Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

Tre Hierarkët – Mësuesit e Mëdhenj Ekumenikë të Kishës sonë

 

    Ditën e enjte pasdite, më 29 janar, Qendra Kulturore, në Kompleksin e Katedrales  “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë pati një gjallëri të veçantë. Qindra intelektualë orthodhoksë kryeqytetas u mblodhën në një veprimtari të Lidhjes së tyre, e cila ishte e para në vazhdën e aktiviteteve që kanë si qëllim njohjen më të mirë nga ana e tyre të Besimit Orthodhoks. Këtë radhë, ajo iu kushtua figurës së Tre Hierarkëve të mëdhenj, mësuesve  të shkëlqyer orthodhoksë, Shën Joan Gojartit, Shën Vasilit të Madh dhe Shën Grigor Theologut, të cilët i kremtojmë së bashku më 30 janar. Kjo e kremte është gjithmonë e mbushur me aktivitete që marrin shkas nga veprimtaria e tyre e jashtëzakonshme.

    Takimi u hap nga Kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Lidhjes së Intelektualëve Orthodhoksë, prof. dr. Robert Andoni, i cili ftoi Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë,  Prof. Dr. Anastasin të mbante ligjëratën e kësaj veprimtarie të parë, me temë: “Në rrugën e etërve – Kuptimi dinamik i traditës së Tre Hierarkëve”. Ndër të tjera u theksua se:

    “Revolucioni shoqëror dhe shpirtëror, që do të shpëtonte botën” - thoshte një prej kundërshtarëve të Ungjillit- “do të ndodhë kur të krishterët të vendosin të jetojnë me të vërtetë Krishterimin e tyre” (Klemenso). Edhe pse konteksti në këtë rast ishte sarkastik, fjala e tij është e ngarkuar me të vërtetë. Nuk mjafton vetëm “një vendim” për dikë që të jetojë “në Krishtin”. Zonat e jetës shpirtërore janë të vështira për t’u kaluar dhe kanë nevojë për udhëheqje dhe mund; veçanërisht në ditët tona, kur një pështjellim dhe nervozizëm i veçantë, si mjegull e dendur, ka pllakosur zemrën dhe mendjen. Në këtë rrugëtim të rëndësishëm, udhërrëfyesit idealë për gjetjen e Perëndisë, të bashkënjeriut tonë dhe të vetvetes mbeten edhe sot, “tre ndriçuesit e mëdhenj të Trinisë së tridiellshme” të cilët, qysh prej fillimit, Lindja Orthodhokse i konsideroi si “predikues hyjfolës, majën e mësuesve”.

    Arsyeja që Kisha i nxjerr në pah “si mësues ekumenikë”  këta Tre Hierarkë (shih përlëshimin e çdo shërbese të shenjtë) është pikërisht fakti se ata arritën të mishërojnë diçka më të rëndësishme nga tipi i të diturit të thjeshtë, të oshënarit ose të asketit të thjeshtë, të punëtorit të mirëfilltë social; arritën të realizojnë dhe të na lënë shembullin e llojit të “njeriut të plotësuar”, të “njeriut të ri” që jeton me të vërtetë “në Zotin” dhe e përdor plotësisht “dhuratën e Shpirtit të Shenjtë”.

    Përqasja më esenciale në frymën, zemrën dhe vullnetin e tyre mund të rezultojë shpëtimtare për ne që, në pjesën më të madhe, e jetojmë Ungjillin në mënyrë fragmentare, duke theksuar njëanshmërisht, herë një element dhe herë një tjetër....

    ... Vetëm kur ripagëzohemi në frymën e Etërve të mëdhenj të Kishës sonë, kur koordinojmë mendimin, zemrën, vullnetin tonë, me të tyrin, do të jetojmë krishterimin tonë në plotësinë e tij dhe do të gëzojmë bukurinë e tij të dëlirë dhe të paperënduar.

    ... Kjo nuk do të thotë kthim prapa. Do të thotë përparim. “Bëhet fjalë për një besnikëri fryme, jo kopjim të germës”. Bëhet fjalë për një vazhdim të vërtetë të jetës dhe të mendimit, të frymëzimit. Mesazhi i saktë nuk është “prapa tek Etërit” por “përpara në frymën e Etërve!”, që të ecim përpara në këtë botë të lëkundur, me përqendrimin shpirtëror, me rreptësinë e dëlirë dhe të ëmbël të parimeve, me dijen dhe dashurinë për njeriun, me vendosmërinë dhe guximin “e bijve të Perëndisë”. Që të ndiejmë kohën tonë dhe të na ndiejë edhe ajo si forcë shëndeti dhe shprese.”

    Kjo ligjëratë e Kryepiskopit Anastas do të botohet e plotë në numrin e ardhshëm të revistës “Kërkim”.

    Në fillim dhe në fund të veprimtarisë, kori bizantin “Joan Kukuzeli” psali himne për Tre Hierarkët.

    Veprimtarinë e mbylli sekretari i Lidhjes, prof. dr. Pirro Prifti, i cili njoftoi të pranishmit se veprimtari të tilla do të organizohen të enjten e fundit të çdo muaji, me tema të larmishme dhe diskutime.

 

 

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com