e Tij në jetën dhe tyre, për fuqinë dhe dashurinë e Tij.

    Vërtet nuk kishte një arkitekture të bukur e të përkryer, por kishte brenda saj hirin e Perëndisë dhe si e tij ata që prishën nuk prishën objektin, por treguan një kundërvënie ndaj hirit të Perëndisë. Kisha si objekt dhe besimtaret që adhurojnë Perëndinë në të krijojnë një marrëdhënie të ndërsjellët dhe të forte, e cila nuk kufizohet vetëm brenda këtyre 23 vjetëve, por dhe më parë, madje dhe në kohën e komunizmit.

    Kështu që prishja e kishës është një tentativë për të prishur këtë lidhje të fortë të njeriut besimtar me kishën. Kështu që nuk është rrënuar thjesht një objekt, por një lidhje e veçantë, një memorie shpirtërore, një shoqëri e bazuar mbi hirin dhe dashurinë e Perëndisë.

    Gjithashtu kisha ka qenë një mbështetje shpirtërore për besimtarët apo personat që e dinë historinë e saj, kështu me prishjen e saj besimtarët dhe personat e ndryshëm kane një objekt më pak për mbështetjen dhe fuqizimin e tyre shpirtëror, pasi për besimtaret çdo kishë e ndërtuar ka rolin dhe peshën e vet në jetën dhe udhëtimin shpirtëror të njerëzve të një komuniteti.

    Me prishjen e saj dhe ndërtimin e një objekti tjetër të çfarë do lloj natyre, por jo shpirtërore e kishtare është dhe më e rrezikshme madje e ngjashme me veprimet e komunizmit ku kisha u shndërrua në një pallat kulture apo në një qendër argëtimi, apo në një kopsht apo në një çerdhe, duke ndryshuar destinacionin shpirtëror të saj. Kështu e mira shpirtërore shndërrohet në një “të mirë” publike, por që nuk ka dimensionin shpirtëror dhe më tepër në mënyrë direkte apo indirekte është një kundërvënie ndaj dimensionit shpirtëror dhe shenjtërues të kishës.

    Kështu në Dhërmi nuk u prish një objekt i zakonshëm, një ndërtesë me gurë dhe soletë, por një objekt i marrëdhënies me Perëndinë, i adhurimit të Tij, një objekt ku persona të këtij komuniteti gjenin dhe gjejnë mbështetjen shpirtërore, një objekt ku rikujtohet dhe përjetohet marrëdhënia mrekullibërëse me Perëndinë, një objekt ku besimtaret komunikonin duke marrë Trupin dhe Gjakun e Krishtit dhe ku e falënderonin Perëndinë.

    Nga: Thoma Çomëni

    *Teolog, pedagog i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” Shën Vlash, Durrës.

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com