Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

Veprimtari e rëndësishme ndërfetare në Tiranë

 

    Në përkujtim të 20-vjetorit të përfundimit të luftës së fundit në Ballkan, Komuniteti Sant’Egidio, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Qeverinë e Shqipërisë do të promovojnë “Takimin e 28-të Ndërkombëtar për Paqen”, i cili do të mbahet në Tiranë në datat 6, 7 dhe 8 shtator 2015.

    Në këto kohëra të ndërlikuara dhe të vështira që po jetojmë, përfaqësues të Kishës së Krishterë dhe udhëheqës të të gjitha Besimeve Fetare Botërore do të mblidhen në Tiranë për të dialoguar dhe për t’u lutur për paqen: ata do të sjellin frymën e takimeve të Asizit në Shqipëri. Kështu, në shtatorin e ardhshëm, Tirana do të jetë kryeqyteti i paqes në Evropë dhe në mbarë Botën.

    Më 24 shkurt 2015, kjo ngjarje e rëndësishme u prezantua në mjediset e Hotel Tirana International nga z. Marco Impagliazzo, President i Komunitetit të Sant'Egidio; z. Erion Veliaj, Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë; nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë Hirësia e Tij Andoni, Episkop i Krujës; nga Kisha Katolike Mons. Luçjan Avgustini, Zëvendëskryetar i Konferencës Ipeshkvnore, si dhe përshëndetën Zëvendëskryetari i Komunitetit Musliman z. Bujar Spahiu dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian z. Edmond Brahimaj.

    Konferenca për shtyp u hap nga prof. Roberto Quattrucci, Sekretar i Përgjithshëm i Komunitetit Sant Egidio. Pastaj, Z. Marco Impagliazzo, pasi ngriti lart dëshminë e harmonisë fetare në Shqipëri, theksoi simbolikën e organizimit në Tiranë të kësaj mbledhjeje, që do presë  5 mijë të ftuar nga të gjitha anët e globit, mes të cilëve qindra udhëheqës fetarë dhe personalitete botërore. Ai falënderoi për mbështetjen dhe përmendi takimet e bëra dhe mbështetjen e marrë nga Kryeministri, nga Kryepiskopi Anastas etj.

    Hirësi Andoni, në përshëndetjen e tij, shprehu kënaqësinë dhe mbështetjen për këtë veprimtari nga Kisha jonë, duke vënë në dukje rëndësinë e përhapjes së mesazhit të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndërfetare, gjë që vë më në pah rolin e komuniteteve fetare dhe të drejtuesve të tyre në këtë proces, duke zbehur kështu zërat që e mohojnë këtë kontribut dhe kujtoi rolin aktiv që Kisha jonë ka pasur gjithmonë në veprimtari të tilla. Ai veçoi vlerësimin ndërkombëtar për këtë kontribut që iu bë vitin e kaluar Kryepiskopit Anastas, duke e rizgjedhur President Nderi të “Fetë për Paqen”, organizata më e madhe ndërfetare në botë. Hirësi Andoni theksoi dhe dëshminë e paqes dhe bashkëpunimit që u dha nga drejtuesit e Kishave Orthodhokse me rastin e shenjtërimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” dhe gjatë vizitës së Papa Franceskut në vendin tonë.

    I fundit e mori fjalën Ministri Veliaj, i cili tha se: “Ky takim do jetë një mundësi e mirë për t’i dhënë Europës një arsye më shumë pse Shqipëria duhet të jetë një vend anëtar i Bashkimit Europian. Besoj se ky do jetë një argument shumë i fortë dhe që flet më shumë se çdo fjalë tjetër pse Shqipëria duhet të jetë pjesë e Europës. Më tej ai shtoi se ky është një rast i mirë që Shqipëria të kthehet edhe në një model të ndryshëm turizmi, ku rreth 5 mijë të ftuarit në këtë aktivitet do kenë mundësi që të njihen me vlerat dhe kulturën shpirtërore të shqiptarëve, duke vizituar vende të ndryshme. Duke prezantuar programin e këtij aktiviteti, Ministri Veliaj theksoi se takimi do fillojë me një aktivitet të madh në Pallatin e Kongreseve në datën 6 shtator, ndërkohë që në datën 7 janë parashikuar të mbahen afro 12 aktivitete të ndryshme dhe në datën 8 do të mbahet ceremonia e mbylljes. Ai informoi gjithashtu, se në këtë takim pritet të marrin pjesë udhëheqës fetarë dhe personalitete të tjera botërore, ndërsa garantoi se qeveria shqiptare do ta mbështesë këtë aktivitet.

 

Tiranë, 24 shkurt 2015

 

 

Zyra e Shtypit

e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

 

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com