Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË

 

NJOFTIM PËR SHTYP

 

U MBLODH ASAMBLEJA KLERIKO-LAIKE E KISHËS ORTHODHOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË

 

    Brenda një klime vëllazërore, më 26 dhe 27 shtator 2014, në ambientet e Manastirit të Ri të Shën Vlashit, nën kryesimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, u mblodh Asambleja Kleriko-Laike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Mbledhja e saj parashikohet nga Statuti i Kishës. Në punimet e saj, morën pjesë më shumë se 200 anëtarë nga Kryepiskopata dhe tri Mitropolitë (24 klerikë dhe 24 laikë nga secila mitropoli; 8 burra, 8 gra dhe 8 të rinj), si dhe bashkëpunëtorë, të cilët diskutuan në mbledhjen e anëtarësisë dhe në grupe pune çështje që kanë lidhje me jetën e Kishës, duke bërë dhe propozime për ecurinë e saj në shoqërinë e sotme shqiptare.

    Boshti kryesor i Asamblesë ishte referati i Kryepiskopit Anastas, me temë “Tradita dhe vizioni i bashkekzistencës paqësore të komuniteteve fetare në Shqipëri”, i cili në përfundim të fjalës së tij theksoi: “Ajo që kërkohet nuk është thjesht tolerancë fetare, pranim i thjeshtë, shmangie e fesë nga acarime të ndryshme, por diçka më pozitive. Respekt i ndërsjellë dhe mirëkuptim, reciprocitet, bashkëpunim krijues në qëllime të përbashkëta humanitare dhe vigjilim në ruajtjen e ekosistemit të rajonit. Përpjekje e qëndrueshme për harmoni shoqërore, dashuri autentike e shprehur në vepër. “Ai që do Perëndinë, nuk mundet që të mos e dojë edhe çdo njeri si veten e tij” (Shën Maksim Konfesori)”. 

   Në mbledhjen e anëtarësisë u mbajtën edhe këto referate: 1. “Roli i komunitetit orthodhoks në pavarësinë dhe stabilizimin e shtetit shqiptar”, nga prof. dr. Arqile Berxoli; 2. “Censusi i vitit 2011 i popullsisë së Shqipërisë”, nga prof. dr. Ilia Telo; 3. “Kontributi i Kishës Orthodhokse në shoqërinë shqiptare”, nga prof. dr. Gjergji Pendavinji; 4. “Përballimi i sulmeve kundër Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”, nga Orfea Beci dhe 5. “Nektar Terpo, pararendës i Shën Kozma Etolosit dhe vlerat që kultivoi komuniteti orthodhoks”, nga prof. asc. dr. Vasil Tushi.

   Më tej, në punimet në grupe, nën drejtimin e hirësive, Mitropolitit të Beratit Ignatit, të Korçës Joanit, të Gjirokastrës Dhimitrit dhe të Episkopit të Apollonisë Nikolla, diskutimet vunë në dukje përpjekjet e qarqeve të ndryshme, që duan të godasin përparimin e dukshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe detyrën e intelektualëve të shfaqin të vërtetën. Në mënyrë të veçantë u theksua detyrimi i pjesëmarrjes aktive të klerikëve dhe të laikëve në veprën e saj edukuese, duke respektuar karakterin multifetar të shoqërisë shqiptare. Paralelisht me punimet e Ansamblesë, anëtarët e saj u njohën me programet e Kishës në sektorët e arsimit dhe shëndetit, që lidhen me dëshminë bashkëkohore të Orthodhoksisë në shoqërinë shqiptare.

   Asambleja Kleriko-Laike u dha rastin anëtarëve të saj të ndërgjegjësohen për përgjegjësinë e tyre në përparimin e Kishës, 23 vite pas ringritjes nga themelet të saj dhe të theksojnë edhe një herë unitetin e pazgjidhshëm të anëtarëve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

 

Tiranë 29 shtator 2014

 

(Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë)

 

 

 

* indicates required


 

 
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com